Nga ta di se jam i shpëtuar?

0
63

 

Nga Dr.Sean McDowell

Si mund të jem i sigurt për parajsën? Ndoshta mund ta keni menduar kështu këtë çështje: “Si mund të jem i sigurt a jam apo jo i shpëtuar?” Kjo është një pyetje e rëndësishme, sepse realiteti është që kemi pyetje e dyshime e ndonjëherë edhe mëkatojmë, gjë që natyrshëm na bën ta vëmë në pikëpyetje sigurinë që mund të kemi në lidhje me çfarë besojmë për Perëndinë.

Duke pasur parasysh rëndësinë e gjërave që përfshin kjo pyetje, duam që ta kuptojmë drejt. Ajo që kam vënë re unë është se kur përqendrohem te pyetjet e mia, te përvoja ime, prirem të humbas sigurinë që mund të kem. Ndaj, më lejoni ta trajtoj ndryshe këtë çështje. Në vend që të përqendrohemi te përvoja jonë, le ta shohim çështjen e parajsës dhe shpëtimit nga pikëpamja e Perëndisë.

Te 1 Gjonit 5:13 thuhet se mund ta dimë se kemi jetën e përjetshme. Mund ta dimë! Por si mund ta dimë se po shkojmë në parajsë? Përgjigja e kësaj është në faktin se ajo që e bën të veçantë krishterimin është se ne nuk bazohemi te përpjekjet tona. Çdo fe tjetër në botë, cilado të jetë, bazohet në veprat tuaja, përpjekjet tuaja për të fituar shpëtimin. Kështu pyetja që mbetet është gjithmonë a kam bërë mjaftueshëm, a kam besuar sa duhet? Por krishterimi thotë “Jo, kjo nuk varet nga përpjekjet e tua.”

Ne thjesht duhet të lëmë pas mëkatin e të pranojmë si dhuratë falas atë që Perëndia ka bërë për ne përmes Birit të Tij Jezus Krishtit. Ne mund ta dimë se kemi shpëtimin, sepse Jezusi, që ishte Perëndia në mish njeriu, e pagoi borxhin tonë. Pra, kur ju mundojnë pyetjet “Si mund të jem i sigurt për parajsën?”, “Si mund ta di se kam shpëtimin?”, përqendrohuni tek Kush është Krishti, te çmimi që Ai pagoi. Mendoj se edhe ju do të zbuloni se ne mund të kemi dijen dhe sigurinë e shpëtimit tonë; jo për shkak të ndonjë gjëje që kemi bërë ne, por për shkak të çfarë Perëndia ka bërë për ne.

 

Përktheu: Brunilda Rustani

Burimi. SeanMcDowell.com