JETOJMË SIKUR JEMI GATI DUKE U BËRË PERËNDI

0
17

Nga Oliver Burkeman – The Guardian

Sa më shumë përshpejton jeta, aq më të paduruar bëhemi. Logjikisht, nuk duhej të ishte kështu. Në botën e larjes së enëve me makineri dhe avionëve të shpejtë, falë gjithë atyre orëve që kursejmë, duhej të kishim më shumë kohë për të bërë gjërat që na interesojnë vërtetë. Por në realitet nuk e kemi hiç këtë ndjesi. Përkundrazi, nervozohemi edhe për vonesën më të vogël. Por, ndërsa koha që do të donim për të kënaqur dëshirat tona i afrohet zeros, çdo gjë shndërrohet në një përplasje. Po të dinim që një udhëtim do të zgjaste në pafundësi – si për shembull në kohët e udhëtarëve të mesjetës apo pasagjerët e anijeve me avull të tetëqindës – nuk do të vrisnim mendjen kaq shumë.

Eshtë pikërisht për shkak se makinat sot ecin kaq shpejt, që ne bëhemi shumë të paduruar kur kjo nuk ndodh. Online është e kollajtë të ndjehemi të lirë nga pengesat e realitetit, kemi ndjesinë se mund të jemi kudo, të dijmë gjithçka dhe të vizitojmë cilindo vend të planetit në një moment. Dhe sa herë që vetëdijësohemi se në fakt nuk është kështu, ndihemi të zhgënjyer. Nuk është vetëm problem padurimi. Zemërimi që shpesh shpërthen në rrjetet sociale, kundër atyre që kanë mendime ndryshe nga tonat, tregon të njëjtën indinjatë: si mund të sfidojë tjetri pushtetin tim për të fiksuar rregullat?

Jetojmë sikur jemi gati duke u bërë perëndi, por nuk ia dalim kurrë. Ndaj nuk duhet të habitemi që më pas zemërohemi, kur dikush na kujton se kjo nuk do të ndodhë.”

Përktheu: Elton Kikia