Kush mendonte Jezusi se ishte?

0
63

Që nga fillimet e lëvizjes së krishterë, pasuesit e Jezusit Krishtit kanë thënë që Ai ishte Perëndia në formë njerëzore.

Po çfarë mund të themi për vetë Jezusin? Kush mendonte Ai se ishte?

Me ngritjen e kriticizmit tekstual dhe studimit modern të historisë, historianët kanë zhvilluar mjete që mund të përdoren për të zbërthyer këtë pyetje. Sot, Jezusi i Nazaretit nuk është më vetëm një figurë në një dritare kishe me xhama të ngjyrosur, por një person real në histori, jeta e të cilit mund të hetohet nga ana historike.

Pra, le ta studiojmë Dhjatën e Re jo si një pjesë Shkrimi të frymëzuar, por si një koleksion të zakonshëm dokumentash të lashta. Le të zbatojmë tek to testet standarte që do të përdornim me burime të tjera të lashta.

Çfarë gjejnë historianët kur hetojnë mbi Jezusin si pjesë të historisë?

Së pari, Jezusi deklaroi se Ai ishte Mesia. Judenjtë e kohës së Jezusit po prisnin ardhjen e Mesias së premtuar, një pasardhës i mbretit David, një mbret luftëtar, i cili do të sillte fitore ushtarake dhe rizgjim shpirtëror për Izraelin. Ata i njihnin mirë fjalët e lashta të Profetit Zakaria: “Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar.” Zakaria 9:9.

Hyrja triumfale e Jezusit në Jeruzalem, në kurrizin e një gomari, javën e fundit të jetës së Tij, dëshmohet nga burime të pavaruara, një nga kriteret më të rëndësishme në vërtetësinë historike të një ngjarjeje. Përmes një hyrjeje të tillë Jezusi qëllimisht dhe në mënyrë provokuese dëshmon që Ai është Mesia i premtuar, Mbreti i Izraelit. Për më tepër, pllaka e drurit e mbërthyer në kryqin e Jezusit deklaronte akuzat e ngritura kundër Tij, duke u tallur me deklaratat e Tij mesianike.

Fakti që më vonë të krishterët nuk e përdorën këtë titull përçmues për Jezusin tregon se është autentik. Për judenjtë e shekullit të parë, fjala Mesia ishte e mbushur plot me kuptim. Duke pranuar këtë titull, Jezusi po merrte mbi vete gjithë kuptimin që ai mbart. Së dytu, Jezusi deklaroi gjithashtu që ishte Biri i Perëndisë. Vetëdijshmëria e Jezusit si Biri i Perëndisë në një mënyrë unike shprehet në shëmbëlltyrën e vreshtit.

Kjo shëmbëlltyrë i përshtatet stilit të mësimdhënies së Jezusit dhe përdor motive hebraike tipike të kohës së tij, të tilla si: Izraeli si një vresht, Perëndia si Atë, udhëheqësit shpirtërorë të asaj kohe si vreshtarë dhe profetët e Perëndisë si shërbëtorë të dërguar te këta vreshtarë.

Ishte një burrë që mbolli një vresht. Para se të nisej për në një vend të huaj, ai e dha vreshtin me qira tek disa vreshtarë. Në kohën e korrjes ai dërgoi një shërbëtor për të mbledhur pjesën e tij të frutave të vreshtit. Por vreshtarët qiramarrës e rrahën shërbëtorin dhe e dërguan atë duar bosh. Pronari dërgoi shërbëtorë të tjerë, por edhe këta, u rrahën ose u vranë. Më në fund, ai dërgoi djalin e tij të vetëm duke thënë: “Sigurisht, për djalin tim do të kenë respekt!”. Por vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim dhe vreshti do të jetë yni.” Kështu ata e vranë birin e pronarit.

Çfarë mësojmë ne nga kjo shëmbëlltyrë për vetëperceptimin që kishte Jezusi për veten e vet? Ai e mendonte veten si Birin e vetëm të Perëndisë, lajmëtarin e fundit të Perëndisë, të ndryshëm nga të gjithë profetët e tjerë dhe madje trashëgimtar të vetë Izraelit.

Së treti, Jezusi deklaroi se ishte Biri i njeriut. Ky ka qenë vetëpërkufizimi më i parapëlqyer i Jezusit duke qenë se është përdorur rreth 80 herë tek Ungjijtë dhe asnjëherë jashtë dorëshkrimeve të Ungjijëve. Kjo i ka bindur shumicën dërrmuese të historianëve të Dhjatës së Re se në fakt Jezusi mendonte vërtet që ishte Biri i Njeriut. Vini re që Ai nuk thotë vetëm një bir njeriu, por Biri i Njeriut. Jezusi po e kthente vëmendjen tonë tek një vizion, i përshkruar nga profeti Daniel:

Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe u prezantua para tij. Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbenin.” Danieli 7: 13-14.

Në gjyqin që iu bë Jezusit, krerët e priftërinjve judenj e akuzuan Jezusin duke i thënë: “A je ti Mesia, Biri i Perëndisë?” Përgjigja e Tij nuk la asnjë vend për dyshim: “Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit”.

Duke i shpallur të tre këta tituj për veten e vet, Jezusi po deklaronte, me terma plotësisht të qarta, që Ai vetë ishte Perëndia të cilin akuzuesit e tij adhuronin. Nuk është e habitshme që gjyqi i judenjve e akuzoi për blasfemi dhe e dënoi Atë me vdekje.

Por nuk mbaron me kaq! Historianët e Dhjatës së Re bien dakort që Jezusi i historisë gjithashtu deklaroi që kishte fuqi hyjnore dhe autoritet për të kryer mrekulli, të përzinte frymëra të këqija, të rishikonte ligjin e Dhjatës së Vjetër dhe të falte mëkatet. Ai madje shkoi aq larg sa të deklaronte që fati i përjetshëm i gjithsecilit është i përcaktuar vetëm nga fakti nëse besojmë apo jo tek Ai.

Vetëperceptimi i Jezusit nuk mund të reduktohet në atë të një mësuesi të ligjit të judenjve apo të një udhëheqësi karizmatik. Jo, në fakt, duke e vendosur veten në vend të Perëndisë, Jezusi po bënte një deklaratë për veten e vet shumë here më të madhe sesa çdokush tjetër më parë kishte bërë. Pyetja që Jezusi u bëri dishepujve të vet na konfronton gjithashtu edhe ne: “Kush thoni ju se jam unë?”

Përktheu: Ana Llakaj

Burimi: www.Reasonablefaith.org