Katër dashuritë

0
64

Nga Ylli Doçi

-Dashuria është një gjë e vështirë për t’u shpjeguar mirë. Megjithatë, për ta arritur këtë, mendoj se duhen vënë në dukje tri aspekte dashurisë: natyra, shkallët dhe llojet e dashurisë. Natyra e dashurisë, të cilës unë i referohem si “forma” e dashurisë, është dhënia e vetes. Kjo do të thotë të japësh më të mirën nga vetja, pa pritur asgjë në kthim. Dashuria është edhe e matshme. Ajo ka edhe shkallë të madhësisë se saj, duke filluar nga një buzëqeshje apo një fjalë e mirë e deri te një akt sublim vetësakrifice për personin e dashur që është shkalla më e lartë e dashurisë. Gjithashtu, dashuria shfaqet në katër lloje: dhembshuria, miqësia, erosi dhe agape.

Duke ndjekur autorin tim të preferuar në këtë aspekt, C.S.Lewis, unë do të përpiqem të shpjegoj në këtë artikull katër llojet e dashurise. Për t’i kuptuar më mirë katër llojet e dashurisë do t’i krahasoj ato me katër lloje frutash: dardhën, rrushin, shegën dhe mollën.

 

U kujtohet shprehja: “Dardha nen dardhe bie”?

Kjo do të na kujtojë konceptin e afërsisë që thekson dhembshuria. Dhembshuri është përkthimi i fjalës greke storge dhe i referohet llojit të dashurisë për anëtarët e familjes tënde, për vëllanë e motrën, prindërit apo njerëz të afërm. Kjo lloj dashurie manifestohet në shoqërizimin e afërt të personave me njëri-tjetrin. Dhembshuria mund të kuptohet si një dashuri bazë mbi të cilën mund të vendosen edhe dashuri të llojeve te tjera. Për ta dalluar dhembshurinë nga llojet e tjera të dashurisë mund të sjellim si shembull puthjen e nënës, e cila dallon nga puthja e llojit tjetër të dashurisë që përfaqëson erosi. Dallimi nuk është në intensitetin e puthjes, por në llojin e saj. Sot nuk ka dashuri më të keqkuptuar se miqësia dhe nuk ka humbje më të madhe në fushën e dashurisë sesa ngatërrimi i miqësisë me erosin apo dashurinë seksuale.

Fjala miqësi është përkthim i fjalës greke fileo, e cila i referohet llojit të dashurisë që shfaqet midis shokëve ose shoqeve të një grupi që bëjnë lloj-lloj aktivitetesh bashkë. Ajo është si një lloj zbulimi i dikujt që e sheh një gjë nga këndvështrimi yt. Dikush ka thënë se pa erosin askush nuk do te kishte lindur, kurse pa dhembshurinë askush nuk do të ishte rritur. Në këtë këndvështrim, ndryshe nga dashuritë e tjera, miqësia është biologjikisht e panevojshme dhe prandaj e kanë quajtur dashuria engjëllore. Dashuria e llojit miqësi dallohet pikërisht për këtë ajër pastërtie e thjeshtësie që nuk e ka fokusin te personi tjetër, por tek aventura e përbashkët. Miqësia i vendos shokët krah për krah, duke folur për fokusin apo hobin ose aventurën e përbashkët. Arsyeja pse unë kam zgjedhur rrushin për të prezantuar këtë lloj dashurië është se në këtë lloj dashurie sa më shumë shokë të kesh që ndajnë me ty këtë interes të përbashkët, aq më shumë rritet kjo dashuri. Ndoshta një nga dobësite më të mëdha të kohës sonë është se nuk dimë të ruajmë dhe kultivojmë shijen e pakrahasueshme të miqësisë. Kur flasim për miqësi, kryesisht bëhet fjalë për dy shokë ose për dy shoqe, sepse pothuajse gjithmonë, nëse një djalë bëhet shok me një vajzë për arsye të interesit të njëjtë te matematika apo çfarëdo tjetër, herët ose vonë do të kapërcehet në emocione romantike, sepse erosi është një pjerrësi rënieje në distancën midis sekseve të kundërta, ku mund të rrëshqasësh lehtë. S’ka asgjë të keqe apo të çuditshme në këtë zhvillim të marrëdhënies, por kemi kaluar nga miqësia tek erosi, në një lloj tjetër dashurie. Fakti i mirënjohur i bashkekzistencës së miqësisë dhe erosit tregon pikërisht dallimin midis tyre. Miqësia mund të jetë një bazë e mirë për dashurinë romantike, por këto dy dashuri janë të ndryshme.

