A mundet një Zot i dashur të dërgojë dikë në ferr?

0
29

 

Nga Dr. Luis Markos

Megjithëse teologët kanë debatuar për dekada të tëra nëse përshkrimet e parajsës janë të drejtpërdrejta apo figurative, ka një gjë që Bibla e bën të qartë: ajo që parajsa premton, pavarësisht sesi duket, është lavdia e të jetuarit në prezencën direkte të Perëndisë.

Ferri gjithashtu, pavarësisht si do të duket, pavarësisht nëse zjarri dhe errësira janë tortura fizike apo psikologjike, do të thotë të hidhesh përjetësisht jashtë prezencës së Zotit. Një nga shumë arsyet pse ferri është një koncept kaq i vështirë, është se shumë prej nesh (duke përfshirë edhe veten), kemi tendencën të mendojmë për parajsën dhe ferrin me anë të një analogjie jo të saktë!

Ne mendojmë se jeta është si universiteti. Nëse marrim notën 10 në këtë “universitet”, ne shkojmë në Parajsë; nëse marrim notën 4, ne shkojmë në ferr. Një skenar i tillë është i padrejtë për mendjen tonë moderne, një dhunim i bindjes sonë të fortmbështetur që “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”. Po sikur të ketë dy universitete: një universitet të parajsës dhe një universitet të ferrit? Po sikur, ata që shkojnë në universitetin e parë të duan të diplomohen në Zotin, ndërsa ata që shkojnë në universitetin e dytë, të duan të diplomohen në veten e tyre? Dhe, po sikur Zoti, nga dashuria që ka për ne dhe për lirinë tonë, të na lërë të zgjedhim se cilin universitet duam të ndjekim?

C.S. Luis në librin e tij “ Problemi i vuajtjes”, i sfidon lexuesit e tij të shqyrtojnë shëmbëlltyrën e dhive dhe deleve! Në këtë shëmbëlltyrë, “delet”, duke përfaqësuar ata që kanë treguar dhembshuri ndaj të tjerëve gjatë jetës së tyre, ftohen në parajsë, ndërsa “dhitë” që nuk treguan dhembshuri në këtë jetë, hidhen në zjarrin e përjetshëm, në ferr. Pastaj Jezusi pohon haptazi që zjarri i përjetshëm u përgatit për djallin dhe ëngjëjt e tij. C.S. Luis vë në dukje që në këtë shëmbëlltyrë, “të shpëtuarit shkojnë në një vend që u përgatit për ta, ndërsa të mallkuarit, shkojnë në një vend që nuk ishte bërë kurrë për njerëzit”. Implikimet që rrjedhin nga kjo janë drithëruese dhe monumentale: Zoti nuk e krijoi njeriun për ferrin dhe as ferrin për njeriun!

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ne të gjithë kemi shumë mundësi për të hyrë në parajsë kur të vdesim, duke supozuar që jemi akoma qenie humane.

Por këtu qëndron problemi: Kur ne vazhdimisht zgjedhim veten dhe dëshirat tona mbi Atë që na krijoi dhe planin e tij për ne, ne e çnjerëzojmë veten. Ne e çnjerëzojmë veten duke e ndarë atë nga Krijuesi ynë dhe qëllimi i dizenjuar për ne. Me anë të një procesi që është sa teologjik po aq edhe psikologjik, ne dorëzojmë atë pjesë të vetes që na bën humanë, njerëzorë!

Dashuria e vërtetë nuk imponohet. Në fund, jemi ne jo Zoti, që e hedhim veten (ose atë çfarë ka mbetur nga vetja jonë) në ferr, në vendin e vetëm në univers nga i cili Zoti, për shkak të drejtësisë, e ka larguar prezencën e tij direkte!

 

Burimi: ExploreGod.com

Përktheu për unebesoj.org: Danjela Serjani