Mary Claytor: “Gjithçka e ka një qëllim”

0
373

 

Përshëndetje. Unë quhem Mary Claytor, dhe kjo është historia ime.

Që prej fëmijërisë, kurrë nuk e kam imagjinuar jetën pa muzikë; nuk e di si do të ishte kjo. Muzika ka qenë në jetën time që kur isha vogël. Babai im ka qenë në një bandë muzikore, dhe unë e ndiqja kudo. Ai u bë frymëzimi dhe shkëmbi im. Ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Por kur isha e vogël, prindërit e mi u divorcuan, gjë që për mua ishte e vështirë. Dua të them se e kisha të vështirë ngaqë shkoja vazhdimisht sa te njëri prind tek tjetri. Por e bukura e familjes sime ishte se gjithmonë jam ndjerë e dashur. Nuk e kam pasur kurrë problem këtë; gjithmonë më kanë dashur.

Kjo derisa hyra në klasë të tretë dhe mamaja ime u sëmur rëndë me kancer, që do të thoshte se m’u desh të rritesha shumë shpejt. Programi im i zakonshëm ishte të zgjohesha në mëngjes, të kontrolloja pamjen e përgjithshme, që mami merrte frymë e që ishte mirë. Pastaj bëhesha gati e shkoja në shkollë dhe sigurohesha që mami ishte mirë duke i shkruar mesazhe gjatë gjithë kohës. Ishim vetëm mami dhe unë, sepse babi jetonte shumë larg, ndaj ishim vetëm ne gjatë gjithë kohës. Unë sigurohesha që ajo ishte mirë, pastaj shkoja në shkollë e mësoja, bëja veprimtari të ndryshme, praktikohesha e pastaj kthehesha në shtëpi e kujdesesha për mamin gjithë natën derisa shkonte në shtrat. Më pas bëja mësimet.

Në njëfarë mënyrë, ishte edhe bekim, sepse isha në kontakt me mjekësinë, mjekët dhe infermieret gjatë gjithë kohës, gjë që më rriti pasionin për të ndihmuar njerëzit. Kjo më ngjalli interesin se ndoshta do të doja të hyja në fushën e mjekësisë. Por ishte kohë shumë e vështirë, sepse u ekspozova ndaj moralit që në moshë shumë të re. Mendimi se ndoshta mami im nuk do t’ia arrinte… Më falni, por ndonjëherë e kam të vështirë të flas për këtë. Thjesht mendimi se ndoshta mami nuk do t’ia arrinte diplomimit apo dasmës sime. Ishte shumë e vështirë të mendoja për këto në moshë aq të re.

Pastaj kjo gjë më çoi në pikën që muzika ndaloi. Siç thashë më parë, muzika ishte pjesë e rëndësishme e jetës sime. Unë këndoja gjatë gjithë kohës, por, në këtë pikë të jetës sime, ajo u shua. Isha shumë e sinkronizuar me mamin tim. Isha e mërzitur dhe e zemëruar, dhe ndoshta ishte në këtë pikë të jetës që besimi im mori të tatëpjetën. Thosha me vete: “Nuk ka mundësi. Si mund të ndodhë kjo? Kjo s’mund t’i ndodhë mamasë sime.

Nisa të shoqërohesha me njerëzit e gabuar, bëja çdo gjë që do të ma hiqte pak mendjen nga e gjithë kjo, rrija me miqtë. Nuk ishte mjedis i mirë për mua.

Në vit të parë të gjimnazit, na u desh të shpërnguleshim, sepse kanceri i mamit u përkeqësua e kaloi në fazën e katërt. Menduam se do të vdiste dhe na u desh të shpërnguleshim për të qenë më afër familjarëve, sepse donim të siguroheshim që unë të kisha një sistem mbështetjeje. Ajo donte të sigurohej që unë do të kisha njerëz që të kujdeseshin për mua. Kështu, bëmë gati valixhet dhe u transferuam në Denver, që është vetëm një orë larg vendit ku jetonim. Kjo për mua ishte shumë e vështirë. Lashë gjithë miqtë e mi, gjithë jetën time dhe m’u desh t’ia nisja nga e para, që gjë as e dija se çfarë do të thoshte. Kisha frikë. Kisha frikë për mamin, kisha frikë në lidhje me të zënët miq dhe ndihesha vërtet e humbur.

