Si duhet të jenë krishterët, të Majtë apo të Djathtë?

0
312

Shënim: Ky shkrim u botua në gazetën New York Times më 29 Shtator 2018 me titullin “How Do Christians Fit Into the Two-Party System? They Don’t,” i cili përkthehet “Si i përshtaten të krishterët një sistemi dypartiak? Nuk i përshtaten.”

Nga Timothy Keller*

Cili duhet të jetë roli i të krishterëve në politikë? Kjo pyetje po shtrohet prej më shumë njerëzve se kurrë më parë. Të krishterët nuk mund të shtiren se mund të jenë përmbi politikën dhe thjesht “të predikojnë Ungjillin”. Ata që i shmangen çdo diskutimi a përfshirjeje politike praktikisht po e hedhin votën për status quo-në sociale. Ato kisha amerikane që në fillim të shekullit të 19të nuk flisnin kundër skllavërisë ngaqë kjo në atë kohë do të quhej “të merreshe me politikë”, në fakt po e mbështesnin skllavërinë me heshtjen e tyre. Të mos merresh me politikë do të thotë të merresh me politikë.

Bibla tregon për besimtarë në vende të rëndësishme nëpër qeveri pagane, si për shembull Jozefi ose Danieli në Dhjatën e Vjetër. Të krishterët duhet të përfshihen në politikë si një mënyrë për t’i dashur të afërmit tanë, pavarësisht nëse besojnë apo jo njësoj si ne. Puna për shkolla publike më të mira apo për një sistem drejtësie që nuk rëndon mbi të varfrit apo për t’i dhënë fund izolimit racor kërkon përfshirje politike. Të krishterët i kanë bërë këto gjëra në të shkuarën dhe duhet të vijojnë t’i bëjnë edhe tani.

Megjithatë, edhe pse mund të regjistrohen për përkatësi politike e të jenë aktivë në politikë, besimtarët nuk duhet ta identifikojnë Kishën apo besimin e krishterë me një parti politike si të vetmen të krishterë. Ka disa arsye për të këmbëngulur në lidhje me këtë qëndrim.

Një arsye është se një qëndrim ndryshe nga ky u jep personave që po e konsiderojnë besimin e krishterë përshtypjen e fortë se, për t’u konvertuar, duhet jo vetëm të besojnë në Jezusin, por edhe të bëhen anëtarë të partisë cilado qoftë. Ky qëndrim konfirmon atë që shumë skeptikë duan të besojnë për fenë: se ajo nuk është veçse një bllok tjetër votues me synim pushtetin.

Një tjetër arsye për të mos e lidhur besimin e krishterë me një parti është se shumica e qëndrimeve politike nuk janë çështje urdhërimesh biblike, por urtësie praktike. Kjo nuk do të thotë se kisha nuk mund të flasë kurrë për realitetin social, ekonomik e politik, sepse në Bibël flitet shpesh për këto. Racizmi është mëkat që shkel urdhërimin e dytë të madh të Jezusit kur tha “duaje të afërmin tënd”. Urdhërimet biblike për ta ngritur të varfrin e për të mbrojtur të drejtat e të shtypurve janë urdhëresa morale për besimtarët. Për të krishterët individualë, nuk ekziston opsioni që të mos flasin kundër shkeljeve të rënda të këtyre kërkesave morale.

Gjithsesi, ka shumë mënyra për t’i ndihmuar të varfrit. A duhet ta tkurrim qeverinë dhe të lejojmë që tregjet e kapitalit të përcaktojnë burimet, apo duhet ta zgjerojmë qeverinë dhe t’i japim shtetit më shumë fuqi për shpërndarjen e pasurisë? Apo mos gjendet vallë udha e drejtë mes mundësive të shumta të ndërmjetme? Bibla nuk na jep përgjigje të prera për këto pyetje që të mund të zbatohen në çdo kohë, vend e kulturë.

