A mund të ketë Perendia një Bir (çfarë thotë Bibla?)

0
78

Jemi këtu me Xhej Smithin dhe po flasim për pyetjen kyçe “A mund të ketë Perëndia një bir?” Po shohim disa prej vargjeve të Kuranit dhe koncepteve në të. Gjëra interesante, por le të kalojmë një hap më tej dhe të shohim se çfarë thotë Bibla për Jezusin si Biri i Perëndisë.

E pamë pra se Kurani ka disa probleme serioze dhe se si ideja se kush është Jezusi bëhet shumë e paqartë në të. Kushdo që e shkroi Kuranin, duket qartë se po lufton idenë e krishterimit bizantin, kundërshtarit të tyre. Atyre nuk i intereson bota perse, sepse shqetësimi i tyre nuk është perëndia i asaj zone. Shqetësimi i tyre është Perëndia që vjen nga Abrahami, Isaku dhe Jakobi, Perëndia që vjen nga judaizmi, e më tej nga krishterimi. Përballja e tyre nuk është vetëm politike, por tashmë edhe teologjike, në konceptin se si ky Perëndi mund të jetë tre e përsëri një i vetëm. Prandaj kemi Suretë 4:171, 5:72-75 dhe 126, dhe sigurisht 6:101.

Por le të tërhiqemi nga Kurani e të shohim pikat e referencës në Bibël, sepse myslimanët na thonë vazhdimisht: “Dëgjo, nëse Ai është Biri i Perëndisë, pse është i rëndësishëm ky fakt? Dhe nëse nuk bëhet fjalë për një term biologjik, atëherë për çfarë bëhet fjalë? Çfarë po ndodh këtu? Kush është Ky person dhe pse është i rëndësishëm? Edhe më e rëndësishme, ku thuhet se Jezusi pretendon të jetë Perëndi?” Myslimanë të ndryshëm më kanë thënë shumë herë: “Nëse më tregon një vend të vetëm në Bibël ku Jezusi thotë  se është Perëndi e kërkon të adhurohet, unë do të bëhem menjëherë i krishterë.” Sigurisht, njeriu nuk bëhet i krishterë vetëm se humbet një debat, por është e rëndësishme të kemi përgjigjen e kësaj pyetjeje. Më e mira është të kthehemi e të shohim pjesët ku Jezusi pretendon të jetë Perëndi. Ai nuk tha “Unë jam Perëndia” në shqip. Nuk besoj se flisnin shqip në atë kohë. As në hebraisht nuk tha “Unë jam Perëndia”, sepse nuk ishte aq i pamend. Ai përdorte terminologji që hebrenjtë e kuptonin, ndaj duhet të kthehemi pas për të parë se çfarë kërkonte judaizmi. Judaizmi e kishte shumë të qartë se po kërkonte për Mesian. Kjo është një urë e mirë që mund ta përdorim me myslimanët. Ata e dinë tashmë konceptin e Mesias, sepse përmendet 11 herë në Kuran, referuar si “al-Masih”, që do të thotë “Mesia” në arabisht. Në çdo rast, ky përdoret si emri i Jezusit. Vetëm Isait i jepet titulli “al-Masih”, as Muhamedit, as dikujt tjetër. Ky është titulli i Tij njerëzor, ndaj është bërë shumë i debatueshëm nëpër përkthime që kemi