A mund të kem një dëshmitar?

0
27

Nga William Lane Craig and Sean McDowell

Në filmin “Trupi” (The Body) të vitit 2001, Antonio Banderasi luan rolin e Atë Matt Gutierrezit, një prift jezuit i dërguar prej Vatikanit për të hetuar disa eshtra që pretendohej të ishin të Jezusit. Pavarësisht besimit që shprehin zyrtarët e Vatikanit, Atë Matti ndihet i pakualifikuar për këtë detyrë me rëndësi kritike, dhe kjo për shkak se ai e kupton se nëse këto eshtra janë të Krishtit, krishterimi është i rremë.

Gjatë vazhdimit të filmit, provat që i paraqiten atij duken dërrmuese. Trupi ishte varrosur në varrin e një të pasuri, kishte një plagë heshte në brinjë, shenja gjembash në kafkë, një monedhë që datonte në kohën kur guvernator ishte Ponc Pilati, dhe këmbë të pathyera, gjë e pazakontë kjo për një viktimë kryqëzimi, por pjesë e dëshmisë së tregimit për vdekjen e Jezusit.

Matti lufton me një krizë besimi përgjatë gjithë filmit. Një prift tjetër, interpretuar nga Derek Jacobi, as që lufton fare; i bindur se ato ishin eshtrat e Jezusit, ai kryen vetëvrasje. Përse të jetonte kur e gjithë jeta e tij ishte harxhuar në ndjekje të një Mesie të rremë, që nuk ishte ringjallur të tretën ditë?

Më pas Matti gjen prova se në fakt ato ishin eshtrat e një martiri të hershëm të krishterë dhe jo të Vetë Jezusit. Por filmi thekson një pikë interesante: se krishterimi është fe që mund të falsifikohet. Krishterimi bën deklarata objektive për botën reale, pretendime që mund të konfirmohen ose rrëzohen, sipas provave.

Po të gjendeshin eshtrat e Jezusit, krishterimi do të ishte i rremë. Pali tha, “Në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja.” (1 Korintasve 15:17). Disa fe mund të bëjnë deklarata të pavërtetueshme për realitetin, por krishterimi bën deklarata për ngjarje historike reale e që mund të testohen.

Le ta vëmë në provë!

Më poshtë jepen tri fakte që ne besojmë se tregojnë për realitetin e ringjalljes.

  1. Varri i Jezusit u gjend bosh

Ka shumë linja provash që mbështesin varrin bosh. Një prej provave që na duket bindëse është se varrin bosh e zbuluan të parat gratë (Mateu 28:1-10). Pse është e rëndësishme kjo? Në Palestinën e shekullit të parë, gratë nuk konsideroheshin dëshmitare të besueshme. Jozefi, historian hebre, ka thënë,

Të mos pranohet dëshmia e grave, për shkak të mendjelehtësisë dhe guximit të gjinisë së tyre.”

Në krahasim me burrat, gratë konsideroheshin qytetare të klasës së dytë.

Pse vallë do të sajonin dishepujt një histori në të cilën dëshmitaret e para ishin gratë? Kjo do t’i vinte në siklet dishepujt e do të minonte çështjen e tyre!

Shpjegimi më i mirë për arsyen pse ungjijtë shënojnë gratë si dëshmitaret e para është sepse ato vërtet ishin zbulueset e varrit bosh.

  1. Jezusi iu shfaq njerëzve pas vdekjes së Vet

Ka shumë shfaqje të ndryshme të Jezusit që mund të mbështeten me prova. Për shembull, Jezusi iu shfaq Pjetrit (Luka 24:34), Jakobit, vëllait të Vet (1 Korintasve 15:7), Thomait (Gjoni 20:26-29), dymbëdhjetë apostujve (20:19) dhe pesëqind dëshmitarëve (1 Korintasve 15:6).

