A mund të jetojë njeriu pa Perëndinë?

0
176

Intervista e Xhon Ankerberg me Dr.Ravi Zakarias.

Përgjigje për skeptikët

Pse është kaq e rëndësishme t’i përgjigjemi pyetjes “A mund të jetojë njeriu pa Perëndinë?”?

I ftuari im është Ravi Zacharias, një apologjet i krishterë i shkëlqyer që ka folur në ndoshta më shumë kampuse universitare se kushdo tjetër që njoh. Dikur ju kanë kërkuar të shkonit në Oksford e të paraqisnit përgjigjen tuaj për një pyetje shumë të vështirë: “A mund të jetojë njeriu pa Perëndinë?” Prej atyre ligjëratave doli një libër me të njëjtin titull, por le të kthehemi pas e t’i përgjigjemi pyetjes: “A mund të jetojë njeriu pa Perëndinë?”

RZ: Po, Xhon, ajo ka qenë një kohë e paharrueshme për mua. Ka qenë diku nga fillimi i viteve ’90, kur u mbajt i pari forum Veritas. Tani ato mbahen gjithandej në universitete të ndryshme të vendit. Tema që m’u dha, “A mund të jetojë njeriu pa Perëndinë?”, ishte nga një citim prej Uill Durantit, që thoshte: “Pyetja më e madhe e kohës sonë nuk ka për të qenë Veriu kundër Jugut, Lindja kundër Perëndimit, Komunizmi kundër Kapitalizmit.

Pyetja më e madhe e kohës sonë ka për të qenë a mund të jetojë njeriu pa Perëndinë?” Unë mora pikërisht këtë pjesë të fundit dhe e bëra titull të ligjëratave të mia. Atje dhashë dy ligjërata, të sponsorizuara nga grupe të ndryshme, shoqata filozofike, grupe të krishtera, etj. Vendi ishte fakulteti i ligjit në Harvard.

Mbaj mend dy gjëra veçanërisht: se u mbajt në fundjavën kur luhej ndeshja e futbollit mes Harvardit dhe Jeillit, që do të thotë se të pranishmit ishin nervozë. Gjithashtu, kjo ishte hera e parë në dy javë që rrija në këmbë. Kisha qenë në Skoci për të bërë disa kërkime për David Livingstonin dhe kisha vrarë shpinën, më ishte krijuar hernie diskale dhe trupi më ishte shtrembëruar. Javën e mëparshme kisha ndenjur pesë ditë në shtrat. Pastaj u ktheva, me ndihmën e një prej pjesëtarëve të skuadrës sime. Gjithë asaj kohe ndenja në shtrat deri ditën që duhej të merrja avionin për në Boston për të dhënë këtë ligjëratë. I kam ende shumë të gjalla këto dy kujtime.

Nuk e dija si do të shkonte. Por pyetja që shtruam më lart mbetet e tillë edhe sot, dhe mund t’i përgjigjemi në dy mënyra. Teorikisht, njerëzit mund të jetojnë sikur Perëndia të mos ekzistonte. Ateistët, agnostikët, antitesitët jetojnë kështu të paktën pjesën më të madhe të kohës. Nga ana logjike, kjo është e pamundur, veçanërisht nëse duam të bëjmë deklarata morale për çfarëdolloj çështje. Kjo ishte vështirësia e Zhan Pol Sartrit dhe e Entoni Flusë, siç e dimë të gjithë. Kjo inkoherencë e përpjekjeve për të ndërtuar një pikëpamje për pyetjet themelore në jetë. Në mënyrë logjike ose koherente, jeta pa Perëndinë nuk mund të ndodhë. Nga ana ekzistenciale, njerëzit vërtet përpiqen t’ia dalin dhe arrijnë të jetojnë çdo ditë.

Por nëse duam të bëjmë një jetë koherente dhe t’u japim përgjigje pyetjeve që na përndjekin gjithë jetën, jeta pa Perëndinë është e pamundur. Mendoj se kjo ishte sfida e Durantit: a do të jetojmë sikur Ai të mos ekzistonte dhe, nëse ndodh kështu, me ç’lloj bote kaotike do të përballemi? Siç ka thënë Niçe, shekulli i njëzetë do të bëhej shekulli më i përgjakshëm në histori për shkak të famës që mori ideja e vdekjes së Zotit. Dhe vërtet, shekulli i njëzetë ishte më i përgjakshëm se të nëntëmbëdhjetë shekujt e mëparshëm së bashku.

Përktheu për www.unebesoj.org: Brunilda Rustani

Burimi: John Ankerberg Show