tani. Megjithatë, Mesia është ai që po prisnin të gjithë hebrenjtë. Ndoshta pika më e mirë për të prekur me myslimanët është Mateu, kapitulli 26, vargjet 62 deri 65. Vendngjarja është sinedri. Kajafa, kryeprifti, është aty dhe e ka nxjerrë Jezusin në gjyq. Kajafa del para Jezusit si një hebre para një hebreu dhe i bën një pyetje shumë të thjeshtë: “A je Ti Krishti? A je Ti Mesia? A je Ti Biri i Perëndisë?” Pse pyet ai për këta dy tituj, Mesia dhe Biri i Perëndisë? Sepse çdo hebre e dinte se po prisnin Mesian. Kur Mesia të vinte, do të bëhej princi i paqes, qengji dhe luani do të rrinin bashkë, dhe do të realizoheshin të gjitha referencat që kemi për Mesian përgjatë gjithë Dhjatës së Vjetër. Dhe nuk kemi të bëjmë me një Mesia çfarëdo, por me të vërtetën. Kishte shumë Mesi, por vetëm njëri mund të ishte i vërteti. Për çfarë do të vinte Ai? Unë gjithmonë i pyes miqtë e mi myslimanë se si ka mundësi që ky titull gjendet 11 herë në Kuran e prapë ata nuk e kanë idenë se ç’do të thotë. Çfarë duhet të bëni kur nuk e dini diçka? Kujt duhet t’i drejtoheni? Suretë 10:94 dhe 21:7 thonë popullit të Librit, pra duhet të na drejtohen neve. Më pas u shpjegoj se çfarë do të thotë “Mesia”. Në Dhjatën e Vjetër, “Mesia” do të thoshte gjithmonë “I Vajosuri”, por për çfarë ishte i vajosur? I vajosur për të sjellë shpëtim. Kush mund të sjellë shpëtim përveçse Vetë Perëndia? Pra, nënkuptohej se kushdo që të ishte Mesia, Ai do të ishte Shpëtimtari i ardhur për të shpëtuar. Ashtu siç thuhet tek Isaia, Ai do të vinte nga një e virgjër dhe do të ishte Perëndia me ne. Prandaj Kajafa e pyet Jezusin a ishte ky Mesia, jo një Mesi çfarëdo, por Mesia i vërtetë; a ishte Ai Biri i Perëndisë, jo njëri prej bijve të Perëndisë. Mbani mend, kishte shumë bij të Perëndisë. Davidi ishte bir i Perëndisë. Shumë prej izraelitëve ishin bij të Perëndisë. Të gjithë ne quhemi bij të Perëndisë. Ti, Xhon, je një bir i Perëndisë; unë gjithashtu; gratë e pranishme këtu janë bija të Perëndisë. Por askush nuk mund të ishte Biri i përveçëm i Perëndisë. Biri i përveçëm i Perëndisë ishte i veçuar nga bijtë e tjerë të Perëndisë. Prandaj po e bën Kajafa këtë pyetje. Biri i Perëndisë do të trashëgonte gjithçka të Perëndisë, gjë që e bën term hyjnor. Nëse e quan Veten Biri i Perëndisë, do të thotë se po trashëgon gjithë cilësitë e Tij, përfshirë hyjninë e Tij. Kjo do të ishte e barabartë me fjalët “Unë jam Perëndia”. Interesante është se Kajafa po pyeste dy herë “A je Ti Perëndia? A je Ti Perëndia?” Si u përgjigj Jezusi në vargun 64?