Një prej tregimeve më bindëse është shfaqja e Jezusit Saulit, i cili u bë apostulli Pal (Veprave 9:1-9). Kritikët shpeshherë pretendojnë se Jezusi iu shfaq vetëm ndjekësve të Tij, por kjo nuk është e vërtetë! Jezusi iu shfaq personalisht Saulit, i cili po i përndiqte ashpër të krishterët (Veprave 8:1-3). Kjo shfaqje është e vërtetuar përtej çdo dyshimi, sepse Pali e përmend atë edhe në letrat e veta (Galatasve 1:11-17).

Kjo shfaqje e shndërroi plotësisht jetën e Palit. Ai ishte rabin, udhëheqës i respektuar hebre. Ai e urrente krishterimin dhe bënte gjithçka që kishte në dorë për ta shtypur. Pali ishte përgjegjës edhe për ekzekutimin e shumë të krishterëve. Pastaj, papritur, u bë misionar i krishterë dhe duroi vuajtje të tmerrshme për shpalljen e besimit (2 Korintasve 11:23-29). Së fundmi, ai bëri sakrificën përfundimtare dhe u martirizua në Romë për besimin e tij. E gjitha kjo ndodhi për shkak të asaj dite në dalje të Damaskut, kur pa “Jezusin, Zotin tonë” (1 Korintasve 9:1).

Disa janë përpjekur t’i shpjegojnë shfaqjet si halucinacione. Një prej problemeve të shumta të kësaj hipoteze është se, nëse dishepujt do të kishin projektuar halucinacione të Jezusit pas vdekjes së Tij, Ai do të ishte paraqitur si në parajsë, atje ku hebrenjtë besonin se shkonin të drejtët, e jo si i ringjallur prej së vdekurish këtu në tokë, në kundërshtim me besimin hebre.

  1. Besimi i krishterë nisi si lëvizje e ringjalljes

Edhe studiuesit skeptikë e pranojnë se dishepujt origjinalë besonin se Jezusi ishte ngritur prej së vdekurish. Ata rrezikuan gjithçka për këtë besim. E megjithatë, nga erdhi ai?

Sipas Shkrimeve hebreje, Mesia supozohej të ishte një figurë triumfuese që do të vendoste fronin e Davidit në Jerusalem. Një Mesia që nuk arrinte të çlironte e të mbretëronte, që u mposht e u poshtërua përmes kryqëzimit, do të thoshte kontradiktë termash. Nuk mund të teprohet theksimi se çfarë katastrofe ishte kryqëzimi për besimin e dishepujve. Të përballur me vdekjen e Jezusit, dishepujve u mbeteshin vetëm dy zgjedhje: ose të ktheheshin në shtëpi, ose të gjenin një Mesi të ri.

Por ringjallja e Jezusit e përmbysi katastrofën e kryqëzimit. Ngaqë Perëndia e kishte ngritur prej së vdekurish, u bë e qartë se Jezusi ishte vërtet Mesia.

Prandaj Pjetri shpall te Veprat 2:32, 36:

“Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur… Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht.”

Ata që e mohojnë ringjalljen duhet të ofrojnë një shpjegim tjetër për origjinën e besimit të krishterë. E megjithatë, asnjë shpjegim tjetër nuk i afrohet në fuqi ringjalljes së Jezusit.

Titulli i këtij artikulli pyet a ka dëshmi për ringjalljen. Është e qartë se ka: provat janë shtrënguese! Pyetja e vërtetë është se kush do t’u dëshmojë të tjerëve për të vërtetën e ringjalljes. Cilët të krishterë sot do ta ndajnë besimin e tyre me po aq guxim sa dishepujt e parë? A do ta bësh ti? A mund të kemi një dëshmitar?

 

Sean McDowell, Ph.D., është profesor i apologjetikës së krishterë në universitetin Biola. Ai është autor i mbi 15 librash kryesues të listave të shitjeve, folës i mirënjohur ndërkombëtarisht dhe mësues me kohë të pjesshme në shkollën e mesme. Ndiqeni atë në Twitter: @sean_mcdowell dhe blogun e tij: seanmcdowell.org