Jeta ME Perëndinë

0
236

Në librinWith: Reimagining the Way You Relate to God” [1], Skye Jethani na prezanton me pesë mënyra si lidhen njerëzit me Perëndinë. Në pjesën e parë autori përshkruan katër qëndrime, të cilat edhe pse mund të kapin disa elementë të së vërtetës, përsëri ngelen të paplotë në përjetimin e bashkësisë me Perëndinë.

Së pari, Jethani përshkruan qëndrimin Jeta nën Perëndinë dhe e përkufizon atë me terma shkak-pasojë, “po ti bindemi urdhërimeve të Tij, Ai bekon jetët tona”. Kjo ndodh kur fokusi është nderimi i Perëndisë në mënyrë që të marrim prej Tij paqe dhe bekime. Ironia qëndron në faktin që duke u sjell në këtë mënyrë ne mendojmë se po e kontrollojmë Zotin përmes bindjes sonë.

Më tej, autori vazhdon të përshkruajë tendencën tonë për ta kufizuar besimin në parime, ligje dhe udhëzime të zbatueshme dhe e quan këtë qëndrim Jeta mbi Perëndinë. Sipas Jethanit, prapa këtij qëndrimi mund të jetë ndikimi i kulturës post-iluministe me përfaqësues deizmin, sekularizmin dhe ateizmin, të cilët kanë një presupozim të përbashkët, “Zoti nuk ndërhyn në jetën tonë të përditshme”.

Më pas Jethani flet mbi qëndrimin Jeta nga Perëndia, dhe e cilëson atë si një përqasje konsumatoriste, në të cilën njerëzit duan bekimet e Perëndisë, por nuk duan t’ia dinë për Atë vetë. Ky qëndrim e sheh Zotin si plotësuesin e dëshirave, “ne i kërkojmë atë që na nevojitet dhe Ai e siguron për ne”. Jethani sqaron se nuk është gabim t’i kërkosh Zotit gjëra të ndryshme, por është gabim kur kjo kthehet në mënyrën e vetme të lidhjes me Të.

Për Jethanin, ekziston edhe një qëndrim tjetër, Jeta për Perëndinë, besimi që ne ekzistojmë për të përmbushur gjëra të mëdha për Zotin. Në këtë qëndrim misioni bëhet më i rëndësishëm sesa Zoti. Ajo që mund të fshihet prapa këtij qëndrimi është kërkimi i qëllimit përmes asaj që bëjmë për Zotin në vend që të jemi me Zotin.

Dhe së fundi, Jethani flet për Jetën me Perëndinë. Krahasuar me qëndrimet e tjera Jeta me Perëndinë është ndryshe sepse qëllimi i saj nuk është të përdorë Perëndinë, qëllimi është vetë Perëndia. “Jeta me Perëndinë” do të thotë ta çmosh marrëdhënien me Perëndinë mbi çdo gjë tjetër. Vetëm Jeta me Perëndinë mund të na çojë drejt besimit, shpresës dhe dashurisë. Besim do të thotë t’i zësh besë Perëndisë, i cili jo vetëm që na ndihmon të kontrollojmë frikërat tona, por i largon ato prej nesh. Shpresa nuk varet nga rrethanat tona, sjellja apo vendimet, por nga bashkimi ynë me Zotin. Dhe dashuria jonë për të tjerët rrjedh nga dashuria pa kushte që ne përjetojmë ndërsa jemi me Të.

Ky libër na ndihmon për të kuptuar dhe shmangur mënyrat e gabuara të lidhjes me Pëndinë, të cilat megjithëse mund të mbartin një pjesë të së vërtetës, nuk japin një tablo të plotë të asaj që Zoti ka si qëllim për ne. Nëse ne besojmë që po jetojmë me Zotin për shkak se po zbatojmë parime e tij në jetën tonë, apo sepse bëjmë një jetë fetare në mënyrë që të marrim bekimet e Tij, apo sepse përpiqemi t’i pëlqejmë Atij duke marrë pjesë në misione të ndryshme, apo sepse i sjellim para Tij nevojat tona në mënyrë që Ai të sigurojë për ne, ne nuk po manipulojmë Zotin, por vetveten.

Libri With na informon se Zotit i intereson që marrëdhënia jonë me Të të jetë gjëja më e rëndësishme e jetëve tona. Të mos i zbatojmë parimet e Tij dhe ta harrojmë Zotin vetë. Të mos i kërkojmë Atij që thejsht të plotësojë dëshirat tona, por të qëndrojmë pranë Tij në mënyrë që Ai të vendosë dëshirat e Tij në ne. Të mos i bindemi që Ai të na shpërblejë, por t’i bindemi Atij për shkak të asaj që Ai tashmë ka bërë për ne. Të mos e kërkojmë qëllimin tonë duke i shërbyer Perëndisë, por për shkak se i tashmë na e ka dhënë qëllimin e jetës, ne të shërbejmë që t’ua ofrojmë edhe të tjerëve këtë mundësi. Ne mund t’i vëmë të gjitha këto në veprim dhe me motivin e duhur, nëse qëndrojmë vazhdimisht ME Të.

Nga Kaon Serjani

[1] Skye Jethani, With: Reimagining the Way You Relate to God. Nashville: Thomas Nelson, 2011.