Supersticioni! Kush e di të ardhmen tënde?

0
30

Nga Nikolin Dodaj

Çdo gazetë dhe revistë ka një hapësirë qoftë edhe të vogël për horoskopin. Të gjithë njerëzit e dinë se cila është shenja e tyre në horoskop. Edhe pse për horoskopin nuk ka asnjë organizatë apo ndonjë grup njerëzish që bëjnë fushatë sensibilizuese, horoskopi është një sukses i qartë për shtrirjen dhe ndikimin që ka në shumë njerëz.

Në treg ka një kërkesë që është një lloj urie deri në varësi për atë që thotë se ofron. Horoskopi thotë se ofron njohjen e së ardhmes. Njohja e së ardhmes të sjell paqe dhe siguri. Pra në fund fare suksesi i horoskopit është i lidhur me nevojën që kanë njerëzit për paqe shpirtërore dhe siguri që qartazi e kemi të gjithë, sepse nuk shpjegohet ndryshe suksesi i horoskopit. Dhe jo vetëm i horoskopit, por edhe i të gjitha gjërave të tjera siç janë fallet, vendet e shenjta, bestytnitë dhe çdo lloj dijeje gnostike.

Ka një burim tjetër që ofron paqe dhe siguri dhe shlodhje.

Në Bibël Jezusi thotë:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu11:28-30) .

Megjithatë Jezusi nuk është aq i njohur në mes të shoqërisë shqiptare ashtu siç është horoskopi. Madje, kur i pyet njerëzit për Jezusin, shumë herë dëgjon: “ Po unë nuk jam ai lloj njeriu që merret me këto gjëra.” Disa e thonë me kuptimin që unë nuk jam aq humbameno që të merrem me të tilla gjëra, të tjerë e kanë fare pa të keq kur thonë këtë. Ata thjesht mendojnë se nuk kanë një nevojë të tillë dhe janë të sinqertë. Por nevoja e tyre shpirtërore duket qartë nga interesi i tyre për horoskopin.

Po të krahasosh se sa i respektueshëm është horoskopi si çështje dhe ungjilli i Jezusit si çështje, nuk ka nevojë të mendosh shumë. Mesazhi i Jezusit që i ka dhënë tonin shoqërisë me mësimet e tij, është shumë herë më i respektueshëm se sa pseudoparashikimet e horoskopit. Madje nëse do të ishit një njohës i mirë i çështjes, ju do të vinit në përfundimin se në fakt nuk ka çështje më të respektueshme për të diskutuar, medituar dhe përtypur se ungjilli i Jezusit.

Po përse e kemi këtë realitet? Mendoj se çështja e Jezusit me gjithë avantazhin e madh që ka në cilësi dhe në fuqi në krahasim me horoskopin dhe supersticionet e tjera, ka një disavantazh.

Horoskopi thotë se ti je zotëria dhe se ai është aty vetëm që të të shërbejë. Ti bëhesh “zotëria” i skllavëruar pa ta thënë kurrë kush që të bëhesh skllavi i tij, duke pritur çdo ditë në ethe fatin e jetës tënde.

Ndërsa Jezusi, megjithëse na bëri një shërbim të jashtëzakonshëm duke vuajtur për ne, përsëri Ai na fton të pranojmë dhuratën e Tij me përulje si një shërbëtor ndaj zotërisë së tij. Megjithëse kjo dhuratë e përmbush nevojën tonë për paqe dhe siguri, Ai do që ne ta kuptojmë se Ai është Zoti dhe jo ne. Ai nuk na thotë gënjeshtra se ne jemi zotëria.

Ndërsa horoskopi na skllavëron duke na thënë se do të jemi zotëria, Jezusi na çliron duke na bërë bij.

“Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,” (Gjoni 1:12)

Këtë disavantazh e shpreh shumë mirë Dostojevski kur thotë: “Ti kërkon të shkosh në botë vetëm me një premtim solemn për lirinë, premtim, të cilin njerëzit me naivitetin dhe natyrën e tyre kriminale as e përfytyrojnë dot, madje i tremben, sepse për njeriun dhe shoqërinë njerëzore nuk ka patur gjë më të padurueshme se liria. I sheh këto pllaka në shkretëtirë të zhveshur dhe përcëlluar? Ktheji në bukë dhe menjëherë pas teje do të vijë mbarë njerëzimi. Mirënjohës dhe kokulur e gjithësesi të frikësuar se mos ua pret “copën e bukës.” Por ti nuk pranove t’ia mohosh lirinë njeriut dhe e refuzove propozimin. (Vëllezërit Karamazov)

Jezusi e do dashurinë me zgjedhje të vullnetit të lirë, dhe jo me manipulime.