Kam dëgjuar për një burrë nga Misisipi e që ishte republikan konservator dhe presbiterian tradicional. Ai vizitoi malësitë skoceze dhe pa se kishat atje ishin të rrepta e ortodokse siç kishte shpresuar ai. Njerëzit atje as televizorin nuk ndiznin të dielave. Të gjithë mësonin katekizmin dhe Shkrimet përmendësh. Por një ditë ai zbuloi se miqtë e krishterë skocezë që admironte ishin (sipas tij) socialistë. Në këndvështrimin e tij, kuptimi i tyre për politikën ekonomike të qeverisë dhe përgjegjësitë e shtetit ishte shumë i majtë, por edhe i bazuar në bindjet e tyre të krishtera. Ai u kthye në Shtetet e Bashkuara jo më liberal për sa i përket politikës, por, në fjalët e tij, “i përulur e i qortuar”. Kuptoi se të krishterët e mendueshëm, të gjithë në përpjekje për t’iu bindur thirrjes së Perëndisë, mund të shfaqeshin në mënyrë të arsyeshme në vende të ndryshme të spektrit politik, besnikë ndaj strategjive të ndryshme politike.

Një tjetër arsye pse të krishterët sot nuk mund të lejojnë që kisha të identifikohet plotësisht me një parti të caktuar është problemi të cilin eksperti britanik i etikës Xhejms Mamford (James Mumford) e quan “etika e tipit paketë e plotë”. Gjithnjë e më shumë, partitë politike ngulin këmbë se nuk mund të punoni me to për ndonjë çështje nëse nuk përqafoni gjithë qëndrimet e miratuara prej tyre.

Theksimi i këtyre marrëveshjeve paketë i vendos nën trysni të krishterët e përfshirë në politikë. Për shembull, sipas shembullit të Biblës dhe kishës së hershme, të krishterët duhet t’i përkushtohen drejtësisë racore dhe të varfërve, por edhe të kuptojnë se seksi është vetëm për në martesë dhe për ngritjen e një familjeje. Njëra prej këtyre pikëpamjeve duket liberale, ndërsa tjetra duket konservatore e shtypëse. Qëndrimet e krishtera tradicionale për çështjet sociale nuk përputhen me përvijimet politike bashkëkohore.

Kështu, të krishterët shtyhen drejt dy opsioneve kryesore. Njëri është të tërhiqen e të përpiqen të mos jenë politikë. I dyti është të asimilohen e të përvetësojnë plotësisht paketën e plotë të një partie në mënyrë që të kenë një vend në tryezë. Asnjëri prej këtyre opsioneve nuk vlen. Në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë në Ungjillin e Lukës, Jezusi tregon për një njeri që rrezikoi jetën për t’u dhënë ndihmë materiale dikujt të një race dhe feje tjetër. Jezusi na urdhëron të mos ia mohojmë ndihmën të afërmve tanë, dhe kjo do të kërkojë në mënyrë të pashmangshme që të marrim pjesë në procese politike. Nëse përjetojmë përjashtim e madje persekutim për këtë, jemi gjithsesi të siguruar se Perëndia është me ne (Mateu 5:10-11) dhe se disa njerëz do t’i shohin “veprat tona të mira e të lavdërojnë Perëndinë” (1 Pjetrit 2:11-12). Nëse jemi vetëm fyes apo vetëm tërheqës për botën por jo të dyja, të jemi të sigurt se nuk po jetojmë siç duhet.

Ungjilli na jep burimet t’i duam njerëzit që refuzojnë qoftë besimin tonë, qoftë ne personalisht. Të krishterët duhet të mendojnë se si i shpëtoi Perëndia ata. Ai nuk e bëri këtë duke përftuar pushtet, por duke ardhur në tokë, duke humbur lavdinë dhe pushtetin, duke shërbyer e duke vdekur në kryq. Si na shpëtoi Jezusi? Jo me shpatë, por me gozhda në duar.

*Timothy Keller, themelues i kishave Presbiteriane të Shpengimtarit në qytetin e Nju Jorkut, është autori i “Profeti plangprishës: Jona dhe misteri i mëshirës së Perëndisë”, prej nga është përshtatur kjo ese.

Burimi: New York Times.  https://www.nytimes.com/2018/09/29/opinion/sunday/christians-politics-belief.html

Përktheu për Unë Besoj: Brunilda Rustani