Shembulli i besimtarëve të hershëm

0
53

Nga Tomas A Kempis [1] 

Oh, e çfarë është jeta jonë kur e krahasojmë me të tyren? Ata i shërbyen Zotit tonë në uri dhe etje, në të nxehtë, në të ftohtë, të zhveshur, në punë dhe sfilitje, në manifestime dhe agjërime, në lutje dhe në meditimet e shenjta, në persekutim dhe shumë sprova.

Oh, sa shumë dhe sa të vajtueshme ishin vuajtjet që duruan apostujt, martirët, rrëfyesit, virgjëreshat dhe shenjtorët e tjerë, që ishin të gatshëm të ndiqnin hapat e Krishtit. Ata refuzuan nderimet dhe të gjitha kënaqësitë trupore të kësaj jete në mënyrë që të mund të kenë jetën e përjetshme. Oh, çfarë jete të rreptë dhe të mjerë bënë etërit e shenjtë në shkretëtirë. Sa të vajtueshme tundimet që duruan dhe sa ashpër u sulmuan nga armiqtë e tyre shpirtërorë. Sa të zjarrta lutjet që ata i drejtonin Perëndisë çdo ditë, sa të rreptë dhe rigorozë ishin në zbatimin e urdhërimeve. Çfarë zelli dhe entuziazmi kishin për përfitimet shpirtërore, sa fort luftuan në betejën kundër të gjitha mëkateve; sa të pastër dhe të qëllimshëm ndaj Zotit në gjithçka që bënin.

Gjatë ditës ata punonin dhe gjatë natës luteshin, dhe edhe pse gjatë ditës bënin punë fizike, me mendjet e tyre ata luteshin duke e bërë gjithmonë të frytshme kohën e tyre. Ata përpiqeshin t’i shërbenin Zotit në çdo lloj ore dhe për shkak të ëmbëlsisë që ndjenin në soditjet qiellore shpesh harronin të ushqyerin e trupave të tyre fizikë. Ata hoqën dorë nga gjithë pasuritë, nderimi njerëzor, respekti, farefisi dhe miqtë për shkak të dashurisë së Zotit. Ata nuk dëshironin të kishin asgjë nga kjo botë, përveç atyre gjërave që janë të domosdoshme për mbijetesën e trupit fizik.

Ata ishin të varfër në të mirat e kësaj bote, por ishin të pasur në hir dhe virtyte. Nga ana e jashtme ata ishin nevojtarë, por nga ana e brendshme, në shpirtrat e tyre ata ishin të mbushur me hir dhe rehati shpirtërore. Për botën ata ishin të huaj dhe të çuditshëm, por për Zotin ata ishin miq të dashur dhe të afërt. Në sytë e botës dhe të vetvetes ata ishin të poshtër dhe të liq, por në sytë e Zotit dhe të shenjtorëve të Tij ata ishin të çmuar, të zgjedhur dhe të veçantë. Tek ata shkëlqente gjithë përsosmëria e virtytit, butësia e vërtetë, bindja e thjeshtë, bujaria dhe durimi, shoqëruar me plot virtyte të tjera të ngjashme dhe dhurata të bollshme nga Zoti; dhe kështu ata përfituan çdo ditë në frymë duke marrë hir të madh nga Zoti. Ata janë bërë një shembull për të gjithë besimtarët dhe jetët e tyre duhet të na shtyjnë në devocion dhe në rritje gjithmonë e më shumë në virtyte dhe hir, që shembulli i personave të shthurrur dhe të pabesë të mos na pengojë në rrugën tonë.

Oh, çfarë zjarri që kishin besimtarët në fillim të jetëve të tyre në besim, çfarë përkushtimi në lutje, çfarë zelli për virtytet, çfarë dashurie për disiplinat shpirtërore; dhe çfarë nderimi dhe bindje e përulur lulëzoi midis tyre nën udhëheqjen e Zotit të tyre. Në fakt, veprat e tyre akoma dëshmojnë që ata, të cilët hoqën dorë nga kjo botë duke e nënshtruar atë nën këmbë, ishin të shenjtë dhe të përsosur.

Në ditët e sotme virtuoz është ai njeri që nuk është shkelës dhe i cili me durim mund të mbajë një shkëndijë të vogël të atij virtyti dhe atij zjarri që kishte në fillim. Mjerisht, për shkak të përtacisë dhe neglizhencës sonë, dhe përmes humbjes së kohës, kemi rënë nga zjarri i parë në një dobësi shpirtërore dhe shurdhëri e cila e bën këtë jetë të mërzitshme. Do të doja që dëshira për të përfituar këto virtyte të mos jetë e vakur në ne, që kemi parë shembullin e shenjtorëve të bekuar.

 

Burimi: William G. Placher, Callings: Twenty Centuries of Christian Wisdom On Vocation (Grand Rapids, Mich.: W.B. Eerdmans Pub. Co., 2005), 196-201.

Përktheu per Unë Besoj: Ana Llakaj.

[1] Tomas A Kempis (rreth 1380-1471), jetoi në Gjermani dhe Hollandë dhe u arsimua në një nga shkollat e “Vëllezër të Jetës së Përbashkët”. Ai u ndikua në formimin e tij nga Devotio Moderna ose “Devotshmëria e Re” me theksin në devotshmërinë e thjeshtë dhe mosbesimin ndaj teologjisë komplekse. Tomas konsiderohet si autor i veprës “Imitimi i Krishtit”, një nga tekstet më të admiruara shpirtërore të krishtera. (Ky shkrim ështe një fragment nga libri i tij).