Ngushëlluesi i zemrës sime

0
29
Po kalonte një virozë shumë të rëndë, tetëvjecari im. Po më dhimbte shpirti tek e shihja të rënkonte nga dhimbjet e barkut për ditë me rradhë. “Oh shpirti i mamit-shprehje qe iu bezdis edhe atij, – O ma , po ti vetëm kështu thua, a nuk të vjen keq për mua?” Kur i thosha se më vjen shumë keq, sikur i pushonte dhimbja dhe qetësohej. Ngushëllohej.

A nuk jemi dhe ne të rriturrit si fëmijët ? Kur kemi dikë që na ngushëllon, dhimbja bëhet e përballueshme. Por kush mund ta ngushëllojë zemrën time?

Pse jam krijuar me këtë nevojë? Pse nuk jam i vetëmjaftueshëm? A është kjo një betejë vetëm e njerëzve të dobët? Arti, historia, intuita, eksperienca jonë, të gjitha na thonë të kundërtën. Çdo njeri ka nevojë për një ngushëllues, një përkrahës, një mik, një mbrojtës, një fuqizues,një dashamirës!

Jezusi tha : “Unë do ti kërkoj Atit t’ju japë një ngushëllues tjetër që të jetë përherë me ju, Shpirtin e së Vërtetës“Gjoni14:16

Secili prej nesh ka mundësi që duke iu afruar Perëndisë me anë të besimit, të ketë një ngushëllues, të marrë Shpirtin e së Vërtetës. Bibla na tregon që të gjithë ata që besojnë në Birin e Perëndise, vulosen me Shpirtin e Shenjtë, Frymën e Perëndisë. Bibla e quan atë si një kapar të paradhënë, për të na siguruar ne se një ditë Jezusi do të vijë e do ta shpengojë plotësisht, edhe trupërisht nga kjo botë e pangushëllueshme.

Por derisa ajo ditë të vijë, Fryma e Perëndisë, Ai, ngushëlluesi është me ne për të mos i lënë zemrat tona të ligështohen. Nëse akoma nuk e ke bërë Jezusin Zot të jetës tënde, ndalo sot dhe ftoje atë dhe merr si dhurratë ngushëlluesin e zemrës tënde, Shpirtin e të Vërtetës që do të jetë përherë me ty.

Nëse Jezusi është tashmë Zot i jetës tënde, mos jeto në varfëri shpirtërore. Ti je shumë i pasur shpirtërisht. Fryma e Perëndisë është në ty dhe e gatshme për të të dëgjuar ngushëlluar, forcuar në të gjitha mundimet e kësaj jete.

Mos e kërko tek njerëzit atë që vetëm Perëndia mund të ta jape.
Ai ka kohë, në çdo kohë për të dëgjuar; shko dhe derdhe zemrën para Tij.
Ai nuk ka halle per vete si miqtë tanë që kur ti të fillosh të flasësh ai t’ia fillojë me të vetat.
Ai u mundua në mish me të gjitha vuajtjet, provoi ankthin dhe vdekjen; ai mund të të mirëkuptojë ty plotësisht.

Tregoji atij si ndihesh, ngushëlluesit të zemrës tënde!

Nga Danjela Serjani