Unë jam.

Unë jam. Por nuk ndaloi aty. Ai vazhdoi duke shtuar një titull të tretë “ju do ta shihni Birin e Njeriut kur të zbresë me retë e qiellit.” Ky është një varg që myslimanëve u pëlqen shumë dhe vazhdimisht e përdorin për të thënë: “Shiko! Jezusi po thotë Biri i Njeriut! Në fakt, përgjatë Dhjatës së Re, Jezusi pretendon 25 herë të jetë Biri i Njeriut. Pra, Ai nuk është gjë tjetër veçse njeri, Z. Smith.” Por unë u përgjigjem duke u thënë se ata as që e kanë idenë çfarë po thonë. Si mendoni, pse pretendoi Jezusi të ishte Biri i Njeriut para sinedrit, para Kajafës? Sepse e dinte se çdo hebre në atë sallë do të kthehej pas te Danieli, kapitulli 7, vargjet 13-14, që e përkufizon kush është Biri i Njeriut. Biri i Njeriut, nga përjetësia në përjetësi, do të sundonte mbi çdo fis, komb, popull e gjuhë. Më thuaj, Xhon, kush është nga përjetësia në përjetësi?

Perëndia.

Vetëm Perëndia. Pra, ky titull “Biri i Njeriut” është një tjetër emër i Perëndisë. Ky ishte titulli i tretë. Pra, në hapësirën e dy vargjeve Jezusi pretendon tri herë të jetë Perëndia: duke pretenduar të jetë Mesia, Biri i Perëndisë dhe Biri i Njeriut. Shikoni reagimin e Kajafës, që gris rrobën e tij, kthehet nga sinedri dhe u thotë: “Ç’na duhen provat e tjera? Ku njeri sapo blasfemoi!” Nëse do prova, ja ku i ke! Nëse doni të dini se ku pretendoi Jezusi të ishte Perëndi, kjo ndodh tri herë me radhë në këtë skenar.

Tani të kalojmë te Gjoni, kapitulli 8. Në këtë skenar, hebrenjtë janë të pranishëm, po e marrin sërish në pyetje Jezusin, po e pyesin nga i di Ai gjithë këto gjëra. E pyesin pse flet për Abrahamin e nga i di Ai këto gjëra për të, kur nuk ishte as 50 vjeç. Në vargun 58, Jezusi u përgjigjet atyre duke u thënë: “Para Abrahamit,Unë jam.” Në gjuhën tonë, kjo nuk ka kuptim nga ana gramatikore. Ai po citonte “Unë Jam-in” nga Eksodi 3:14-15, emrin “Yahweh”, ose “Ego Eimi” në greqisht. Ai po pretendonte emrin e shenjtë të Perëndisë. Jo vetëm po e citonte, por edhe po e pretendonte këtë emër për Vete. Shikoni reagimin e hebrenjve, që morën gurë për ta vrarë, sepse një njeri i thjeshtë jo vetëm që po shqiptonte një emër që ata nuk e shqiptonin kurrë në publik por e zëvendësonin me Adonai sa herë e lexonin në tekst, duke qenë një emër tepër i shenjtë; ky njeri jo vetëm po e thoshte, por edhe po e përvetësonte. Ky është Jezusi im. Ky është vendi ku thotë “Unë jam Perëndia”. Pra, titulli “Biri i Njeriut” është me rëndësi absolute dhe duhet ta ruajmë në tekst. Kjo është bërë një fushë shumë e debatueshme, sepse shumë misionarë duan që ta heqin fare nga teksti, ngaqë është shumë problematike për myslimanët. Ata do të donin ta hiqnin këtë term nga teksti e ta zëvendësojnë me “Mesia”, “al-Masih”, me “përfaqësues i Perëndisë”. Pra, do të donin që të hiqnin referenca të tilla e t’i zëvendësonin me ato që quhen ekuivalentë dinamikë.

Nëse shohim Mateun 28:19, Porosinë e Madhe, që thotë “Shkoni në botë dhe pagëzojini ata në emrin e Atit, të Birit e të Frymës së Shenjtë.” Kështu thuhet në Biblën time, por ata duan që t’i zëvendësojnë këto fjalë me “Shkoni në botë dhe pastrojini ata me ujë…” Pra, duan ta heqin edhe termin “pagëzim”, sepse është shumë problematik, dhe ta zëvendësojnë me fjalët “pastrim me ujë”. Ky është avdesi, pastrimi që bëhet para hyrjes në xhami. Pastaj kemi, “në emër të Allahut, Mesisë së Tij dhe Frymës së Shenjtë.” A do të ishte i kënaqur me këtë, Xhon?

Jo.

Pse jo?

Sepse është blasfemi. Po ndërrohen fjalët dhe domethënia e tyre.

Sidomos për myslimanët. Dhe ata që e kanë bërë këtë, nuk e kuptojnë Islamin. Po të isha mysliman e të dëgjoja këtë, do të kuptoja se po thotë shko në botë,merr avdes siç bëhet para hyrjes në xhami, të pastrohem siç pritet prej meje pesë herë në ditë, në emër të Allahut. Oh, kjo më pëlqen, sepse Allahu është emri që gjej në Kuran, dhe tani mund të themi se ky është emri i Perëndisë në çdo gjuhë, bismillāhi r-raḥmāni r-raḥīm. Ky është Allahu për të cilin po flasim, i dhembshuri dhe i mëshirshmi, por për këtë do të flasim një herë tjetër. Por pastaj më thuhet se duhet të heq fjalët “Bir i Perëndisë” e t’i zëvendësoj me “Mesia”. Për këtë përkthim do të duartrokas e do të paguaj, sepse kjo është çfarë kemi kërkuar këtu e 1400 vjet. Çdo mysliman do të thoshte që kjo është ajo që duam, të hiqni fjalët “Bir i Perëndisë” e të vendosni “Mesia”, sepse Mesian e dimë kush është, ngaqë gjendet edhe në Kuran, 11 herë. Emri i tij kështu ka qenë gjithmonë, Mesia, profeti njeri. Tani i keni hequr hyjninë e Tij, për të cilën keni folur gjithmonë, dhe e keni ulur vetëm në anën e Tij njerëzore.

