Të imitosh e Krishtin dhe të përçmosh të gjitha kotësitë e kësaj bote

0
90

 

 

Nga Tomas À Kempis [1]

Ai që më ndjek mua, thotë Krishti shpëtimtari ynë, nuk do të ecë në errësirë, sepse do të ketë dritën e jetës. Këto janë fjalët e Zotit tonë, Jezus Krishtit, dhe përmes këtyre fjalëve të Tij ne këshillohemi të ndjekim mësimet dhe mënyrën e Tij të jetesës, nëse duam të ndriçohemi me të vërtetë dhe të çlirohemi nga e gjithë verbëria e zemrës.

Le të jetë studimi i zemrave tona, duke nisur që nga ky moment, një meditim i përqendruar plotësisht në jetën e Krishtit, sepse mësimet e Tij të shenjta kanë më shumë virtyte dhe forcë sesa fjalët e të gjithë engjëjve dhe shenjtorëve. Dhe ai njeri, që përmes hirit e ka syrin e brendshëm të shpirtit të vet të hapur ndaj të kuptuarit të vërtetë të Ungjillit të Krishtit, do të gjejë atje manën e fshehur.

Shpesh është vënë re se ata që i dëgjojnë Ungjijtë gjejnë shumë pak ëmbëlsi në ta, dhe arsyeja është që ata nuk e kanë shpirtin e Krishtit. Kështu që, nëse duam të kuptojmë me të vërtetë Ungjijtë e Tij, duhet të mësojmë si të konformojmë jetët tona në sa më shumë ngjashmëri me të Tijën.

Çfarë dobie ka që një njeri të arsyetojë për misterin e lartë dhe të fshehur të Trinisë, nëse atij i mungon në vetvete përulësia duke e trishtuar në këtë mënyrë Trininë e Shenjtë? Në të vërtetë, ai nuk ka asnjë përfitim. Arsyetimet e thella kureshtare nuk e bëjnë një njeri as të shenjtë dhe as të drejtë, por një jetë e mirë e bën atë të dashur për Zotin.

Unë parapëlqej më shumë të ndiej në zemrën time keqardhje për mëkatet e mia, sesa të mos e di përkufizimin e keqardhjes. Nëse i dini të gjithë librat e Biblës thjesht në mënyrë mekanike dhe mësoni përmendësh të gjitha thëniet e filozofëve, çfarë përfitimi do t’ju sjellin pa hirin dhe shpirtbutësinë? Gjithçka në këtë botë është kotësi, përveç dashurisë për Zotin dhe shërbimit vetëm ndaj Tij. Kjo është urtësia më fisnike dhe më e mrekullueshme që mund të ketë një krijesë, duke përçmuar botën, për t’u afruar çdo ditë e më shumë me Mbretërinë e Qiellit.

Pra, është një kotësi e pamasë të punosh në mënyrë të papërmbajtur për pasuri tokësore të cilat do të humbasin, apo të lakmosh lavdi, kënaqësi të pakontrolluar dhe ëndje mishtore në këtë jetë, për të cilat njeriu pas kësaj jete do të ndëshkohet rëndë dhe trishtueshëm.

Sa kotësi akoma më e madhe është të dëshirojmë një jetë të gjatë dhe të mos shqetësohemi për të patur një jetë të mirë? Të kujdesemi për gjërat e momentit dhe të mos sigurojmë për gjërat që do të vijnë; të duam gjërat që do të humbasin shumë shpejt dhe të mos nxitojmë drejt vendit ku gëzimi është i përjetshëm.

Mbajeni ndër mend këtë fjalë të urtë: “Syri nuk kënaqet apo ngopet duke parë gjëra materiale, dhe as veshi duke dëgjuar.” Atëhere mësoni të merrni dashurinë e shpirtit tuaj nga gjithçka e dukshme. Ata që ndjekin kënaqësinë personale dëmtojnë vetë kauzën e tyre dhe humbasin hirin e Perëndisë.

 

Burimi: William G. Placher, Callings: Twenty Centuries of Christian Wisdom On Vocation (Grand Rapids, Mich.: W.B. Eerdmans Pub. Co., 2005), 196-201.

Përktheu per Unë Besoj: Ana Llakaj.

[1] Tomas A Kempis (rreth 1380-1471), jetoi në Gjermani dhe Hollandë dhe u arsimua në një nga shkollat e “Vëllezër të Jetës së Përbashkët”. Ai u ndikua në formimin e tij nga Devotio Moderna ose “Devotshmëria e Re” me theksin në devotshmërinë e thjeshtë dhe mosbesimin ndaj teologjisë komplekse. Tomas konsiderohet si autor i veprës “Imitimi i Krishtit”, një nga tekstet më të admiruara shpirtërore të krishtera. (Ky shkrim ështe një fragment nga libri i tij).