Haley Rolf

0
152

 

Emri im është Haley. Unë jam e dashuruar me çdo gjë që ka lidhje me skenën, me teatrin, muzikën…i kam dashur këto që kur kam qenë shumë e vogël. Prindërit gjithmonë më kanë thirrur ‘Ylli’ i vogël i familjes. Asnjëra nga familjet e tyre nuk ka patur artistë në të, prandaj unë jam e para.

Unë e kam nisur muzikën që në klasë të parë. Doja të bëhesh një ‘yll muzike’, doja të isha e famshme dhe ta shfrytëzoja sa më shumë që të mundesha dhuntinë që më ishte dhënë për artin dhe performancën. Megjithatë unë gjithmonë e krahasoja veten me të tjerët në këtë aspekt. Duke u rritur shikoja personat e tjerë dhe mendoja: “Uaa, sa i zoti apo e zonja është!” dhe përpiqesha t’i arrija, por në fakt vetëm sa e ulja veten time më poshtë dhe në një farë mënyre po e humbisja fokusin. Unë vazhdoja të mendoja që nuk isha aq e mirë sa të tjerët duke humbur kështu rrugën time. Fillova të luftoja me imazhin që kisha për veten si person dhe si artiste dhe mendoja që nuk do të arrija asnjëherë asnjë gjë. Kjo bëhej gjithmonë e më e vështirë sepse nuk kisha se ku të mbështetesha për ndihmë, nuk isha e përfshirë me besimin apo diçka të tillë.

Në familjen tonë ne jemi të gjithë të krishterë, por në të vërtetë unë asnjëherë nuk i kisha hyrë thellë ndonjë besimi të caktuar. Unë personalisht nuk e kisha përjetuar atë momentin e veçantë të të kuptuarit të rëndësisë së besimit tim. Pohoja që isha e krishterë vetëm sepse kështu donin prindërit e mi. Unë duhet të isha e krishterë sepse përndryshe nuk kisha çfarë të isha.

Rreth klasës së shtatë unë e humba krejtësisht rrugën time si e krishterë. Madje për pak hoqa dorë plotësisht edhe nga performancat e mia sepse nuk po e gjeja veten asgjëkundi. Po kaloja përmes një krize identiteti dhe isha e pakënaqur gjithë kohën me veten dhe të tjerët, fillova të izoloj veten time dhe të zhytem në frikë, dhe nuk dija si ta kapërceja këtë gjendje.

Në klasën e nëntë, fillova t’i kthehem përsëri performancës sime, e megjithatë vazhdoja të luftoja me besimin tim. Nuk dija çfarë të besoja. A ekzistonte Zoti, apo ekzistonin disa të tillë?! Gjatë një prej orëve të Mësimit të Biblës unë shkrova një ese me titull: “Si mendoni, çfarë ka bërë Zoti në jetën tuaj?” dhe për shkak se kisha përjetuar kaq shumë ankth dhe dëshpërim në jetën time, fillova të kuptoj përse jam kjo që jam, përse kam përjetuar gjithë këto gjëra. Kuptova që të gjitha këto kishin për qëllim që unë të ndihmoja persona të tjerë që po kalonin situata të ngjashme me të miat, që të mund t’i kuptoja dhe këshilloja për t’i kapërcyer këto situata. Gjithashtu kuptova që të gjitha këto nuk ishin ngjarje të rastësishme apo aksidentale, por ishte dora e Zotit. Ishte Shpirti i Shenjtë që vepronte në jetën time. Unë gjithmonë e kam konsideruar veten një person që u jep të tjerëve nga vetja. Mua më pëlqen të ndihmoj njerëzit dhe përmes kësaj unë shoh Perëndinë. Asgjë tjetër që mund të shpjegojë dashurinë time për njerëzit, dëshirën për t’u dhënë atyre, për t’i ndihmuar ata të ndihen më mirë për shkak se kur ata janë të lumtur edhe unë jam e lumtur. Unë e shoh këtë edhe përmes performancës sime. Kur këndoj, aktroj apo jam aty në skenë, unë mund të shoh si e përdor Zoti të gjithë këtë, jo për mua, por për të sjellë buzëqeshje në fytyrat e njerëzve të tjerë, për ta lavdëruar Atë.

