Heshtja dhe vlera e të qëndruarit vetëm

0
236

Nga Dietrich Bonhoeffer

Ai që nuk mund të rrijë vetëm, le të ketë kujdes në komunitet, sepse vetëm sa do lëndojë veten dhe komunitetin. I vetëm qëndrove përpara Perëndisë kur të thirri, i vetëm t’u desh t’i përgjigjeshe asaj thirrjeje, i vetëm t’u desh të luftoje dhe të luteshe dhe i vetëm do të vdesësh dhe do t’i japësh llogari Perëndisë. Ti nuk mund të arratisesh nga vetvetja, sepse Zoti të ka hequr mënjanë. Nëse refuzon të jesh vetëm atëhere po refuzon thirrjen e Krishtit për ty dhe mund të mos bëhesh pjesë e komunitetit për të cilin je thirrur. “Sfida e vdekjes vjen për secilin prej nesh dhe asnjë nuk mund të vdesë në vend të një tjetri. Gjithkush duhet ta luftojë vetë betejën e vet deri në vdekje, i vetëm…unë nuk do të jem me ju në atë moment dhe as ju me mua.” (Luteri)

Por edhe e anasjellta është e vërtetë gjithashtu: Ai që nuk është në komunitet të ruhet nga të ndenjurit vetëm. Ne jemi thirrur për të qenë në komunitet, thirrja nuk ishte vetëm për ty; në komunitetin e atyre që janë thirrur ti mban kryqin tënd, ti lufton, ti lutesh. Ti nuk je asnjëherë vetëm, edhe në vdekje, dhe Ditën e Fundit ti do të jesh vetëm një anëtar i asamblesë së madhe të Jezus Krishtit. Nëse ti përçmon shoqërinë e vëllezërve e motrave, ti refuzon thirrjen e Jezus Krishtit dhe në këtë mënyrë vetmia jote vetëm mund të të lëndojë ty. “Nëse unë vdes, atëhere nuk jam i vetëm në vdekjen time; nëse unë vuaj [bashkësia] vuan bashkë me mua.” (Luteri).

Ne e kuptojmë atëhere se vetëm kur jemi brenda një bashkësie mund të qëndrojmë vetëm, dhe vetëm ai që mund të qëndrojë vetëm mund të jetojë edhe në një bashkësi. Vetëm në bashkësi mund të mësojmë të përjetojmë vetminë siç duhet dhe vetëm në vetmi mësojmë të jetojmë siç duhet në bashkësi. Nuk është se njëra filloi përpara tjetrës, të dyja filluan në të njëjtën kohë, që do të thotë me thirrjen e Jezus Krishtit.

Secili person ka gracka dhe rreziqe të mëdha. Ai që kërkon miqësi pa vetmi kridhet në boshllëkun e fjalëve dhe ndjenjave dhe ai që kërkon vetmi pa miqësi/bashkësi humbet në humnerën e kotësisë, keqardhjes për veten dhe dëshpërimit.

Ai që nuk mund të rrijë vetëm duhet të ketë kujdes nga komuniteti. Ai që nuk është në komunitet duhet të ketë kujdes nga vetmia.

Jeta e një familjeje të krishterë nën shoqërinë e njëri-tjetrit, shoqërohet gjithmonë me ditën e vetmuar të individit. Kështu duhet të jetë! Dita së bashku do të jetë e pafrytshme pa ditën vetëm, edhe për familjen edhe për individin. Shprehja e vetmisë është heshtja, ashtu siç është e folura shprehja e komunitetit. Heshtja dhe e folura kanë të njëjtën korrespondencë dhe ndryshim të brendshëm si edhe vetmia me komunitetin. Njëra nuk ekziston pa tjetrën. E folura e duhur vjen nga heshtja, dhe heshtja e duhur vjen nga e folura.

Heshtja nuk nënkupton paaftësi për të folur, dhe as e folura nuk nënkupton dërdëllitje. Paaftësia për të folur nuk krijon vetmi dhe dërdëllitja nuk krijon bashkësi. “Heshtja është teprica, dehja, viktima e të folurit. Por paaftësia për të folur është e pashenjtë, si diçka e sakatosur, jo e sakrifikuar në mënyrë të pastër. Zakaria ishte pa fjalë, në vend që të ishte i heshtur. Nëse do ta kishte pranuar zbulesën, ndoshta mund të kishte dalë nga tempulli jo i pagojë por i heshtur.” (Ernest Hello) E folura, Fjala që bashkon dhe lidh bashkësinë, shoqërohet nga heshtja. “Ka një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur.” (Predikuesi 3:7). Ashtu si për një të krishterë ka një sasi orësh ditore për Fjalën e Perëndisë, veçanërisht kohë për adhurim dhe lutje të rregullt, po ashtu gjatë ditës ka nevojë për një kohë të caktuar për heshtje, heshtje përpara Fjalës së Perëndisë dhe heshtje që vjen nga Fjala. Këto zakonisht do të jenë momentet para dhe pasi të keni dëgjuar Fjalën. Fjala nuk vjen tek dërdëllitësi, por tek ai që e kafshon gjuhën e vet. Qetësia e tempullit është shenjë e pranisë së shenjtë të Perëndisë në Fjalën e Vet.

