Noah Osborne: “Ja përse është i fuqishëm Ungjilli!”

0
42

Përshëndetje! Emri im është Noah Osborne dhe kjo është historia ime.

Ngjarja që ka patur ndikimin më të madh në jetën time, në lidhje me besimin tim, ka qenë kur prindërit e mi vendosën të adoptonin një fëmijë tjetër.

Kur unë isha 7 vjeç prindërit e mi adoptuan një djalë të vogël nga Haiti. Kjo ngjarje e ktheu përmbys botën tonë të deriatëhershme. Kjo ngjarje na afroi më shumë si familje dhe gjithashtu na afroi më shumë me Zotin, sepse ishte me të vërtetë shumë e vështirë për vëllain tim, Jakobin; ishte e vështirë për mua; ishte e vështirë për motrën time më të madhe, Greisin. Kjo sepse ne duhet të donim një person i cili nuk e kishte aftësinë të na përgjigjej me të njëjtën dashuri. Ai kishte patur kaq shumë traumë në jetën e tij të shkurtër në Haiti, saqë nuk arrinte të përthithte aspak nga gjithë ajo dashuri aq e madhe me të cilin po e rrethonim ne.

Tani ai është dhjetë vjeç. Kur erdhi në shtëpinë tonë ishte një vit e gjysmë, pra ka qenë me ne për gati tetë vjet e gjysmë. Tani ai është i mbushur plot e përplot me dashuri dhe kjo është çmenduri. Personaliteti i tij ka ndryshuar katërcipërisht.

Kjo ngjarje më tregon mua natyrën e Perëndisë. Ai është i aftë të na marrë ne, vëllain tim të vogël, mua, apo njerëzit që nuk janë në gjendje të duan dhe t’i ndryshojë plotësisht.

Kur unë isha 14 vjeç, prindërit e mi adoptuan motrën time të vogël. Procesi i adoptimit të saj ishte krejt ndryshe. Ajo kishte patur një person që ishte kujdesur për të gjithë jetën. Arsyeja përse u dha për adoptim ishte se prindërit e saj nuk kishin mundësi të kujdeseshin për të, pra historia e saj ishte më pak dramatike. Tranzicioni i saj në familjen tonë ishte shumë më i lehtë.

Në jetën time pjesa më e rëndësishme është varësia te Zoti, dhe arsyeja përse varem te Ai nuk është se kam frikë mos thyej krahët nëse nuk e bëj apo se mos vdes, por është më shumë për shkak të mbrojtjes shpirtërore. Unë jam i mbrojtur nga dashuria e Perëndisë, kam paqen e Tij, dashurinë e Tij, gëzimin e Tij. Nëse nuk mbështetem te Zoti, atëhere po mbështetem te forcat e mia dhe kjo nuk është e mjaftueshme për të qenë mirë. Mendoj se askush nuk është mjaft mirë vetvetiu! Ja përse është kaq i fuqishëm mesazhi i Ungjillit, Jezusi vdiq në kryq që ne të mund të kishim dashurinë e Tij, gëzimin dhe paqen e Tij.

Megjithëse jam një ndjekës i Krishtit, derisa erdha ne Shkollën Valor unë mbështetesha plotësisht te prindërit dhe motrat e vëllai im. Prandaj një pjesë e mirë e dëshmisë sime flet për ta. Kjo kishte pjesën e vet të mirë, sepse ne kujdeseshim e ndihmonim njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë nuk ishte e mirë sepse nuk isha aspak i pavarur dhe nuk po e ndiqja Zotin. Kur jemi të zënë me shumë gjëra, është e lehtë të largohemi nga Zoti, por është zgjedhja jonë ta ndjekim Atë. Prandaj, kur unë zgjedh të kaloj kohë duke lexuar Fjalën e Zotit, të lutem dhe ta ftoj Atë në jetën time, atëhere unë kam paqe. Gjërat që ndodhin nuk i lëkundin më themelet e mia siç e bëjnë kur nuk mbështetem tek Ai.

Vitin e kaluar unë erdha në Shkollën ‘Valor’ dhe u bashkova me grupin ‘Zëri i Valorit’. Ky është një grup njerëzish të mahnitshëm. Ne nuk ngjitemi në skenë për të marrë duartrokitjet, por për të reflektuar imazhin e Perëndisë, sepse Ai është në gjendje të shkëlqejë përmes nesh.

‘Valori’ më ka mësuar diçka të rëndësishme…sepse ne në familje pëlqejmë të performojmë, na pëlqen kamera, na pëlqen vëmendja, gjithçka që ka lidhje me shfaqjet…por pjesëmarrja në performancat e Valorit, pjesëmarrja në këtë komunitet njerëzish të mrekullueshëm, ku të gjithë mësuesit dhe pjesa më e madhe e nxënësve e ndjekin Zotin besnikërisht, më ka shkundur duke më bërë që të mos shoh më si më sheh audienca, por të shoh si më sheh Zoti. Ardhja në Shqipëri ka qenë një dhuratë për mua, sepse pata mundësinë t’ju takoj ju shqiptarëve, njerëz të mrekullueshëm. Energjia juaj, dashuria juaj për amerikanët është e mahnitshme…ju jeni njerëz shumë të dashur! Unë pata mundësinë të reflektoj sadopak dashurinë e Perëndisë për të gjithë ju dhe ju po bëni të njëjtën gjë për ne.

Përktheu për Unë Besoj: Ana Llakaj