Mesimet boshe dhe një njohjeje modeste e vetvetes

0
24

Nga Tomas À Kempis[1]

Çdo njeri, për shkak të natyrës së tij dëshiron të dijë, por ç’vlerë ka njohuria pa frikën e Zotit? Një fermer i thjeshtë dhe i përulur i cili i shërben Zotit, është më i pranueshëm prej Tij sesa një filozof kureshtar, i cili duke u marrë vazhdimisht me konstelacionet e qiellit, harron vetveten me vetëdije të plotë. Ai që e njeh veteveten mirë është i keq dhe i mjerë në sytë e vet, dhe nuk gjen kënaqësi në lavdërimet boshe të njeriut. Nëse do t’i dija të gjitha gjërat e kësaj bote, por nuk do të kisha dhemshuri, çfarë përfitimi do të kisha përpara Zotit, i cili e gjykon çdo njeri sipas veprave te tij? Le të heqim dorë pra, nga dëshira për të patur këtë këtë njohuri të kotë, sepse shpesh në të gjendet një çmenduri e madhe dhe mashtrimi i armikut, dhe kështu shpirti i njeriut fshihet dhe ndahet nga dashuria e përsosur dhe e vërtetë e Perëndisë.

    Ata persona që kanë një dëshirë të madhe për të mësuar, konsiderohen si të mençur në këtë botë. Por ka shumë gjëra njohja e të cilave sjell shumë pak fitim dhe shumë pak fryt për shpirtin. Ai person, i cili u kushton më tepër vëmendje gjërave të tjera, të cilat nuk sjellin asnjë përfitim për shëndetin e shpirtit, nuk është i mençur. Fjalët nuk e ushqejnë shpirtin, por një jetë e mirë e rifreskon mendjen dhe një ndërgjegje e pastër e çon njeriun drejt një besimi të palëkundur dhe të qëndrueshëm në Zotin.

Sa më shumë njohuri të keni, aq më i trishtueshëm do të jetë gjykimi për keqpërdorimin e saj, nëse nuk jetoni sipas asaj njohurie. Prandaj mos e mbani veten me të madh për shkak të aftësive apo njohurisë që ju është dhënë, përkundrazi, kini më shumë frikë dhe druajtje në zemrat tuaja, sepse është e sigurt që këtej e tutje ju do të jepni llogari më të rreptë. Nëse mendoni se dini shumë gjëra dhe keni mësuar shumë, atëhere duhet të jeni të sigurt që ka akoma më shumë gjëra të cilat ju nuk i dini akoma.

Kështu, nëse ke vërtet urtësi nuk do ta mbash veten si të ditur, por përkundrazi, do të rrëfesh paditurinë dhe marrëzinë tënde. Përse mendon se ke më shumë njohuri se dikush tjetër, ndërkohë që ka shumë të tjerë që janë më të shkëlqyer, më të urtë dhe më të mësuar sesa ti mbi Ligjin? Nëse dëshironi të mësoni diçka duke e ditur që do të jetë me përfitim për shëndetin e shpirtit tuaj, mësoni të jeni modestë dhe të kënaqur kur konsideroheni të përbuzur dhe një hiç.

Mësimi më i lartë dhe më fitimprurës është ky, që një njeri të ketë njohje realiste dhe duke e parë plotësisht me përçmim vetveten. Për më tepër, të mos mendojë për veten, por gjithmonë të gjykojë, të mendojë mirë dhe plot me bekime për të tjerët, duke treguar kështu shenja të një urtësie të madhe, perfeksionizmi dhe hiri personal. Nëse shikoni që një person mëkaton apo kryen ndonjë krim të madh haptazi përpara jush, mos e gjykoni veten si më të mirë nga ai, sepse ju nuk e dini se për sa kohë ju do të vazhdoni të bëni të mirën. Ne të gjithë jemi të dobët, por mos gjykoni asnjë njeri si më të dobët sesa vetja juaj.

Burimi: William G. Placher, Callings: Twenty Centuries of Christian Wisdom On Vocation (Grand Rapids, Mich.: W.B. Eerdmans Pub. Co., 2005), 196-201.

Përktheu per Unë Besoj: Ana Llakaj.

[1] Tomas A Kempis (rreth 1380-1471), i cili jetoi në Gjermani dhe Hollandë, u arsimua në një nga shkollat e “Vëllezër të Jetës së Përbashkët”. Ai u ndikua në formimin e tij nga Devotio Moderna ose “Devotshmëria e Re” me theksin në devotshmërinë e thjeshtë dhe mosbesimin ndaj teologjisë komplekse. Tomas konsiderohet si autor i veprës “Imitimi i Krishtit”, një nga tekstet më të admiruara shpirtërore të krishtera. (Ky shkrim ështe një fragment nga libri i tij).