Në pritje të një pëshpëritjeje

0
61

Elia ishte i lodhur. Ai ishte treguar besnik dhe i bindur, duke punuar pa pushim për t’i shërbyer Zotit të tij. Por mesa dukej ai kishte punuar më kot; Izraelitët vazhduan ta refuzonin edhe Zotin, edhe profetin. Në mes të dëshpërimit më të errët të Elias, Zoti e shfaqi veten për ta forcuar dhe udhëzuar shërbëtorin e vet shpirttrazuar. Lart përmbi mal filloi një erë e furishme, një tërmet shkatërrues dhe një zjarr rrënues. Këta elementë të fuqishëm nuk kishin asnjë gjë për t’i ofruar njerëzimit të brishtë.

Kurse zbulesa e Zotit erdhi përmes një pëshpëritjeje të ëmbël. Përballja me një qetësi të tillë trazoi thellë shpirtin e Elias, duke e forcuar atë në mënyrë që të vazhdonte shërbimin e tij. Zoti është i palodhur. Ai është i pandryshueshëm dhe i përjetshëm. Ai nuk e ka ndryshuar kursin e misionit të Tij që nga koha kur foli dhe solli dritën në ekzistencë. Fjala e Tij e gjallë, edhe kur pëshpëritet mbart në vetvete fuqinë e jetës dhe vdekjes.

Sa shpesh e gjejmë veten në gjendjen e Elias, në kulmin e kaosit, me shqisat të acaruara dhe mishin të dobësuar?! Në mes të fatkeqësisë ne dëshirojmë me dëshpërim qetësinë dhe Perëndia ynë i pandryshueshëm qëndron i pranishëm dhe gati për të na ofruar Vetveten. Ndërsa na ndjek me dashurinë e Tij, Ai na bën të njëjtën pyetje që i bëri edhe Elias: “Çfarë po bën ti këtu?”. Ne duhet vetëm të rrimë në heshtje dhe të pranojmë që Ai është Perëndi.

Ndërsa i afrohemi këtij sezoni festimesh, ne reflektojmë mbi Shpëtimtarin tonë modest. Perëndia e dërgoi Birin e Tij si një pëshpërimë; një foshnjë mbështjellë me lecka, një shërbëtor që gjunjëzohet për të larë këmbët, një mik për fëmijët dhe një i refuzuar nga shoqëria. Aspak bujë! Asnjë ceremoni! Përkundrazi, Ai për një farë kohe hoqi dorë nga plotësia e fuqisë së Tij dhe në mëshirë dhe hir na ofroi një ftesë të ëmbël për të na marrë në praninë e Tij dhe për t’u ulur në këmbët e Tij.

Princi i Paqes nuk e bën të njohur veten në përpjekjet, luftrat apo tensionin tonë. Përkundrazi, ndërsa ne pranojmë në heshtje të përthyejmë gjunjët tanë dhe të përqafojmë qetësinë, Krijuesi i qiellit dhe Tokës na përgjigjet me fjalë jete dhe jetë në plotësi. Lutem që ne, në këtë sezon festimi të ardhjes së Tij, do të gjejmë kohë të tërhiqemi mënjanë nga zhurma. Lutem që do arratisemi nga kërkesat pa fund, listat dhe aktivitetet.

Le të prehemi në praninë e Atit tonë të dashur, të kënaqemi në shpëtimin e marrë nga Çlirimtari ynë dhe të mirëpresim përshpëritjen e Frymës ndërsa dëshmon për trashëgiminë tonë si bij dhe bija të Perëndisë së gjallë.

Judy Lynch

Këshilltare e Pranimeve në Seminarin e Denverit, Kampusi i Teksasit Perëndimor.

Përktheu per Unë Besoj: Ana Llakaj.