Pse ekzistojnë katër UNGJIJ?

0
266

Nga Dr.Trent Hyatt,

Ph.D. Universitaet Basel
Instituti për Studime Biblike dhe Teologjike 
Europa Lindore dhe Rusia

Në fakt, fakti që kemi katër Ungjij e jo vetëm një na e shton sigurinë për historinë e jetës së Jezusit, veprave, fjalëve dhe ringjalljes së Tij. Fakti që kemi pikëpamjet e katër autorëve të ndryshëm të cilët shprehin gjëra që kanë të bëjnë me jetën e Jezusit shton gjallërinë dhe qartësinë e detajeve që kemi për këtë person historik.

Ungjilli, mesazhi i Krishtit, u predikua në zonën e detit Mesdhe dhe në kulturat e ndryshme të zonës shumë shpejt pas vdekjes dhe ringjalljes së Tij.

Secili prej këtyre ungjijve po shkruhej për t’iu përgjigjur nevojave të një kulture të caktuar. Për shembull, Ungjilli i Markut, i cili konsiderohet prej shumë studiuesve si ungjilli i parë i shkruar, u shkrua për romakët. Ai regjistron predikimet e apostullit Pjetër, pra i njërit nga rrethi i brendshëm i dymbëdhjetë dishepujve të Jezusit.

Nuk është plotësisht e sigurt se cili ungjill u shkrua i pari, por shumica e studiuesve mendojnë se ishte Ungjilli i Markut. Megjithatë, e sigurt është se i pari nuk ishte Mateu. Marku përbëhej nga predikimet e apostullit Pjetër, një prej të dymbëdhjetëve nga rrethi i brendshëm.

Ungjilli i Mateut u shkrua nga apostulli Mate, një prej të dymbëdhjetëve. Ai u shkrua për t’iu përgjigjur nevojës së hebrenjve për të ditur se si e plotëson Jezusi profecinë e Dhiatës së Vjetër për ardhjen e Mesias. Disa njerëz mendojnë madje se Mateu u shkrua fillimisht në gjuhën aramaike e më pas u përkthye në greqisht. Kjo është e mundur, por jo e sigurt.

Ungjilli i tretë, ai i Lukës, u shkrua nga një i njohur i afërt dhe bashkëpunëtor i apostullit Pal. Luka përbën interes të veçantë, sepse na jep një përshkrim se si e nisi kërkimin e tij historik.

Me lejoni t’ju lexoj nga vargjet hyrëse të Ungjillit të Lukës:

“Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, m’u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t`i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil, që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.”

Pra, siç e shihni, Luka thekson imtësinë e kërkimit të tij dhe kujdesin që tregoi në shkrimin e Ungjillit të tij. Megjithatë, në vitet e para të shekullit të njëzet, një arkeolog i famshëm dhe shkencëtar historik, që ishte skeptik ndaj Ungjillit të Lukës dhe librit të Veprave të Apostujve, nisi një studim të gjerë të shkrimeve të Lukës për të parë sa i gabuar e sa i pasaktë mund të ishte pjesa më e madhe e shkrimeve të tij. Por, rezultatet e kërkimit e detyruan atë të pranonte të kundërtën.

Më lejoni t’ju lexoj nga fjalët e këtij njeriu, Sër William Ramsay, që thotë për Ungjillin e Lukës:

“Fjalët e Lukës mund t’i ngjeshni në një nivel përtej çdo historiani tjetër, dhe ato do t’i qëndrojnë zhbirimit më të imët dhe trajtimit më të ashpër.”

Në fakt, Ramsay tha më tej se “historia e Lukës nuk ka shoqe për sa i përket besueshmërisë së saj dhe se Luka ishte një historian i rangut të parë. Jo vetëm janë të besueshme deklaratat e tij, por ky autor duhet vënë në të njëjtën katedër me historianët më të mëdhenj.

Këto përfundime i arriti një njeri që në fakt ishte skeptik, jo i krishterë, e që nuk besonte në besueshmërinë historike të Lukës dhe shkrimeve të tij, që janë ungjilli i tij dhe Veprat e Apostujve. Por kërkimi që bëri e detyroi atë të arrinte në përfundimin e kundërt, se në fakt Luka ishte tej mase i kujdesshëm e i saktë në pamjen që dha për historinë e Jezusit dhe apostujve.

Në fund, ungjilli i katërt, Ungjilli i Gjonit, i cili u shkrua nga një prej të dymbëdhjetëve. Në fakt, Gjoni ishte pjesë e rrethit të brendshëm të tre dishepujve më domethënës të afërt me Jezusin: Pjetri, Jakobi dhe Gjoni. Gjoni shkroi më vonë se shkrimtarët e tjerë të ungjijve, por shkroi për një publik botëror, me shumë pjesë që nuk ishin përfshirë në ungjijtë e tjerë, gjëra që ai i dinte si pasojë e afërsisë me Jezusin. Kështu kemi një pamje të brendshme më të madhe të mësimeve të Jezusit për Veten e Tij dhe për marrëdhënien e Tij me Perëndinë Atë, më shumë nga ç’na jepet nga tre ungjijtë e tjerë.

Pra, a e minon ose zvogëlon sigurinë tonë në vërtetësinë e informacionit që kemi për Jezusin fakti që kemi katër ungjij e jo vetëm një? E kundërta është e vërtetë. Fakti që kemi katër ungjij na e shtojnë sigurinë, sepse këta katër shkrimtarë plotësojnë njëri-tjetrin, japin detaje që mund të mos jenë përfshirë te ndonjëri prej tyre. Ato mbivendosen me raste e, për pasojë, ne kemi një pamje më të plotë e më të detajuar, e kështu kemi më shumë siguri se pamja që na japin, gjërat që lexojmë në këto katër ungjij, është një pamje e saktë e personit më të madh që ka jetuar ndonjëherë në histori.

Sigurisht, çdo libër i Biblës është shkruar nga njerëzit. Megjithatë, Perëndia flet përmes njerëzve kur thërret profetë të shpallin mesazhin e Tij. Kështu, shkrimet që gjejmë në ungjij janë të kësaj natyre. Ato ishin mesazhe të Perëndisë për njerëzit, përmes apostujve që ishin ndjekësit e afërt të Jezusit, dhe përmes personave që shoqëronin apostujt.

Kjo nuk paraqet asnjë pengesë ndaj vlerësimit të këtyre shkrimeve si të frymëzuara nga Perëndia. Përkundrazi, fakti që secili prej tyre kishte një marrëdhënie personale me Krishtin, me Jezusin historik, dhe që shkroi për Të nga përvoja me Të na jep edhe më shumë siguri se gjërat që shkruan janë një pamje e saktë e këtij njeriu që, në fakt, ishte Perëndia i mishëruar njeri, personi më i madh që ka jetuar ndonjëherë.

 

Përktheu për unëbesoj.org: Brunilda Rustani