Kush është Jezusi?

0
10

Si do të ndiheshit ju nëse dikush do t’ju thoshte “Përshëndetje! Unë jam Perëndia!”?

Përgjatë historisë, shumë njerëz kanë pretenduar të jenë perëndi, por ata jetonin në kultura që besonin në shumë perëndi. Edhe pse këta perëndi ishin më të fuqishëm se njerëzit, nuk ishin pa kufij. Për shembull, kur një perandor romak pretendonte të ishte perëndi, nuk ishte ndonjë gjë e madhe.

Por, kur Jezusi i Nazaretit pretendoi se ishte Perëndia, ishte shumë ndryshe, sepse Ai nuk tha se ishte një prej shumë perëndive. Pretendimi i Tij ishte shumë, shumë më i madh se kaq. Ai pati guximin të vetëidentifikohej si i vetmi Perëndi i vërtetë i universit.

Jezusi ishte hebre, dhe koncepti hebre për Perëndinë është absolutisht unik, ndryshe nga çdo kulturë tjetër. Hebrenjtë besojnë me vendosmëri se ka vetëm një Perëndi dhe se vetëm Ai është sundimtari i përsosur, i gjithëpushtetshëm, i gjithëdijshëm e i pakrijuar i gjithçkaje. Ai nuk ka as fillim, as fund dhe i vetëm Ai krijoi dhe mban gjithë universin. Ai nuk ka as kufij, as konkurrentë.

Ndaj, kur Jezusi i pretendoi të gjitha këto për Veten, nuk është për t’u habitur se ndezi një stuhi kundërshtarësh. Askush nuk e kishte bërë këtë më parë. Në fakt, për hebrenjtë vetëm ideja se Perëndia mund të merrte trajtë njeriu as që ekzistonte. Ky koncept nuk gjendet kurrkund në gjithë letërsinë e lashtë hebreje.

Duke pretenduar se ishte Perëndia i universit, Jezusi krijoi një krizë identiteti: secili prej nesh duhet të vendosë vetë se kush ishte Jezusi. Kjo për shkak se, nëse Ai nuk ishte Perëndia, si vallë mund t’i shpjegojmë pretendimin e Tij të pashoq? Ai sigurisht nuk ishte i çmendur, as po bënte shaka, as po gënjente.

Le të shqyrtojmë pesë shpjegime të tjera. E para: ndoshta Jezusin e keqkuptuan. Ndoshta Ai kurrë nuk pretendoi të ishte Perëndia. Por provat historike thonë ndryshe. Shumë shekuj para Jezusit, Perëndia iu shfaq Abrahamit si Unë Jam-i i madh. Ndaj, kur Jezusi tha “para Abrahamit, Unë jam”, publiku i tij hebre e dinte mirë se Ai po pretendonte të ishte i barabartë me Perëndinë. Prandaj morën gurë ta vrisnin.

Kur Jezusi u vetëidentifikua si Biri i Njeriut, siç përmendet në profecinë e Danielit, gjykata e lartë hebreje e dinte mirë se Ai po pretendonte të ishte sundimtari paraekzistues dhe gjykatësi i universit. Për pasojë, ata e dënuan Atë njëzëri me vdekje.

Jo, Jezusin nuk e keqkuptuan. Për hebrenjtë, pretendimi i Tij se ishte Perëndia ishte i pangatërrueshëm.

Po ky shpjegimi tjetër? Ndoshta Jezusi ishte një legjendë. Në shekujt e parë pas jetës së Jezusit “të vërtetë”, ndjekësit e Tij shpikën idenë se Jezusi ishte Perëndia. A është e vlefshme kjo? A erdhi më vonë besimi në hyjninë e Jezusit, apo besuan vërtet të krishterët e parë se Jezusi ishte Perëndia?

Sërish, provat historike flasin qartë se shkrimtarët e hershëm të krishterë i referoheshin qartë Jezusit që është” Perëndia ynë”, Jezusit që është “edhe Perëndi, edhe njeri”, Jezusit që “nuk është thjesht njeri, por Perëndi”. Pra, ideja se Jezusi i Nazaretit ishte Perëndia nuk u shpik aspak pas nisjes së lëvizjes së krishterë. Të krishterët e kanë besuar gjithmonë këtë, që prej fillimit. Pra, ky shpjegim bie.

Një mënyrë tjetër për të kuptuar pretendimin e Jezusit se ishte Perëndia është të mendojmë se Ai ishte një strateg i zgjuar politik. Ai pretendoi në mënyrë të gënjeshtërt të ishte Perëndia, me shpresën që ta bënte të përqendruar qëndresën hebreje ndaj shtypësve të tyre romakë.

Megjithatë, në kulturën hebreje nuk ishte ide e mirë të pretendoje barazi me Perëndinë. Në fakt, ky ishte krim i dënueshëm me vdekje.

Jezusi e bëri të qartë se nuk ishte revolucionar politik, dhe vetë qeverisja romake e shpalli të pafajshëm për nxitje rebelimesh. Pra, as ky shpjegim nuk bën.

A është e mundur që Jezusi historik të mos ketë ekzistuar kurrë? Jo. Përveç dëshmisë okulare të katër biografëve të Tij më të hershëm, shumë historianë grekë, romakë e hebrenj e kanë dokumentuar ekzistencën e “Jezusit që quhet Krisht”. Në fakt, ka po aq prova të dokumentuara për ekzistencën e Jezusit saç ka për Jul Cezarin. Për këtë arsye, shumica dërrmuese e studiuesve të Dhjatës së Re konfirmojnë se Jezusi ishte një figurë e vërtetë historike që ka jetuar e ka marrë frymë.

Për këdo që i shqyrton provat në mënyrë objektive, të gjitha këto shpjegime dështojnë. Por, për atë që është mendjehapur, ekziston edhe të paktën një opsion për t’u marrë parasysh: ndoshta Jezusi ishte Ai që pretendoi të ishte.

Ndryshe nga shpjegimet e tjera, ky shpjegim përputhet përsosmërisht me të dhënat historike. Por ka një problem madhor: nuk është i sigurt. Kjo sepse, nëse Jezusi vërtet është Perëndia në mish njeriu, atëherë jeta jote nuk është jotja dhe jeta e vërtetë mund të gjendet vetëm në Të.

Përktheu: Brunilda Rustani

Përdorur me leje nga www.impact360institute.org