Trishtimi i Familjes

0
158

por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.” —Galatasve 4:4–5

Festat e fundvitit mund të jenë një periudhë stresuese dhe e vështirë për shumë njerëz. Kjo është veçanërisht e vërtetë për beqarët dhe ata që vijnë nga një familje e copëtuar si e imja. Në një nga sezonet e Krishtlindjes, unë po ndihesha shumë e vetmuar dhe po luftoja me depresionin, kështu që kërkova lutje për të më ndihmuar. Një shok i krishterë vendosi të kalonte më shumë kohë me mua për të parë se çfarë më shqetësonte dhe më ftoi të kaloj festat e fundvitit me të dhe familjen e tij. Ky preokupim plot dhembshuri dhe veprimi mirëdashës ishin një litar shpëtimi për mua atë vit.

Perëndia e dërgoi Jezusin në këtë botë për të na shpenguar, që ne të marrim birësimin si bijtë dhe bijat e Tij (Gal. 4:4–5). Ne jemi birësuar në familjen e Perëndisë dhe si të tillë, ne jemi bijtë e Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit (Rom. 8:16–17). Ne duhet të mos e harrojmë kurrë se kush jemi. Edhe nëse familjet tona natyrale janë të copëtuara dhe jofunksionale ne kemi liri hyrjeje, përmes birësimit, në një familje të mrekullueshme që është trupi i besimtarëve. Ne nuk jemi kurrë vetëm dhe kemi qasje unike në të gjitha thesaret e mbretërisë së Perëndisë.

Nëse ju ndiheni vetëm dhe të shkëputur gjatë këtij sezoni festash, mos vuani vetëm. Lutuni dhe kërkojini Zotit t’ju tregojë ndonjë person me të cilin mund të thelloni miqësinë. Më pas merrni guximin të shkoni dhe t’i tregoni si po ndiheni. Hidhni hapa besimi, krijoni mundësi për t’u lidhur me persona të tjerë dhe mos e izoloni veten. Nëse jeni pjesë e një familjeje të shëndetshme ose një grupi shokësh të cilëve u pëlqen të mblidhen bashkë gjatë sezonit të festave, mundohuni të tregoheni të ndjeshëm ndaj personave të tjerë në mesin tuaj.

Në kishën tuaj, komunitetin dhe vendin tuaj, ka njerëz të cilët ndihen të lënë mënjanë gjatë festimeve të këtij fundviti. Ndoshta ju mund të shkoni dhe t’i ftoni të bashkohen me familjen tuaj për darkë apo për një festim familjar. Duke bërë një gjë të tillë ju do të bekoheni tej mase, sepse ky që po bëni është një shërbim ndaj Zotit (Mat. 25:37–40).

Debora Barr

Menaxhere në Denver Seminary, Kampusi i Uashingtonit.

Përktheu per Unë Besoj: Ana Llakaj.