Etika e krishterë me dy fjalë

0
254

Nga Kaon Serjani

Duhet thënë që në fillim se fuqia bindëse e etikës së krishterë nuk gjendet aq në shpjegimin teorik të saj sesa në atë kur një i krishterë zbaton në praktikë mësimet e Krishtit. Megjithatë, edhe sikur vetëm për të dalluar nëse jeta e të krishterit përputhet apo jo me atë që ai rrëfen se e ndjek, duket se një farë shpjegimi bëhet i nevojshëm. Synimi im këtu nuk është një trajtim gjithëpërfshirës i etikës së krishterë, por më tepër të nënvizojë disa aspekte që i gjykoj thelbësore rreth saj.

Së pari, lexuesi duhet të kuptojë se etika e krishterë nuk është një temë e veçuar, por pjesë e misionit që Perëndia ka për botën, i cili mund të përmblidhet me premtimin që Ai i bëri Abrahamit: “Në pasardhjen tënde do të bekohen tërë kombet e tokës” (Zan. 22:18). Në Besëlidhjen e Re ne zbulojmë se pjesë themelore e atij premtimi është pajtimi i botës me Veten e Tij në Krishtin (2 Kor. 5:18), i cili erdhi nga pasardhja e Abrahamit. Bazuar në këtë kontekst, porosia e Krishtit për të shkuar e për të bërë dishepuj nga çdo komb duket se e ka fillimin tek ky premtim. Këtë vëren autori Kristofer Rajt (Christopher Wright) në librin e tij Misioni i popullit të Perëndisë, kur shkruan se mesazhi “Largohu … ji bekim … dhe te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës’” është Porosia e Madhe përpara asaj të thënë tek Mateu 28:18-20. Duke marrë parasysh këtë parashtrim, përderisa në Krishtin i krishteri trashëgon premtinin dhënë Abrahamit, ai gjithashtu trashëgon edhe misionin e tij, që është të bëhet mjeti përmes të cilit Perëndia sjell bekimin e Vet ndaj atyre të cilët nuk e njohin Atë ende.

Po si lidhet etika e krishterë me këtë mision të Perëndisë? Epo, ja, misioni i tij është më shumë sesa ungjillëzimi i botës; ai përfshin të jetuarin e një jete etike. Me fjalë të tjera, të kishterët janë thirrur jo vetëm për ta ndarë ungjillin, por edhe për ta jetuar atë. Tek Zanafilla 18:19, Perëndia tha për Abrahamin: “Unë, në fakt, e kam zgjedhur, me qëllim që t’i urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij që të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë.” Besëlidhja e Re, gjithashtu, e bën të qartë që Perëndia nuk është thjesht i intersuar që njerëzit të kthehen në besim, por që ata shndrrohen në imazhin e Birit të Tij (Rom. 8:29). Etika e krishterë gjen zbatim pikërisht brenda këtij kuadri. K. Rajti shkruan: Cilësia e jetës e popullit të Perëndisë është lidhja jetike mes thirrjes dhe misionit të tyre. Qëllimi i Perëndisë për t’i bekuar kombet është i pandashëm nga kërkesa etike ndaj njerëzve që Ai ka krijuar për të qenë veprimtarë të atij bekimi. Nuk ka mision biblik pa etikë biblike.” Ajo që Rajti po nënvizon është se në misionin që Perëndia ka për botën, dhe në të cilin ai ka thirrur të krishterin, dëshmimi dhe etika shkojnë krah për krah.

Së dyti, etika e krishterë është qendërzuar tek virtyti i dashurisë. Riçard Burrixh (Richard Burridge) vëren se në krishterim “dashuria ka rëndësi absolute.” Kjo është padyshim ajo që e dallon krishterimin nga çdo religjion tjetër. Dy urdhërimet më mëdha për të krishterin janë që ai ta dojë Perëndinë me gjithë mendjen, zemrën dhe forcën, dhe ta dojë të afërmin porsi vetveten (Mat. 22:37-39). Sipas studiuesit Charles Cosgrove, Pali dhe Ungjijtë e përkufizojnë dashurinë “si vetësakrifikuese dhe të drejtuar ndaj tërë qenieve njerëzore.” Shkrimi thekson disa aspekte të virtytit të dashurisë: e para, që ajo është shprehje e besimit (Gal. 5:6), dhe për rrjedhojë, një i krishterë nuk mund të thotë se ai ka besim por nuk nuk ka dashuri për tjetrin (1 Gjoni 4:20); e dyta, që dashuria nuk është një dhuratë shpirtërore që vetëm disa mund ta kenë, paçka se padyshim është një fryt i Frymës së Shenjtë (Gal. 5:22), dhe për rrjedhojë, askush nuk mund të thotë se disa të krishterë janë thirrur për të dashur, ndërsa të tjerët jo; dhe e treta, që dashuria është treguesi përmes të cilit të jashtmit do ta kuptojnë nëse ata që e identifikojnë veten me Jezusin janë vërtetë ndjekës të Tij apo jo (Gjoni 13:35).