Ekziston një sjellje indiferente, ose ndoshta edhe negative kundrejt heshtjes, ku vihet re një shpërfillje e zbulesës së Perëndisë në Fjalën e Tij. Ky këndvështrim e keqinterpreton heshtjen si një gjest ceremonial, si një dëshirë mistike për të shkuar përtej Fjalës. Kjo bën që të humbasë marrëdhënia thelbësore e heshtjes me Fjalën. Qetësia është heshtje e thjeshtë e individit nën Fjalën e Perëndisë. Ne qëndrojmë të heshtur para se të dëgjojmë Fjalën sepse mendimet tona tashmë janë drejtuar për te Fjala, ashtu si një fëmijë është i heshtur kur hyn në dhomën e atit të vet. Ne jemi të heshtur edhe pasi e dëgjojmë Fjalën sepse ajo vazhdon të na flasë dhe të banojë në ne. Ne jemi të heshtur në fillim të ditës, sepse Perëndia duhet të thotë fjalën e parë, dhe jemi të heshtur edhe para se të flemë gjithashtu, sepse edhe fjala e fundit i takon Perëndisë.

Ne rrimë në heshtje vetëm për hir të Fjalës, jo për të treguar nënvleftësim për Të, përkundrazi, për ta nderuar dhe pranuar atë. Heshtja nuk është asgjë tjetër përveçse pritje për Fjalën e e Perëndisë, e cila vjen prej Tij me një bekim. Por të gjithë e dimë që kjo është diçka që duhet të mësohet dhe praktikohet, në këto ditë kur mbizotërojnë fjalët e shumta. Heshtja e vërtetë, qetësia e vërtetë, mbajtja e gojës për të mos folur, vijnë vetëm si pasojë e vetëdijshme e heshtjes shpirtërore. Kjo heshtje përpara Fjalës do ta shtrijë ndikimin e vet gjatë gjithë ditës. Nëse kemi mësuar të qëndrojmë në heshtje përpara Fjalës, ne gjithashtu do të mësojmë të menaxhojmë heshtjen dhe të folurin tonë gjatë ditës. Ekziston edhe diçka e tillë që quhet heshtje e ndaluar, vetëtoleruese, krenare dhe fyese. Dhe si e tillë ajo nuk mund të jetë kurrë heshtje e mirëfilltë. Heshtja e të krishterit është një heshtje që dëgjon, një qetësi përulësie e cila mund të ndërpritet në çdo kohë për hir të përulësisë. Është heshtje e ndërthurrur me Fjalën. Këtë kishte ndër mend Tomas Kempis kur shkroi: “Asnjë nuk flet me siguri, përveç atij që me kënaqësi do të rrinte në heshte nëse do të duhej.”

Në qëndrimin në heshtje ka një fuqi të mrekullueshme qartësimi, pastrimi dhe përqendrimi te thelbësorja. Kjo është e vërtetë edhe pse është thjesht një fakt laik. Por heshtja para Fjalës na bën të dëgjojmë siç duhet dhe ta flasim siç duhet Fjalën e Perëndisë në kohën e duhur. Shumë gjëra të panevojshme qëndrojnë të pathëna, por ajo që është thelbësore dhe ndihmëse mund të thuhet me vetëm pak fjalë.

Nëse një familje jeton në një ambient të ngushtë ku individi nuk ka mundësi të sigurojë qetësinë e nevojshme, kohët sistematike në qetësi janë absolutisht të domosdoshme. Nëse i takojmë njerëzit pasi kemi kaluar një kohe në heshtje, ne do të ndihemi ndryshe, të rifreskuar. Bashkësia duhet të sigurohet të përmbushë nevojën e individit për të qëndruar vetëm, duke e ruajtur në këtë mënyrë bashkësinë vetë nga lëndimi, thjesht duke adoptuar një stil jetese sistematik. Ne nuk do t’i shqyrtojmë këtu të gjitha përfitimet e mrekullueshme që mund të ketë një i krishterë si rrjedhojë e qëndrimit vetëm dhe në heshtje. Në këtë pikë është shumë e lehtë të dalësh nga rruga. Ne mund të numërojmë një sërë eksperiencash negative që vijnë si pasojë e heshtjes. Ajo mund të jetë një përvojë e tmerrshme për shkak të vetmisë dhe frikërave të saj. Gjithashtu mund të jetë një parajsë e gënjeshtërt e vetëmashtrimit; kjo e fundit nuk është aspak më e mirë se e para. Pavarësisht gjithçkaje, askush të mos presë nga heshtja diçka tjetër përveçse një takimi të drejtpërdrejtë me Fjalën e Perëndisë, për hir të së cilës ai ka vendosur të rrijë në heshtje. Por ky takim do t’i jepet atij. I krishteri nuk do të vendosë kushte në lidhje me atë që pret apo shpreson të marrë nga ky takim. Nëse ai thjesht do ta pranojë atë, heshtja e tij do të shpërblehet bujarisht.

Përktheu pë Unë Besoj: Ana Llakaj

Shkrimi është një fragment i shkëputur nga libri Life Together and Prayerbook of the Bible. Dietrich Bonhoeffer Works, Vol. 5. Minneapolis: Fortress Press, 1996.