Integriteti! No trendy!

0
29

Nga B.L.

Drejtësi! Ndershmëri! Moral! Sinqeritet! Janë këto disa prej fjalëve me të cilat mund të përkufizojmë atë që quhet integritet. Fjalë që, për shumë njerëz në ditët e sotme, mund të duken dhe duken të dala mode. Por çfarë është integriteti në vetvete? Përcaktimet e mësipërme janë disa prej karakteristikave të tij, ndërsa integriteti si një i tërë është paaftësia për të vepruar sipas parimit të njerëzve të quajtur pragmatistë, sipas të cilëve, qëllimi justifikon mjetin.

Një miku im, gjatë një bisede për një gjyqtar, po më thoshte se ai ishte shumë i zoti. Të njëjtin mendim me të ndaja edhe unë, por argumentet tona ishin të ndryshme. Sipas tij, gjyqtari për të cilin po diskutonim ishte i zoti, për faktin se kishte bërë shumë para gjatë punës së tij, edhe pse kishte shkelur ligjin, duke marrë rryshfet, gjë që për mua nuk ishte zotësi, por vjedhje. Nuk është për t’u çuditur, pasi sot hajdutët quhen të zotë, ndërsa të ndershmit budallenj, gënjeshtarët dhe mashtruesit quhen praktikë, ndërsa të drejtët dhe të sinqertët jashtë kohe! Të parët, ata pra që quhen të zotë dhe praktikë, gjithnjë e më shumë po shtohen, të dytët ndërkohë, vijnë gjithnjë e më shumë duke u pakësuar. Po fundja, ku qëndron problemi këtu? Ç’rëndësi ka të jemi njerëz me integritet, kur pa këtë të fundit mund të arrijmë shumë më lehtë dhe pa na brejtur ndërgjegjia, shkolla më të mira, pozicione dhe poste pune më të mira, më shumë para etj, që mund të na e bëjnë jetën më të lehtë?!

Për mua kjo gjë ka rëndësi. Ka rëndësi sepse shkolla, puna, karriera, paratë etj, vërtet janë qëllim dhe pikësynim i jetës njerëzore, por kjo nuk mund dhe nuk duhet që të na shtyjë drejt humbjes së vlerave që për shekuj me rradhë kanë mbajtur njerëzimin në këmbë. Kur kjo gjë ka ndodhur, ajo ka rezultuar fatale për njerëzimin.

Mjafton të kujtojmë këtu historinë e disa prej perandorive më të mëdha në botë, të cilat, në momentin që devijuan dhe humbën vlerat mbi të cilat qëndronin, pushuan së ekzistuari. Perandoria Greke ra kur humbi vlerën e demokracisë, perandoria Romake ra kur humbi vlerën e parlamentarizmit, perandoria Ruse ra kur pushteti u përqendrua në dorën e një njeriu të vetëm etj. Janë të shumta rastet e njerëzve më të pasur në botë që gjithë jetën ia kanë kushtuar karrierës dhe parave, duke shkelur çdo parim dhe moral, të cilët, kur kanë kthyer kokën prapa në fund të jetës së tyre, kanë parë se i kanë kushtuar jetën diçkaje që kurrë nuk mundi të mbushë boshllëkun e zemrës së tyre. Atë boshllëk mund ta mbushë vetëm besimi në Zotin.

Është pikërisht ky besim, i cili ka mbajtur në këmbë gjatë gjithë historisë vlerat morale dhe parimore, siç është dhe integriteti, me anë të të cilave njeriu i ka vënë kufij ligësisë dhe egërsisë së tij, të cilat mund të shkatërronin gjithë jetën njerëzore. Thirja e Palit në Bibël, “Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët”(Efesianëve), është në fakt thirrja që ka prekur dhe udhëheq zemrat e milionave njerëzve në botë dhe me anë të së cilës vlerat si integriteti vazhdojnë të mbeten të fuqishme dhe udhëheqëse për shoqëritë njerëzore, pavarësisht zbehjes së tyre.

. . . Çarls Spërxhëni ka shkruar kështu:

 “Epitafi më i mirë mbi varrin tënd është karakteri i mirë. Ata që të deshën dhe që gjetën ndihmë prej teje, do të të kujtojnë, ndërsa numri i atyre që kanë për të të harruar, do të zvogëlohet. Gdhënde emrin tënd në zemrat e njerëzve, jo mbi mermer”.

Mënyra se si jetojmë tregon se cilët jemi. Njerëzit shohin sjelljen dhe veprimet tona. Integriteti ka të bëjë me përputhjen e asaj që bëjmë e me atë që themi. E kundërta e integritetit është hipokrizia. A jemi të ndershëm, besnikë dhe të sinqertë në jetën tonë të përditshme? A veprojmë ashtu si mendojmë? Cilat do të doje të ishin fjalët e epitafit tënd? Ti ke nisur tashmë t’i gdhendësh ato.