Por pastaj hyra në shkollën e mesme ku jam edhe tani, një shkollë e krishterë. Pashë si ishin njerëzit aty. Ata kishin një lloj ndriçimi, një lloj prezence që më bënte të thosha me vete: “Po këta, çfarë bëjnë në jetë? Çfarë u shkon kaq mbarë këtyre? Çfarëdo që të jenë duke bërë, çfarëdo që të kenë, e dua edhe unë. E dua, e dua, e dua!” Ata dukeshin aq të lumtur. Ishin shumë optimistë. Seç kishin një shkëlqim dhe paqe, paqe që e doja edhe unë.

Ndërkohë, mami vazhdonte të më thoshte se kishte njerëz që luteshin për të e që e kishin në mendje gjithë kohës, por unë thosha me vete “E çfarë do të bëjë lutja? Nga e di a po të dëgjon njeri?” Por mami vazhdonte të thoshte se njerëzit po luteshin për ne e kështu me radhë.

Pastaj kanceri i mamasë sime u përmirësua. Ajo nisi të bëhej gjithnjë e më mirë, dhe unë nisa të mendoja “Lutja! Ç’është kjo? Çfarë bëjnë ata? Çfarë do të thuash?” Mendoj se kjo ishte pika kur u dorëzova dhe thashë “Mirë, pra, Zot. Kush je Ti? Çfarë po bën? Çfarë do që të bëj unë?” Atëherë nisa të shihja ndryshime. Jo se Zoti nuk kishte qenë me mua gjatë gjithë kësaj kohe, gjatë gjithë jetës sime, sepse Ai aty ka qenë; por unë nuk po shihja, nuk po i kushtoja vëmendje. Por Ai ka qenë gjithmonë aty dhe, kur hedh shikimin pas në jetën time, mund të vë re se Ai më ka mbajtur për dore në gjithçka. Sigurisht, gjërat ishin të vështira, por nuk kam qenë kurrë vetëm.

Mendoj se këtu nisi të rritet vërtet besimi im, këtu u ndez sërish muzika. Nisa të kthehesha te muzika dhe pasioni im për të u shtua. Babai më thoshte gjithmonë “Edhe kjo do të kalojë”, që do të thotë se çfarëdo të jesh duke kaluar tani, ajo do të kalojë dhe Perëndia ka një plan. Ai ka një plan dhe unë nuk duhet të shqetësohem për asgjë.

Mendoj se në atë pikë të jetës po përpiqesha të mbaja gjithë barrën e botës mbi supe, pa qenë nevoja. Beteja ishte fituar tashmë e unë duhej vetëm të ulesha. Vargu im i preferuar nga Bibla thotë “Ndaluni dhe pranoni!” Zoti thotë “Unë jam këtu e po kujdesem për situatën.” Kjo ishte e përsosur dhe mendoj se ky duhet të ketë qenë momenti kur u dorëzova. A është e kuptueshme? Ndihem se nuk jam e humbur. Ndjej se gjithçka e ka një qëllim, gjë që s’e kam ndjerë kurrë më parë.

E dua shumë Shqipërinë! Më pëlqen shumë ushqimi këtu; është shumë i mirë! Por gjëja ime e preferuar nga Shqipëria është kultura dhe njerëzit. Njerëzit janë shumë intimë, shumë personalë dhe vërtet merakosen se si je e si po ia del. Kur i pyet “Hej, si je?”, ta thonë në mënyrë të drejtpërdrejtë “Nuk jam mirë, dhe ja pse”. Kjo më pëlqen shumë! Më pëlqen shumë ndershmëria e tyre dhe të qenët aq të drejtpërdrejtë.

Përktheu për Unë Besoj: Brunilda Rustani