Së treti, të jetuarit e një jete etike është një thirrje për çdo të krishterë. Kjo nuk është e lidhur me punën që i krishteri bën, por me të qenurit ndjekës i Krishtit. Misionari nuk është thirrur për të pasur një jetë më etike se një biznesmen i krishterë. Një pastor nuk është thirrur për t’u kujdesur për të varfrit më shumë sesa për anëtarët e tjerë të kishës. Jezusi nuk e bëri kurrë këtë dallim. Predikimi në Mal është për të tërë dishepujt dhe jo thjesht për klerin. Andreas Kostenberger, duke komentuar mbi 1 Pjetri 1:5, shkruan se Pjetri e bën të qartë që çdo besimtar “duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për ta plotësuar besimin e tij/saj me zhvillimin e virtytit të krishterë.”

Së katërti, në krishterim të jetuarit e një jete etike është e mundshme vetëm nëse Perëndia e fuqizon besimtarin. I krishteri duhet ta pranojë se, sado që të përpiqet, ai nuk do të mundet t’i kontrollojë pasionet përmes forcës njerëzore. Siç shkruan Hejs, “Bindja [ndaj Perëndisë] është e mundshme vetëm për shkak se Perëndia ka thyer fuqinë e mëkatit” dhe, gjithashtu, për shkak se është “nisma e hirshme shpëtuese e Perëndisë ajo që e mundëson dhe e prodhon reagimin njerëzor.” Rrjedhimisht, zhvillimi i virtyteve të krishtera nuk varet nga aftësia e besimtarit por nga fuqia e Frymës së Shenjtë brenda tij (Gal. 5:22-23).

Së pesti, etika e krishterë shprehet kryesisht përmes jetës komunitare dhe jo individualiste. Ne mësojmë në librin e Veprat e Apostujve rreth unitetit të besimtarëve, si dhe gatishmërisë së tyre për t’i plotësuar nevojat e njëri-tjetrit deri në atë pikë saqë mes tyre nuk kishte më nevojtarë. Kjo jetë shoqërore dhe kujdesi për njëri-tjetrin e besimtarëve të hershëm e bëri krishterimin tërheqës në sytë e të jashtmëve dhe Perëndia e shpërbleu atë duke shtuar çdo ditë besimtarë të rinj tek bashkësia kishtare (Veprat 2:42-47).

Së fundi, të jesh i krishterë etik do të thotë të interesohesh për atë që Perëndia interesohet. Duke qenë se Perëndia interesohet për gjithë krijimin e tij, rrjedhimisht, të jetosh në përputhje me etikën e krishterë do të thotë që, kudo ku shikon shfrytëzim të gabuar të krijimit të Tij, të ngrihesh kundër tij. Perëndia interesohet për jetën e të palindurve, e të varfërve, e të keqtrajtuarve apo e të abuzuarve. Për këtë arsye etika e krishterë shprehet në kujdesin për njerëzit e shtypur dhe të mënjanuar (margjinalizuar). Nëse i krishteri nuk do ta bëjë këtë, atëherë ai do të dështojë të pasqyrojë karakterin e Perëndisë në botë.

Për ta qartësuar edhe më tej etikën e krishterë dhe, sidomos, për t’i shmangur disa keqkuptime të mundshme, mbase do të ishte me vlerë po ta diskutonim pyetjen edhe në formën mohuese, e cila në rastin tonë do të ishte: “Për çfarë nuk bën fjalë etika e krishterë?”

Për çfarë nuk bën fjalë etika e krishterë?

