A nuk është Trinia kundërshti?

0
28

Miq, këto janë fjalë të sigurta, fjalë sipas të cilave të modeloni jetën. Do t’i kërkoj Ravit të flasë për temën “A nuk është Trinia kundërshtim?” Po flasim për pyetje që i janë bërë atij nga studentë këtu në Amerikë. Kjo mund të jetë një pyetje të cilën edhe ju do të donit që Ravi t’i përgjigjej. Ravi, ja pyetja. Një student pyet: “Çfarë mund të thoni për ligjin e moskundërshtisë? Unë mendoj se krishterimi, në themel të tij, shkel doktrinën e moskundërshtisë. Doktrina e krishterë që thotë se Perëndia është Trini deklaron se Ai është edhe një, edhe tre. A nuk po shkelin të krishterët ligjin e moskundërshtisë?”

RZ: Pyetje e mirë. Mendoj se ne të krishterët mendojmë shumë për të, e sidomos ata që janë nga Lindja e Mesme. Për mendjen e myslimanëve, kjo është një enigmë e vërtetë. Ata mendojnë se ne jemi politeistë, ndërsa në perëndim kjo ngrihet si çështje e shkeljes së ligjit të moskundërshtisë. Dy-tri gjëra janë të rëndësishme si informacion bazë në mënyrë që dëgjuesi të kuptojë. E para është kjo: Thoma Akuini është shumë i saktë në çfarë ka thënë për të folurin për Perëndinë, për përdorimin e gjuhës kur flasim për Të. Ai tha se gjuha mund të përdoret në tri mënyra: univoke (me një kuptim), ekuivoke (e dykuptimtë) ose analogjike. Mënyra ekuivoke do të thotë përdorimi i të njëjtës fjalë në dy fjali të ndryshme për të nënkuptuar të njëjtën gjë. Pra, nëse them “Unë të dua” dhe “Të gjithë miqtë e tu të duan”, ti menjëherë kupton të njëjtën gjë nga e njëjta fjalë. Por pastaj kemi dykuptimësi, kur them “Unë të dua, Xhon” dhe “Edhe Perëndia të do”. Kam përdorur të njëjtën fjalë, por papritur ti kupton se ka ndryshim mes domethënieve, sepse ka ndryshim mes dashurisë së Perëndisë dhe dashurisë sime. Ti mund të mendosh se çfarë dobie ka të dish se kemi të bëjmë me një rast dykuptimësie nga përdorimi i së njëjtës fjalë. Akuini ka thënë se kemi edhe përdorimin analogjik, me të cilin nënkuptojmë përdorimin e gjuhës për Perëndinë. Pra, nëse unë them se të dua por ti refuzon të më duash, unë do të vuaj, sepse kam humbur diçka. Por nëse them se Perëndia të do dhe ti refuzon ta duash Atë, edhe Perëndia do të vuajë. Veçse Perëndia vuan për arsye ndryshe nga të miat. Unë vuaj sepse kam humbur diçka, ndërsa Perëndia vuan sepse ti ke humbur diçka. Përdorimi analogjik ngre gjithë çështjen e Perëndisë. Prandaj Akuini thotë se Perëndia shpesh është më shumë pyetje se përgjigje për sa i përket të kuptuarit të Tij. Ja çfarë do të thosha unë: kur flasim për Trininë, nënkuptojmë se Ai është një në një kuptim dhe tre në një kuptim tjetër. Ai nuk është edhe një, edhe tre në të njëjtin kuptim. Pse e them këtë? Perëndia nuk është sasi apo njësi fizike. Ne jemi qenie fizike dhe flasim për kuptimin e njëshit dhe treshit në mënyrë fizike. Perëndia në thelb është qenie frymore. Për sa i përket të folurit për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë, C.S. Lewis shprehet se, nëse kemi një dimension, mund të kemi një vizë. Me dy dimensione, kemi figura. Me tri dimensione, kemi objekte. Ai thotë se sa më lart të ngrihemi në kapacitetin e dimensioneve tona, informacioni që kemi mbetet i njëjtë në bazë, por në mënyrë më të ndërlikuar, sipas ngritjes në çdo dimension. Perëndia nuk është në dimensionin e kufizuar ku jemi ne. Ai është qenie e pafundme. Dishepujt ishin peshkatarë dhe e dinin se një peshk e tre peshq nuk janë e njëjta gjë. Ata mund të dallonin ndryshimin nga ana sasiore. Por kur u përballën me të vërtetën e Trinisë, Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë (ku Ati dërgon Birin, Ati dhe Biri dërgojnë Frymën e Shenjtë), ata e kuptuan kompleksitetin e kësaj të vërtete ashtu siç ishte: Perëndia është qenie në marrëdhënie. Unë mendoj se kjo është pika kyçe. Ai është qenie në marrëdhënie. Le t’i kthehemi tani nocionit abstrakt të njëshit dhe treshit. Çështja më e madhe që kanë ndjekur filozofët grekë ishte gjetja e unitetit në diversitet. Unitetin ata e shihnin si çështje për t’u ndjekur, ndërsa diversitetin si realitet. Për këtë arsye i krijuan universitetet, për të gjetur unitet në diversitet. Për këtë arsye u krijua edhe Amerika, “in pluribus unum”, “nga shumë një”. Por ajo që nuk mund ta gjenin në arsim ishte ndjekja e unitetit në diversitet, sepse uniteti dhe diversiteti gjeten në çështjen e parë, uniteti dhe diversiteti në bashkësinë e Trinisë. Perëndia është qenie në marrëdhënie. Prandaj edhe ne e dëshirojmë shumë marrëdhënien. Kjo dëshirë është e mbjellë brenda nesh, qoftë kjo marrëdhënie mes bashkëshortësh, miqsh, prindërish e fëmijësh. Të gjitha këto janë realitete. Ndaj do të thosha se, po të mos ishte Perëndia qenie në marrëdhënie, çfarë kuptimi do të kishte të themi se Perëndia është dashuri? Apo të themi Perëndia ka folur? Kujt po i flet? Kë po do? Ai do të përfundonte kështu në një monadë (njësi të vetme) me nevojën për një rend të krijuar për të qenë në gjendje të shprehë dashuri e komunikim. Unë besoj se duhet ta lëmë siç ka thënë filozofi amerikan Mortimer Adler: “Në misterin dhe madhështinë e kompleksitetit të Perëndisë, se Ai është qenie në marrëdhënie e që na do, dhe se brenda kësaj qenieje ekziston një realitet hierarkik që është po ashtu një aspekt i vërtetë. Për mua, Trinia nuk është vetëm një përgjigje e bukur. Unë mendoj se ajo është shpjegimi më i mirë i çështjes më të madhe të ndjekur ndonjëherë nga filozofët dhe përvoja.”