Si do të dukej Krishtlindja?

0
43

Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.” —Gjoni 4:23–24

Duke filluar që nga viti 1985, unë kam çuar shumë grupe amerikanësh në Izrael. Për të krishterët, të gjitha udhëtimet në Tokën e Shenjtë duhet të përfshijnë vizita në dy kisha kryesore, Kisha e “Lindjes së Krishtit” në Betlehem dhe Kisha e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem. Këto janë vendet kryesore të pelegrinazhit të krishterë, sepse ato shënojnë ngjarjet kryesore të jetës së Shpëtimtarit tonë, mishërimin dhe kryqëzimin.

Me kalimin e viteve unë jam intriguar nga mënyra si reagojnë ungjillorët e Amerikës ndaj gjërave me të cilat përballen në këto kisha. Janë dy fenomene që më bëjnë më shumë përshtypje në këtë sezon Krishtlindjeje. Së pari, shumë e përshkruajnë dekorin zbukurues të këtyre kishave si pa finesë, pa shije; mure të stolisura, icona, lampadarë të varur, qirinj, kryqëzime, piktura të Marias dhe foshnjës, dhe shumë e shumë të tjera, shumë ndryshe nga kishat me të cilat jemi mësuar në vendet tona.

Shumë ungjillorëve ky stil u duket shpërqendrues dhe madje i pakëndshëm. Unë kam dëgjuar ankesa për numrin kaq të madh të ornamenteve të pakuptimta, madje edhe të idhujve, por unë shpresoj që ne e pyesim veten nëse ndonjë nga llojet e artit, perëndimor apo verior, lindor apo jugor, në të vërtetë është “më mirë” sesa të tjerët.

Fenomeni tjetër ndodh me vizitorët e ndryshëm që takojmë në këto vende, pelegrinët nga shumë vende dhe përkatësi sociale, si dhe traditat e krishtera. Ndërkohë që ungjillorët i shohin këto vende si turistë, duke biseduar dhe bërë foto, ne bëhemi dëshmitarë të pjesës tjetër të adhuruesve, të cilët bien përmbys para altarëve ose puthin dyshemenë. Këta vizitorë janë prekur thellësisht nga vizita në këto vende ku ka lindur dhe vdekur Zoti i tyre. Sërish, për ta përmbledhur, traditat tona ungjillore nuk e shprehin përkushtimin tonë në këto mënyra, por unë shpresoj që ne shqetësohemi me përulësi se cili mund të jetë një përkushtim i duhur ndaj Jezusit. Kush, në fund të fundit, është gjykatësi që vendos se cili është përkushtimi “i duhur”?

Këto eksperienca më bëjnë të mendoj se cilat janë format që mund të marrë adhurimi i vërtetë dhe të kuptojmë se çfarë e largon një ndjekës të Krishtit nga një adhurim i tillë. Ndërsa i afrohemi Krishtlindjes sërish këtë vit, këto pyetje mund të na hyjnë në punë. A tregon dekori i lagjes sonë, përkushtimin tonë ndaj Krishtit? Apo mezi reflekton disa vlera kulturore? A do ta lejojmë Frymën të na prekë në mënyrë që të kuptojmë qëllimin e lindjes dhe vdekjes së Krishtit, apo do të zgjedhim të përqafojmë kurthet e kulturës, që na thonë: “E gëzuar, e gëzuar është kjo Krishtlindje”? Çfarë kuptimi ka për ne këtë vit të “adhurojmë në frymë dhe në të vërtetë”?

Dr. William Klein,

Profesor i Dhjatës së Re, Seminari i Denverit, Kolorado.

Përktheu per Unë Besoj: Ana Llakaj.