 

Erosi i referohet asaj lloj dashurie që nënkuptohet nga djali kur thotë se dashuron një vajzë. Seksi është vetëm një përbërës i kësaj dashurie, sepse aktiviteti seksual ndodh edhe pa erosin. Erosi, ndryshe nga seksi fizik, është ajo dashuri që do personin, jo kënaqësinë për veten. Ai e bën njeriun t’i thotë personit të dashur: “Për ty jap jetën!” Erosin unë e prezantoj me frutin e shegës, fruti më misterioz me shumë dhoma plot lëng të kuq. Ajo duhet ngrënë me kujdes, sepse njollat që lë nuk hiqen dot. Prandaj duhet të hahet veshur me rrobat e martesës. Por erosi nuk të mban dot në majën e dashurisë përgjithmonë, sepse zemra e njeriut luhatet dhe kërkon interesin e vet e jo dhënien e vetes ne dashuri, prandaj që nga lashtësia i këndohet kështu erosit: “Vajtoni vajza Erosin përmbi varr, se prej asgjëje vdiq këtu papritur. Në vdiq vërtet s’e them dot me karar, se ngjallet shpesh papritur e paditur”. Erosi ka nevoje per një dashuri tjetër.

Dashuria tjetër që duhet kuptuar dhe mbajtur në themel të dashurive ka në vetvete esencën e gjithë dashurive dhe lidhet me burimin e gjithë dashurisë. Ajo është dashuria agape ose dashuria e përtejkësojetshme. Kjo dashuri është më e vështira për t’u shpjeguar dhe për t’u kuptuar mirë. Ajo ka ngjashmëri me llojet e tjera që diskutuam: ka paqtimin e dhembshurisë, pastërtinë e miqësisë, përkushtimin e erosit, por ka pakthyeshmërinë apo mosluhatjen e zemrës që e bën të ndryshme. Unë kam zgjedhur ta prezantoj këtë dashuri me mollën, sepse dua të mbajmë parasysh thënien: “Molla e mban larg mjekun”, duke nënkuptuar që kjo dashuri mban larg sëmundjen e egoizmit që është e kundërta e dashurisë. Kjo është dashuria e painteres dhe pa kushte ndaj tjetrit. Një përmasë e rëndë- sishme e kësaj dashurie është vullneti i lirë e i pandryshueshëm për të dashur tjetrin, pavarësisht nga kostot, edhe kur tjetri është i padëshirueshëm dhe jo i nevojshëm për ty. Agape është fjala greke e përkthyer në latinisht si karitas, që ne e lidhim me bamirësinë. Nëse kemi thënë që në natyrën e dashurisë është dhënia e vetes ndaj tjetrit, kush do të përbënte burimin e dashurisë përveç dikujt që s’ka asnjë nevojë, por megjithatë është gjithnjë dhurues?

Vetëm Perëndia mund të jetë burimi i dashurisë në esencën e vet dhe dashuritë që gjejmë në jetën njerëzore janë reflektime të kësaj dashurie gjithmonë dhënëse, agape, dashuria e përtejkësojetshme. Bibla mëson se Perëndia aq shumë i deshi njerëzit, saqë dha veten e tij në Jezusin, që të gjithë ata që e pranojnë, të jetojnë në këtë dashuri të përjetshme.

Prandaj, kur kuptojmë dhe përfshihemi në këtë lloj dashurie agape, mësojmë shijen e dhënies së vetes kësaj dashurie që është Perëndia dhe kështu hamë nga molla e shëndetit të dashurisë.