Trashëgimia e Stephen Hawking: Njeriut që Bëri Kërkime për Teorinë e Gjithçkaje

0
440

Nga Ravi Zacharias

Kjo pamje është shumë e njohur: një trup i kruspullosur që qëndron mbi një karrige me rrota, e cila lëvizte nëpër trotuaret e bukura të Kembrixhit. Nuk ishte e pazakontë ta shikoje të madhin Stephen Hawking tek e shoqëronin nëpër takimet e tij. Unë kam patur privilegjin ta dëgjoja një herë kur fliste në një grupim të madh publik në “Lady Mitchell Hall” në vitin 1990, gjatë gjashtë muajve që familja ime dhe unë jetuam në Kembrixh të Anglisë. Tema mbi të cilën po fliste ai ishte “Njeriu, a është i kufizuar apo i lirë?” Edhe pse me një trup të kruspullosur dhe të palëvizshëm, ai shihej si një gjigand në këtë fushë, prandaj studiuesit vinin nga të gjitha anët sa herë që ai fliste mbi tema të një rëndësie të veçantë. Sa e pabesueshme që një strukturë e thyer mund të mbante akoma përbrenda një mendje brilante.

Tregohen histori të ndryshme në lidhje me aftësinë e tij për të rikujtuar diçka që mund ta kishte lexuar disa faqe më parë, sikur kërkonte të sigurohej që e kishte të saktë ekuacionin. Një nga miqtë e tij më të ngushtë, Nejthën Maihrvolld (bashkëthemelues i ‘Intellectual Ventures’), tregon që Hawking thoshte se kufizimet e tij fizike kishin disa përfitime. Ai shprehej se meqënëse nuk mund të shkruante, ai mësoi të derivonte çështje komplekse në postulate më të thjeshta dhe më pas t’i memorizonte ato. Gjithashtu, ai thoshte se e kishin kursyer nga shërbimi, duke mos e caktuar nëpër komisionet e ndryshme të fakultetit. Dikush mund ta dallojë sensin e humorit. Burra të tillë bëjnë që pjesa më e madhe e njerëzimit të duket mesatare ose më e ulët. E megjithatë, edhe pse gjeni, kjo nuk e kurseu nga lëndimi i zemrës dhe trishtimi që sjellin marrëdhëniet.

Më kujtohet një bisedë që kam bërë me një nga lojtarët më të mëdhenj të tenisit në Indi, Vijai Amritraj (Vijay Amritraj). Ishte një kohë kur ai u rradhit në 10 lojtarët më të mirë në botë. Ai tregon që një herë, një nga reporterët e shtypit e pyeti atë: “Vijai, ti asnjëherë nuk i ke fituar ndeshjet e mëdha. Si ndihesh për këtë?”

Vijai u mendua për një moment dhe tha: “Djemtë e mi vazhdojnë të më telefonojnë çdo ditë.”

Reporterit iu desh pak kohë që të kuptonte logjikën e tij. Jo të gjithë titujt në botë janë ashtu siç duken nga jashtë. Një trofe tenisi ka shumë vlerë, por nuk i afrohet aspak vlerës që ka dashuria që merr një nënë apo një baba nga fëmijët e vet. Unë me të vërtetë vras mendjen nëse Hawking do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga shumë nderime ceremoniale dhe në vend të tyre të fitonte një marrëdhënie të thellë. Por, unë mundem vetëm të hamendësoj. Afërsia e një marrëdhënieje të ngushtë plot dashuri sjell gëzimin më të thellë, i cili është më i rëndësishëm sesa çdo certifikatë suksesi. Në këto vite muzgu për mua, dashuria e familjes dhe miqve të mi është më e rëndësishme për mua sesa çdo certifikatë e varur në mur.

Hawking nuk ia doli asnjëherë mbanë në kërkimet e tij për teorinë e gjithçkaje. Siç është shprehur dikush, kur ne të arrijmë atë moment kur të kuptojmë gjithçka, Perëndia do të vijë poshtë me tufën e çelësave të Tij në dorë dhe do të thotë: “Zonja dhe zotërinj, erdhi koha ta mbyllim!”

Në fakt, në shekullin e 21-të, ku jemi akoma, ne vazhdojmë të jetojmë me frikën se do të shkatërrojmë gjithçka. Shkencëtari më i madh i kohës sonë, tashmë duhet të ketë takuar Atë që di gjithçka. Ai bashkëbisedim është bërë realitet. Ne të gjithë e presim të vijë një moment i tillë. E vërteta është se pavarësisht sa brilant ishte ai, dashuria e njerëzve ishte ajo që e çoi atë atje ku arriti, dhe kjo shtrihet në thelb të të gjitha jetëve tona.

Më kujtohet kur po i flisja një skuadre profesionistësh basketbolli disa vite më parë. Njëri nga folësit, i cili po fliste mbi temën e “Lënies së një trashëgimie”, u bëri një pyetje lojtarëve: “Sa prej jush e dinë se ku janë varrosur gjyshërit e vet?” Një grup i vogël personash ngritën dorën. Ai pyeti përsëri: “Sa prej jush e dinë se ku janë varrosur stërgjyshërit tuaj?” Vetëm pak persona e ngritën dorën këtë herë. Dhe kështu me rradhë. Më pas folësi tha: “Ju jeni vetëm pak breza larg harresës së plotë të ekzistencës suaj.”

Ra një heshtje e thellë. Një nga lojtarët më të famshëm u përkul në drejtimin tim dhe më tha: “Nuk ka aspak rëndësi nëse nipërit dhe stërnipërit e mi do të më njohin apo jo, dhe a do të dinë sa rekorde kam thyer, për sa kohë që ata e njohin dhe e dinë se kush është Jezus Krishti.”

Sa kujtesë e fuqishme për famën tonë jetëshkurtër, dhe sa kujtesë e bukur për mesazhin tonë të përjetshëm.

Bota do t’i vlerësojë përherë hapat e pabesueshëm që hodhi Stephen Hawking në shkencë. Ai ishte një gjeni me një kapacitet të rrallë intelektual, i cili na tregoi kaq shumë për botën atje jashtë.

Unë kam një nip tre vjeçar i cili quhet Niko. Ai është një vogëlush shumë i ëmbël. Unë e quaj atë Ajnshtajn, sepse ai përqendrohet tek gjithçka me vështrimin zhbirues të një analisti. Sa herë që merr një dhuratë, ai thotë: “Uaa! Oh, uaa! Një kuti dhuratash?! Për mua?!” Ne i themi që është për të, por ai duhet ta hapë në fillim.

E gjithë bota është si një kuti (ashtu siç e ka përshkruar edhe Albert Ajnshtajni vetë). Ne duhet ta dimë që personi që e krijoi atë, është i vetmi që di gjithçka dhe ky është Perëndia vetë, i cili dërgoi Birin e Tij të vetëm që ne ta kuptonim arsyen përse ekzistojmë dhe përse na krijoi. Ai ju hap sytë që të mund të shihni botën tuaj të brendshme. Atje brenda shtrihet kuptimi i vërtetë i jetës. Kjo na jep ne një histori të shkurtër të kohës dhe të përjetësisë.

 

Përktheu për Unë Besoj: Ana Llakaj

Burimi: http://rzim.org/global-blog/the-legacy-of-stephen-hawking-the-man-who-searched-for-the-theory-of-everything/