President, Reflections Ministries
Ph.D., New York University
D.Phil., University of Oxford
Çështja e besueshmërisë së Shkrimeve është me rëndësi thelbësore e për t’u menduar imtësisht, sepse nëse Bibla është e besueshme, domethënia e saj është plotësisht jetëndryshuese dhe shndërruese. Shumë njerëz thonë se Bibla nuk është e besueshme, se shpesh bazohet në informacion të dorës së dytë e të tretë e se kanë dëgjuar se ka kundërshti.
Por shumë njerëz do ta kishin të vështirë të dinin si të përgjigjeshin po t’u kërkoje të tregonin ku qëndrojnë këto kundërshti. E në fakt, këto të ashtuquajtura kundërshti dalin se nuk janë të tilla; përkundrazi, nëse e marrim tekstin në tërësi, shohim se Shkrimet janë shumë të qëndrueshme dhe se kalojnë prova që asnjë dokument i epokës greko-romake nuk do të mund t’i kalonte ndonjëherë.
Po të mendojmë për vetë dokumentin dhe besueshmërinë e tij, duke u përqendruar këtu te Dhjata e Re, ekziston një provë bibliografike që ka të bëjë me provat dorëshkrimore që kemi për Dhjatën e Re. Kjo provë trajton cilësinë e dorëshkrimeve, sasinë e tyre dhe shtrirjen kohore. Po të marrim në shqyrtim sasinë, ka mbi 14000 dorëshkrime të Dhjatës së Re, numër ky që po rritet, me 6000 dorëshkrime në gjuhën greke ndër të tjera.
Ky numër është i pashoq në botën antike, nëse e krahasojmë me kopjet që kemi nga autorë si Platoni, Aristoteli, Taciti, Suetoniusi, Livi apo Cezari. Ata kanë një numër shumë të vogël dorëshkrimesh dhe, për më tepër, për sa i përket cilësisë së tyre, cilësia e dorëshkrimeve të Dhjatës së Vjetër është e pashoqe, jashtëzakonisht të besueshme.
Edhe për Dhjatën e Re, cilësia është tej mase e mirë, sepse me to kemi edhe mundësinë për të bërë krahasime me lexime të ndryshme. Numri i leximeve të ndryshme në Dhjatën e Re është shumë i vogël për sa i përket gjërave që do të shkaktonin ndonjë pasojë domethënëse. Janë gjëra shumë të vogla. Në fakt, asnjë ndryshim në tekst nuk do të mjaftonte për të ndikuar qoftë edhe në çështjen më të vogël të besimit apo praktikës.
Pra, kemi besueshmëri të jashtëzakonshme dhe, përmes kritikës së tekstit, mund të përcaktojmë përgjithësisht se cili lexim, sipas ndryshimeve të lehta, i përgjigjet më së miri leximeve të tjera. Pra, për sa i përket sasisë, e pashoqe; për sa i përket cilësisë, më e shkëlqyer se gjithçka tjetër në botën greko-romake; dhe e treta, për sa i përket shtrirjes kohore, kjo është shumë e fuqishme, sepse kemi disa dorëshkrime të gjetura në papirus që nuk janë vetëm brenda një shekulli, por disa edhe brenda dhjetëvjeçarëve me origjinalin, siç është rasti i papiruseve të Chester Beatty-t dhe të Bodmer-it.
Në disa raste, këto shkojnë brenda pak dhjetëvjeçarëve nga Ungjilli i Gjonit. Nuk ka të tjerë si këto, sepse po të shohësh Cezarin, Livin, Tacitin dhe Seutoniusin, dorëshkrimi i parë i tyre, nga koha e shkrimit e deri në atë të kopjimit, zakonisht ka mbi një mijë vjet ndërmjet. Ndërsa në rastin e Dhjatës së Re, kemi një numër të stërmadh dorëshkrimesh që datojnë pak shekuj pas origjinalit, diçka e pashoqe kjo. Unë shoh se shpeshherë zbatohet një parim i dyfishtë.
Shumë njerëz nuk duan të besojnë në Biblën, por i besojnë Platonit apo Cezarit, gjë që besoj se ndodh ngaqë Shkrimet tregojnë diçka për natyrën tonë njerëzore. Ato nuk janë thjesht histori, por edhe zbulesë për Perëndinë e gjallë, dhe zemra jonë ka diçka që do të shkojë kundër kësaj. Ajo që dua të them është se, nëse standardi yt është kaq i lartë sa të duhet të eliminosh Shkrimet për të mbështetur pikëpamjen tënde, tashmë duhej ta kishe braktisur me kohë gjithë dijen që ke për botën antike klasike. Kjo tregon paqëndrueshmëri.
Për më tepër, Bibla është unike në prodhimtari dhe ruajtje, në deklaratat që bën e që nuk gjenden askund tjetër, në mënyrën si i ka dhënë trajtë e si e ka ndikuar historinë siç nuk ka bërë asnjë libër tjetër. Unë besoj se Bibla është vërtetë e besueshme dhe serioze.
Përktheu për Unebesoj.org: Brunilda Rustani
