Rrëfimet e Shpirtit

0
130

Aurel Agustini i Hipos, i njohur gjerësisht si Shën Agustini, është një ndër klasikët më të famshëm. Ai lindi me 13 nëntor të vitit 354 në Tagaste (në Ahra të Algjerisë së sotme). Ai ishte një nxënës i shkëlqyer i retorikës dhe njihte mjaft mirë shkollat e mendimit të kohës përfshirë epikrianët,stoikët,skeptikët dhe platonikët.

Veprat e tij më të njohura janë “Rrëfimet” (397-401), “Qyteti i Zotit” ( 413-427), “Psalmet e Doktrinës së Krishterë”( 396),“Mbi Trininë”(399-422).

Për kontributin e tij në filozofi, teologji dhe letërsi Agustini mbahet si një nga mendjet më brilante në gjerdanin e klasikëve botërorë.

Padyshim “Rrëfimet” është libri më i njohur, ku autori përshkruan jetën e tij që fëmijë, adoleshent pasionant, student i jashtëzakonshëm, orator mbresëlënës, arrogant dhe i dhënë pas epsheve, deri te ndryshimi radikal i jetës së tij në moshën 31 vjeçare.

Më poshtë kemi shkëputur pjesë nga ky libër, me të cilin autori shpesh është cilësuar si pararendësi i autobiografisë moderne. “Rrëfimet” e Shën Agustinit na bëjnë të mendojmë për përkohshmërinë tonë, por edhe për përjetësinë.

 

Në parathënien e librit Dr. Moikom Zeqo thekson: “Agustini është botëhapës, një nga krijuesit më me ndikim në letërsinë botërore, i papërsëritshëm dhe i patjetërsueshëm. Ai e bëri sinqeritetin kryeinstitucion të shpirtit”.

 

Pjesë të zgjedhuara nga “Rrëfimet”.

“Çfarë je, pra, Zoti im? Kurrë ndonjëherë i ri dhe kurrë ndonjëherë i vjetër; çdo gjë e rinon, si dhe i plak kryelartët që nuk të vënë re.”

“Ti je gjithmonë në veprim, gjithmonë në qetësi, paqe në nevojë. Ti mbledh, mbështet, plotëson, mbron, krijon, ushqen dhe përfundon; Ti je kërkues që nuk të mungon asgjë. Ti dashuron e nuk turbullohesh, je xheloz e i patundur, Ti pendohesh dhe nuk të vret ndërgjegjja, Ti tërbohesh dhe qëndron i qetë, ndryshon veprat, por jo mendimin; e merr atë që gjen pa e humbur kurrë…”

“Ti bën çmos për të na bërë borxhlinj te Ti. Megjithatë, kush është ai që ka një gjë të vetme, e cila nuk të takon Ty?!…”

 “Ti je në shkallën më të lartë. Nuk ndryshon.Tek ti e sotmja nuk ka fund….”

“Kështu Ti, nga ai që nuk bënte mirë, nxirrje ndonjë të mirë për mua, ndërsa vuajtja ime e vërtetë ishte vetja ime që mëkatonte…”

“E ngushtë është shtëpia e shpirtit tim, që Ti të vish tek ajo…”

“Shikoje të gjithë këtë, Perëndi, me shpirtbutësi dhe na shpëto ne që të drejtohemi tani! Shpëto edhe atë që nuk të drejtohet Ty, me qëllim që të drejtohet dhe të shpëtohet!”

“Po kujt po ia tregoj të gjitha këto? Jo, Jo Ty, Zoti im, por në praninë tënde unë ia tregoj gjinisë njerëzore, gjinisë që është e imja, sado e vogël që të jetë pjesa e asaj që do të haset me këto faqet e mia. Po me çfarë qëllimi? Që unë vetë dhe kushdo që më lexon ta shohë se nga ç`thellësi duhet të të lartësojë Ty thirrja jonë. Megjithatë, çfarë është më afër veshit tënd, sesa një shpirt që Të njeh e Të pranon, një qenie që Të beson?!”

“Unë isha ndër të parët e shkollës së gojëtarisë dhe isha krenar për këtë. Fryhesha si këndes, edhe pse isha shumë më i qetë, -o Perëndi, Ti e di, – dhe krejtësisht i huaj ndaj zhurmës së “turbulluesve”. Po, kjo nofkë e keqe dhe djallëzore është si një patentë snobizmi me të cilën unë jetoja.”

“Merre dhe lexo! Merre dhe lexo!” Menjëherë ndryshova në fytyrë dhe u përqëndrova në një përpjekje të jashtëzakonshme për të kujtuar nëse në ndonjë prej lojërave të fëmijëve kishte ndonjë ninullë si ajo, por nuk më binte ndërmend ta kisha dëgjuar ndonjëherë një gjë të tillë. Atëherë e mbyta vajtimin tim dhe u ngrita në këmbë. Urdhri hyjnor, u ftillova unë me mend, nuk ishte gjë tjetër veçse të hapja një libër dhe të lexoja kryeradhën e parë që do të gjeja. Kisha marrë vesh për Antonin, i cili, duke u ndodhur rastësisht gjatë një leximi të Ungjillit, vetvetiu ndjeu ta thërrisnin te Ti. Ai zë hyjnor e kishte bindur menjëherë të kthehej në besimin tënd. U ktheva me ngazëllim të madh në vendin ku ishte ulur Alipi: në të vërtetë atje ishte vendi ku kisha lënë librin e Apostullit, kur u ngrita. E mora, e hapa dhe në heshtje lexova pjesën që më zunë rastësisht sytë: “Mjaft më me shthurje dhe zdërhallje, me dyshekë dhe epshe, me grindje dhe smira, por bëhuni me Jezu Krishtin dhe mos pyesni për trupin dhe dëshirat e tij!”.Nuk desha të lexoja më shumë. As që ishte nevoja. Me fjalët e fundit të kësaj fjalie një dritë, si për të më qetësuar, m`u ndez në shpirt dhe përzuri që andej atë errësirë të dendur gjithë dyshime.”

 

Pjesë të shkëputura nga faqja 17-201 (Shën Agustini “Rrëfimet”, përkthimi Çlirim Mukli) Shtëpia Botuese “Plejad”.

P.s: Nëse nuk e keni lexuar ende…ia vlen të nxitoni. Leximi nuk do të jetë i lehtë, por edhe përfitimi nuk do jetë i pakët.

 

Përgatiti: Agustin Prenga