Mund ta kuptosh pse si unë, ashtu edhe ti, refuzojmë ta bëjmë këtë, sepse është një veprim heretik. Nëse e lë këtë në duart e myslimanëve, ata do të paguanin për një përkthim të tillë. Prandaj jemi përpjekur ta ndalim këtë dhe, më në fund, vitin e shkuar arritëm ta ndalnim. Të paktën, Wycliffe e ka ndërprerë këtë përkthim, por është edhe një organizatë tjetër që vazhdon ta përdorë e nuk është ende gati ta ndërpresë. Por unë u kërkoj njerëzve të mos i përdorin ato Bibla. Ju lutem, mos i ndryshoni fjalët e Perëndisë. Lëreni aty titullin “Biri i Perëndisë”. Jezusi pretendoi shumë qartë të ishte Biri i Perëndisë. Mjafton të lëxojmë nga Letra e Parë e Gjonit. Nuk e di si mund ta lexojmë Letrën e Parë të Gjonit pa besuar kush është Biri i Perëndisë. Është shumë e qartë se ai që beson në Birin e Perëndisë, do të shpengohet, por ai që nuk beson se Jezusi është Biri i Perëndisë, do të jetë i mallkuar. Nuk di si mund të jemi më të qartë se kaq.

Xhej, çfarë këshille do t’i jepje një mysliman që na ka dëgjuar e po fillon të ketë një ide të re në lidhje me çështjen a mund të ketë Perëndia një bir dhe për kush është Jezusi në të vërtet dhe tani duhet të hedhë hapin e radhës?

Do t’i thosha që të kuptonte se po flasim për një hyjni, për një emër hyjnor, jo një a dy herë, por katër emra hyjnorë. Po flasim për katër emra që i referohen Atij që të gjithë hebrenjtë po prisnin. Ata ende po presin për Atë që ka këta katër tituj, por Ai ka ardhur tashmë. Myslimanët nuk e kanë idenë se çfarë po presin, sepse nuk u janë kthyer Shkrimeve të mëparshme. Jezusi përmbushi jo vetëm gjithçka për të cilën erdhi Perëndia; Ai ka përmbushur emrat që përbëjnë cilësi hyjnore, dhe ka ardhur edhe si Perëndia i mishëruar. Myslimanët e kanë të vështirë këtë, sepse nuk besojnë se Perëndia mund të marrë trajtë njeriu, por unë u them të gjejnë një Perëndi më të madh. Perëndia im mund të marrë trajtë njeriu kur të dojë. Ju lutem, kurrë mos e kufizoni Perëndinë. Ju lutem, kur thoni se Ai nuk mund të marrë trajtë njeriu, se nuk mund të hajë, se nuk mund të vijë në tokë, të ecë e të flasë në freskinë e ditës, po flisni për një perëndi që nuk e njoh, një perëndi tepër të vogël. Gjeni një perëndi më të madh. Ne e kemi këtë Perëndi, dhe emri i Tij është Jezus Krisht. Ejani në shtëpi!

Miq, nëse doni të dini më shumë, në fund të programit tonë do të shihni një video që do t’ju tregojë për faqen tonë në ueb, ku mund të mësoni më shumë për gjërat që ndau Xhej e shumë informacion që mendoj se do t’ju pëlqente ta shikonit. Javën tjetër do të vazhdojmë të flasim për pyetjet kyçe që myslimanët u bëjnë të krishterëve, pyetje të cilave Xhej do t’u përgjigjet. Shpresoj të na ndiqni sërish.