Vepra e pickimit tënd, o Hades,
Për shpirtin u bë ëmbëlsirë.
Të Premten që shpalle “të zezë”
E Diela e ktheu “të mirë”
Fitoren e rreme festove
Kur brohorite “Biri u mbyt!”
Gjetsemaninë që ngrite si trofe
Tani e ke lak në fyt.
“E mbylla të Vërtetën në varr!”
Nise këndimin plotë krenari,
Por nëntoka e nxorri të gjallë
Ndaj kënga t’u kthye në zi.
Si iku mençuria nga ty?
Kur t’u bë marrëzia ves?
A nuk e dije se për të mbirë një farë,
I duhet më parë të vdesë?
Ky është basti yt i dështuar
Me Shumëfishuesin s’u mate dot,
T’dha jetën e vet pa ngurruar
Për të t’marrë me mijëra sot.
O Vdekje, ku është gjëmba jote?
E Premtja nuk ishte epilog
Në këtë histori.
E Diela përherë do t’dëshmojë
Se të fundit qeshje mbi ne
nuk e ke më ti.
K. Serjani
Mars 2018