Të jesh apo të kesh?

0
67

Nga A.D.

“Ne jetojmë në një botë materiale dhe unë jam një vajzë materialiste” thotë Madona në një nga këngët e saj.

Ka një pjesë të vërtetë në fjalët e kësaj kënge që s’e gjej dot cila është dhe një pjesë që e ndiej se kundërshton moralin ekzistues. E vërteta është që kjo është një botë materiale. Edhe Bibla, moralin e së cilës Madona duket sikur godet, që në faqet e para na thotë se jetojmë në një botë materiale dhe jemi krijuar për ta zotëruar atë.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë përse thirrja e Madonës na duket si thirrje kundër ndërtesës morale ekzistuese? Në këtë thirrje, përveç pjesës që jemi krijuar për të patur, përfshihet ideja që jemi krijuar vetëm për të patur, që nuk është e vërtetë. Kultura jonë me vlerat që përforcon media, si në rastin e kësaj kënge, më shtyn drejt kësaj rruge. Dhe si rrjedhojë, të kemi bëhet çështja kryesore për shumicën nga ne. Dhe ne e gjejmë veten duke rendur pas materiales. Rendim aq shumë për të pasur, saqë nuk ndalojmë të shijojmë ato që kemi.

Njeriu dhe dëshira e tij për të patur ngjajnë me një fushë gjigante që shikon një fëmijë. Kur rritet, ai vë re se ajo është një fushë jo aq e madhe sa i është dukur kur ishte i vogël. Ajo hapësirë aq e vogël bëhet zhgënjyese kur kupton se I ke dhënë dimensione të pavërteta dhe zbulon diçka më të madhe , pas së cilës duhet të rendësh (në fakt ka kaq shumë hapësirë rreth saj).

Po çfarë do ta mbronte këtë fëmijë nga perceptimet e gabuara dhe nga zhgënjimet e njëpasnjëshme ? Asgjë më shumë se të paturit e pamjes së vërtetë të Realitetit. Me pamjen reale, nuk duhet të ngatërrosh “diçka” me “dikush”. Nëse do të vraposh pas diçkaje, gjithmonë do të ketë të tjera gjëra për të vrapuar, të cilat nuk do të mund t’i marrësh me vete të të ndihmojnë kur ke nevojë. Nëse do të vraposh pas dikushit tënd, do të fillosh të kesh avantazhin e të paturit gjithkund me vete dikushin tënd që të të ndihmojë .

Hebrenjtë, që nuk kishin një atdhe të tyre, kuptuan që të investoje në pasuri të paluajtshme ishte e rrezikshme dhe se mund t’ua merrnin, por të investonin në veten tyre, duke e bërë veten e tyre të nevojshëm për të gjithë, ishte mënyra që ta mbronin investimin e tyre.

Shkollimi është një investim në dikushin tuaj. Ky investim duhet mbrojtur me cilësi që do të mbeten në ne, në mënyrë që të jemi të mbrojur nga zhgënjimi i sigurtë, i vërtetuar nga aq shumë njerëz. Cilësi si dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja janë aq të lakmueshme kur të tjerët i përdorin me ne.Po sa më mirë do te ishte t’i kishim vetë këto cilësi?!