Përmes Shkollës ‘Valor’ dhe grupit ‘Zëri i Valorit’ unë po përjetoj lumturi të vazhdueshme dhe kënaqësi në performancat e mia. Më parë e urreja skenën sepse ndieja frikë ngaqë isha egoiste, por përjetimi dhe gjetja e Zotit dhe grupit ‘Valor’ më mbushi me gëzim dhe vetëbesim, dhe në mes të gjithë këtyre unë shoh Zotin Jezus. Nuk mund të jem veçse e gëzuar me gjithçka që kam në jetën time.

Unë kam mundësinë të ndikoj një numër të madh njerëzish duke u shpallur atyre Fjalën e Zotit, duke i treguar botës kush është Ai dhe çfarë ka bërë për mua dhe për çdo njeri. Kam mundësinë ta lavdëroj Atë përmes dhuntive dhe talentit tim.

Para çdo performance që kemi bërë këtë javë, dhe sidomos mbrëmë, kam ndjerë pak ankth, si flluska të vogla në stomak, dhe çdo herë i kam kërkuar Zotit që ta qetësojë ankthin tim. Gjithmonë Ai ma ka hequr ankthin sikur të largonte një peshë të rëndë nga shpatullat e mia; dhe çdo herë kam ndjerë që mund t’ia dal, që unë mund të ndikoj sadopak përmes besimit dhe talentit tim. Kjo më provon edhe një herë sa i plotfuqishëm është Zoti dhe sa shumë kujdeset ai për mua.

Çdo ditë unë reflektoj mbi faktin që Jezusi vdiq në kryq për mua, sidomos gjatë Mësimit të Biblës. Këto mësime kanë një ndikim shumë të madh në jetën time. Mësuesi i lëndës na tregon si vepronte Jezusi dhe si vepron Zoti për ne. Vetë fakti që Jezusi na deshi kaq shumë saqë vdiq për ne më prek pa masë, sepse askush nuk jep jetën për një tjetër përveçse nëse ka një dashuri të pastër, të pavdekshme. Kjo vepër e Tij është kaq e fuqishme, kuptimplotë dhe e madhe. Fakti që ekziston një person që është gjithmonë aty duke u kujdesur, duke dhënë edhe jetën për mua, ma mbush jetën me kuptim. Ai e mbush jetën time me qëllim. Në Bibël thuhet që ne duhet të zgjedhim t’i besojmë Atij dhe ta ftojmë në jetën tonë, sepse edhe pse Ai na do me një dashuri pa kushte, sërish jemi ne ata që duhet ta pranojmë këtë dashuri. Unë besoj që nëse shqiptarët, por edhe të gjithë njerëzit nëpër botë, do arrinin ta kuptonin këtë fakt, do të përjetonin paqe sepse aty jashtë është një Perëndi i plotfuqishëm që kujdeset për ty, të mbron dhe të do. Nëse ti ia jep jetën Atij, një ditë do të mund ta shohësh Atë me sytë e tu.

Nuk mendoj që kam mjaft kohë për të treguar për gjithë gjërat e mrekullueshme që kam përjetuar këtu në Shqipëri. Kjo është hera e parë që unë largohem nga SHBA. Fakti që kam përshkuar gjysmën e botës për të ardhur të ndaj mesazhin e Ungjillit me njerëzit këtu; përdorimi i dhuntive të mia jo për lavdinë time por për lavdinë e Tij; takimi me gjithë këta njerëz të mrekullueshëm; ushqimi i shijshëm; vizitat nëpër vende të bukura; gjithçka duket sureale, kurrë nuk kam patur një përjetim të tillë. Thjesht kur mendoj që kam bërë gjithë këto gjëra gjatë një udhëtimi me shkollën, më bën të ndihem shumë e lumtur. Më është dhënë një mundësi fantastike për të takuar njerëz të rinj, të udhëtoj…të gjitha këto janë aktivitetet e mia të parapëlqyera.

Përktheu për Unë Besoj: Ana Llakaj