A do t’i gjykojë Perëndia ata që nuk kanë dëgjuar kurrë për Krishtin?

0
33

Nga Dr. Kenneth Boa

President, Reflections Ministries
Ph.D., New York University
D.Phil., University of Oxford

Kjo është një pyetje kritike që vijon në mënyrë të natyrshme nga një kundërshtim tjetër: A po shpall Krishti se është e vetmja udhë? Nëse është e vetmja udhë, sigurisht njerëzit do të pyesin në lidhje me ata që nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e Jezusit.

Kjo është një pyetje e arsyeshme dhe e drejtë, një pyetje të cilën duhet ta mendojmë në detaje e t’i përgjigjemi mirë. Ka vetëm tri opsione: Zoti nuk do t’i gjykojë ata që nuk kanë dëgjuar kurrë; nëse i gjykon, gjykimi i Tij është i padrejtë; ose opsioni i tretë, se do t’i gjykojë dhe se gjykimi i Tij është i drejtë. Le t’i shqyrtojmë të trija opsionet. I pari, se Perëndia nuk do t’i gjykojë ata që nuk kanë dëgjuar kurrë.

Epo, në këtë rast, pse duhet të trazohemi e të përfshihemi në misione? Gjithë këta shekuj që të krishterët kanë qenë në misione do të humbisnin vlerën dhe domethënien, sepse, në fund të fundit, njerëzit do të shpëtohen edhe pa shkuar këta njerëz në misione. Në fakt, ata do të vinin mbi këta njerëz një barrë përgjegjësie për një mesazh që nuk e kishin dëgjuar kurrë më parë e për të cilin tani janë llogaridhënës, edhe pse më parë nuk e kishin fare.

E vërteta është se Shkrimet e bëjnë të qartë se njerëzve nuk do t’u kërkohet llogari për njohuri që nuk e kanë pasur kurrë, por për atë që kanë.

Romakëve kapitulli 1 na thotë qartë se të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për një lloj krijuesi, se që prej krijimit të botës, fuqia e tij e padukshme dhe cilësitë e tij të përjetshme kanë qenë të dukshme e të kuptueshme, që ata të jenë të pafalshëm.

Romakëve 2 na flet edhe për ndërgjegjen tonë dhe se si nuk jemi në gjendje as të përmbushim standardet tona personale, se të gjithë e kemi këtë ndjesinë se diçka po na ndan nga marrëdhënia me Perëndinë. Ne as standardet tona morale nuk mund t’i ruajmë, dhe mëkati është gjendja njerëzore universale e ndarjes nga Perëndia i shenjtë.

Pyetja që del nga kjo është: “A është i drejtë Perëndia në gjykimin e Tij?”. Unë dua të theksoj sërish se Perëndia do t’i quajë njerëzit përgjegjës vetëm për dritën që kanë marrë, jo për atë që nuk kanë marrë.

Në të njëjtën kohë, unë besoj se ka prova të mjaftueshme nga Shkrimet që tregojnë se, nëse njerëzit i përgjigjen dritës që kanë marrë, Ai do t’u japë edhe më shumë. Se si e bën këtë, e di Ai Vetë, por nga Zbulesa kapitulli 5 vargu 9 ne dimë se në parajsë do të ketë njerëz nga çdo gjuhë, fis e komb. Këtu do të përfshiheshin edhe njerëz nga Amerika e Jugut para kolonizimit evropian, njerëz nga Kina që para se të shkonin atje misionarët.

Pra, si përfundim, arrijmë tek ideja se nëse Ai do që dikush ta njohë dhe nëse ky person dëshiron ta njohë Atë, atëherë Ai do ta gjejë mënyrën që kjo të ndodhë. Edhe në ditët tona, kudo në botën islame njerëzit po shohin ëndrra e vegime, me anë të të cilave njerëzit po mësojnë për Isain si Jezus Mesia, gjë që po ndodh në mënyra mbresëlënëse. Unë e shoh në këtë mënyrë: në botë ka dy lloje njerëzish, ata që kërkojnë ta njohin Perëndinë dhe ata që kërkojnë ta shmangin Atë, dhe se të dyja palët do t’ia dalin me sukses qëllimit të tyre.

Si përfundim, do të ndodhë ajo që uron të ndodhë: nëse do që ta njohësh Atë, unë mendoj se Ai do të sigurojë më shumë. Diçka tjetër që do të shtoja është se Abrahami, Moisiu apo Davidi kurrë nuk e dëgjuan emrin e Jezus Mesias, e megjithatë arritën ta njihnin Perëndinë, sepse për të gjitha epokat baza e shpëtimit është vdekja dhe ringjallja e Krishtit, mjeti i shpëtimit është besimi, objekti i besimit është Perëndia, dhe përmbajtja do të rritet sipas zbulesës së veçantë.

Pra, nëse një person i përgjigjet dritës që i është dhënë, unë besoj se Perëndia do të sigurojë edhe më shumë dritë për ata që duan ta njohin. Ata që kërkojnë, do të gjejnë; atyre që lypin, do t’u jepet; atyre që trokasin, dyert do t’u hapen.

Ka njerëz, si p.sh. fëmijët apo personat që nuk arrijnë kurrë mjaftueshmërinë mendore, që mund të jenë të paaftë të përgjigjen. Unë mendoj që në Shkrime ka të dhëna që sugjerojnë se këta njerëz nuk do të quhen përgjegjës për gjërat që nuk mund t’i dinin. Ne jemi përgjegjës për dritën që na është dhënë, dhe ata që duan ta njohin Perëndinë, do ta njohin. Po kështu, edhe ata që duan ta shmangin, do t’ia dalin me sukses.

Për këtë arsye, mendoj se gjykimi i Tij është i drejtë. Në fakt, kërkoni për drejtësi. Drejtësia, që do të thotë të marrësh çfarë meriton, ndryshon nga mëshira, që do të thotë të mos marrësh çfarë meriton, si dhe nga hiri, që do të thotë të marrësh më mirë nga çfarë meriton. Shkrimet na mësojnë se Perëndia po na jep shumë më tepër nga çfarë meritojmë, se po na jep hir, pra mëshirë, mirësi plot dashuri, na thërret e na tërheq drejt Vetes.

Kushdo që ngre këtë pyetje, di tashmë diçka për Jezusin, ndryshe nuk do ta ngrinte si pyetje. Ndaj pyetja që mbetet është: çfarë do të bësh ti me gjërat që të janë dhënë tashmë?

 

Përktheu për Unebesoj.org : Brunilda Rustani