Zoti dhe Matematika

0
46

Përse funksionon matematika?

Pa mendohuni për pak! Nocionet matematikore, të tilla si: numrat, bashkësitë dhe ekuacionet janë jofizike dhe abstrakte. Ato nuk mund të shkaktojnë gjë, e megjithatë për ndonjë arsye, universi fizik vepron në mënyrë matematikore. Siç e përshkroi Galileo: “Libri i natyrës është shkruar në gjuhën matematikore.”

Shkencëtarët nuk e përdorin matematikën thjesht si një mënyrë të volitshme për të organizuar të dhënat. Ata besojnë se marrëdhëniet matematikore reflektojnë aspekte reale të botës fizike. Shkenca mbështetet në supozimin se ne jetojmë në një univers të organizuar, i cili është subjekt i ligjeve të sakta matematikore. Në këtë mënyrë ligjet e fizikës janë shprehur të gjitha si ekuacione matematikore. Për shembull, Pitagora zbuloi që kur një tel vibrues shkurtohet përgjysmë, luan të njëjtën notë në një oktavë më lart. Vëzhgimet e Isak Njutonit, çuan në zbulimin prej tij të ligjit të gravitetit, një marrëdhënie matematikore e shprehur si një ekuacion i thjeshtë që na mundësoi hyrjen në Epokën e Hapësirës. Matematika u mundësoi astronomëve të lokalizonin vendndodhjen e një planeti të pazbuluar më parë dhe Xhejms Klark Maksuell përdori matematikën për të parashikuar ekzistencën e valëve radiofonike. Albert Ajnshtajn, duke punuar me matematikën teorike të zhvilluar pesëdhjetë vite më herët, formuloi teorinë e përgjithshme të relativitetit, një shtyllë e fizikës moderne. Përllogaritjet e tij u konfirmuan më vonë gjatë një eklipsi diellor, ku Artur Edingtoni vuri re se drita nga yjet e largët përkulej përreth diellit. Më pas, Piter Higsi përdori ekuacionet matematikore të parashikonte ekzistencën e një grimce elementare. U deshën 48 vite, miliarda dollarë dhe miliona orë pune eksperimentale që shkencëtarët më në fund të zbulonin këtë grimcë të Higsit.

Si e shpjegojmë ne zbatueshmërinë mahnitëse të matematikës në botën fizike? Në vitin 1960, fizikanti dhe matematicieni Juxhin Vigner, fitues i çmimit “Nobel”, botoi një artikull që e shtangi komunitetin shkencor, të titulluar “Efektiviteti i Paarsyeshëm i Matematikës në Shkencat Natyrore”. Vigner nxorri përfundimin se efektiviteti i matematikës është një “mrekulli…të cilën as nuk e kuptojmë dhe as nuk e meritojmë.”

Përse është kaq efektive matematika? Filozofët që e ngritën këtë pyetje u ndanë në dy kampe: Natyralistët, të cilët besojnë se “Gjithçka ekziston në hapësirë-kohë dhe ka përmbajtje fizike.” Ata përjashtojnë shkaqet mbinatyrore. Dhe Teistët, të cilët besojnë në një Zot, i cili krijoi universin.

Natyralistët nuk mund të japin një shpjegim të arsyeshëm se përse matematika zbatohet në botën fizike. Kjo është thjesht një koincidencë e këndshme. Por ky nuk është aspak shpjegim. E shumta, natyralistët mund të thonë se nuk është e habitshme që matematika zbatohet në botë, sepse vetë bota ka një strukturë matematikore. Pra, sigurisht që matematika zbatohet në të. Por ky shpjegim është i pakënaqshëm për dy arsye. Së pari, një pjesë e mirë e matematikës në shkencë nuk mund të kuptohet fizikisht. Për shembull, numrat imagjinarë dhe hapësirat e pafundme dimensionale. Megjithëse këto koncepte janë të përdorshme realiteti fizik nuk mund të ketë strukturën që përshkruajnë ata. Dhe së dyti, kjo përgjigje përsëri nuk shpjegon përse universi fizik ka një strukturë kaq elegante matematike magjepsëse.

Në kontrast me këtë për teistët, matematika funksionon shumë mirë në botën fizike sepse Perëndia ka zgjedhur të krijojë botën sipas planit që kishte në mendje. Filozofi hebre i shekullit të parë, Filo i Aleksandrisë, ofroi këtë analogji: “Kur një mbret dëshiron të ndërtojë një qytet, një arkitekt i trajnuar fillimisht dizenjon në mendjen e tij një plan të të gjitha pjesëve të qytetit që duhet të ndërtohen. Pastaj ai fillon ta ndërtojë qytetin me gurë dhe lëndë druri, duke parë modelin dhe duke u siguruar që objektet materiale po ndërtohen sipas planit. Matematika dhe fizika bashkëveprojnë kaq mirë bashkë sepse e njëjta mendje që dizenjoi universin mbi një model matematikor, ndërtoi gjithashtu edhe unversin mbi të njëjtin model matematikor.

Të gjitha këto i shtohen një argumenti për ekzistencën e Perëndisë që thotë:

  1. “Nëse Perëndia nuk ekziston, zbatueshmëria e matematikës është thjesht një koincidence e këndshme.
  2. Por zbatueshmëria e matematikës nuk është thjesht një koincidencë e këndshme.
  3. Prandaj, Perëndia ekziston.

Juxhin Vigner kishte të drejtë, efektiviteti i matematikës në botën fizike është, në kuptimin e plotë të fjalës, një mrekulli, e cila shpjegohet më mirë nga ekzistenca e Perëndisë.