I vetëmlinduri Bir

0
61

 

Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij.” —1 Gjonit 4:9

Gjatë sezonit të Krishtlindjes, ndërsa fokusohemi plotësisht te Perëndia dhe Biri që u bë mish, ne lexojmë në Ungjillin e Gjonit përshkrimin e “të vetëmlindurit” Perëndi Bir. Gjoni fletë për ardhjen e Krishtit, të cilit i referohemi si Jezus Krishti, “i vetëmlinduri prej Atit” (Gjoni 1:14), “i vetëmlinduri Bir” (Gjoni 1:18), “Birin e Tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16), “E Birit të vetëmlindur të Perëndisë” (Gjoni 3:18) dhe “Birin e Tij të vetëmlindur” (1 Gjoni 4:9).

Por çfarë duhet të nënkuptojmë ne me shprehjen “i vetëmlinduri”?

Nga një përmbledhje e të dhënave leksikore mbi termin “i vetëmlinduri” ne mund të arrijmë në konkluzionin që theksi i Gjonit në përdorimin e këtij termi është mbi unicitetin absolut të Jezus Krishtit si Biri i Perëndisë. Ai është Biri i Perëndisë në një sens që asnjë tjetër nuk është. “I vetëmlinduri” është përdorur si një titull, me anë të të cilit Perëndia Atë përshkruan Birin. Ky titull përcjell një sens nderimi, i cili është i pakrahasueshëm dhe i pashembullt.

Uniciteti i Jezus Krishtit mund të shihet në: (1) qenien ose natyrën e Perëndisë Bir Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.(1 Tim. 2:5); (2) rolin zbulues të Perëndisë Bir ndaj njerëzimit: “Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e Atit, ai e bëri të njohur” (Gjoni 1:18); dhe (3) sigurimi i shpëtimit përmes Perëndisë Bir: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” (Gjoni 3:16).

Këto të vërteta kaq të thella në lidhje me “të vetëmlindurin” Bir të Perëndisë, duhet të zgjojnë në ne një ndjesi nderimi, mahnitjeje, druajtjeje dhe misteri ndaj një shpëtimi kaq të madhërishëm, i cili erdhi në ne përmes Mishërimit të Birit të Perëndisë, të “vetëmlindurit” të Atit. Le të shohim fjalët e shkruara nga poeti latin i krishterë i shekullit të katërt, Prudentius:

Nga dashuria e vetëmlindur e Atit

Në ekzistencë erdhi kjo botë.

Ai është Alfa dhe Omega,

Ai është fillimi, fundi Ai.

I gjërave që janë dhe kanë qenë,

Dhe i viteve që e ardhmja do të sjellë.

Përgjithmonë e përgjithmonë.

Lavdia i qoftë Perëndisë! Amen!

Keith Wells, DMin

Asistent Profesor i Bibliografisë Teologjike dhe Kërkimore, Seminari i Denverit, Kolorado.

Përktheu per Unë Besoj: Ana Llakaj.