Një e vërtetë e krishterimit e shprehur shkoqur është që të jetosh sipas vlerave të Perëndisë nuk është një mënyrë për ta siguruar biletën për në parajsë. Perëndia nuk kërkon prej të krishterit që të ai të ndjekë rregulla me qëllim që të shmangë pasojat e mëkatit pasi kjo është kryer tashmë në kryq. Sikurse vëren me të drejtë Kostenbergeri: “Besimtarët nuk përpiqen për të shtuar virtyte të ndryshme ndaj besimit të tyre me qëllim për të fituar hirin e Perëndisë, faljen apo shpëtimin e Perëndisë, por më saktë si reagim ndaj hirit, faljes dhe shpëtimit tashmë të marrë.” Kështu, etika e krishterë nuk është jeta e njerëzve për t’u shpëtuar, por jeta e njerëzve tashmë të shpenguar.

Një e vërtetë tjetër që duhet theksuar është se etika e krishterë nuk ka të bëjë me kërkesën për sjelljen e duhur te të tjerët, pa kërkuar së pari të njëjtën gjë nga vetja. Jezusi kishte shumë për të thënë kundër hipokrizisë (Mateu 6). Të kërkosh etikën e krishterë tek të tjerët do të thotë jo t’i gjykosh ata, por të dëshirosh një sjellje të ngjashme me të Krishtit si diçka që të gjithë duhet ta aspirojmë. Dhe, për shkak se askush nuk do të arrijë në plotësinë e realizimit të kësaj deri në Qiellin e Ri dhe në Tokën e Re, kjo atëherë duhet ta mbajë të krishterin në rrugën e përulësisë. Në lidhje me këtë, N.T. Rajti shkruan se virtyti i krishterë nuk ka të bëjë me lumturinë, plotësimin apo vetëpërmbushjen tonë. Ndaj i krishteri duhet të kuptojë se vetja e tij nuk është në epiqendër. Përkundrazi, “në epiqendër janë Perëndia dhe mbretëria e Perëndisë.” Të mendosh ndryshe, pra, sikur i krishteri të ishtë në qendër të etikës së krishterë, do të thotë të mos e kuptosh qëllimin e saj.

Një parim i tretë është se etika e krishterë është një thirrje për të jetuar një jetë në botë dhe jo të izoluar. Një keqkuptim që kanë pasur disa të krishterë përgjatë historisë së kishës është që, për ta jetuar jetën e krishterë si duhet, ata duhet ta izolojnë veten prej botës dhe tundimeve të saj. Kështu ka ndodhur, për shembull, me të krishterët mistikë të mesjetës. Në kundërshtim me këtë mënyrë jetese, Jezusi u lut jo që i krishteri ta shmangë botën, por që të mos kompromentohet nga e keqja e botës (Gjoni 17:15). Nëse i krishteri është thirrur për të qenë kripa e botës, ai duhet të jetojë në mënyrë aktive në një shoqëri me qëllim që t’i ruajë vlerat që po kalben. Nëse ai është thirrur për të qenë drita e botës, do kishte kuptim vetëm nëse ai jeton midis atyre që gjenden në errësirë.

Përfundim

Krishterimi mëson se të jetuarit e një jete etike nuk është thjesht një pjesë shtesë, por është në thelb të misionit që Perëndia ka për këtë botë, në të cilin Ai ka thirrur çdo të krishterë. Dhe misioni që Ai ka nuk realizohet vetëm kur të krishterët ungjëllizojnë, por kur ata me besnikëri dhe pasion synojnë të jenë kripë dhe dritë në botën përrreth. Kjo nuk konsiston thjesht në shmangien e të qenurit të kompromentuar me të këqijat e botës, por më tepër me ndikimin në mënyrë aktive të kulturës shoqërore, dhe në mënyrë të veçantë përfshin shfaqjen e zemrës së Perëndisë ndaj nevojtarëve të shoqërisë. Nëse i krishteri dështon në të qenët etik në këtë mënyrë, ai duhet të kujtojë se nuk po bëhet pjesë e planit global të Përëndisë për t’i bekuar kombet, ashtu sikurse Perëndia i premtoi Abrahamit, premtim të cilin ai e trashëgoi nëpërmjet Krishtit.

Përktheu nga anglishtja: Anri Pashaj

Bibliografia

Burridge, Richard A. Imitating Jesus: An Inclusive Approach to New Testament Ethics (Imitimi i Jezusit: një qasje përfshirëse ndaj etikës së Besëlidhjes së Re). Grand Rapids: Eerdmans, 2007.

Cosgrove, Charles H. “New Testament Ethics (Etika e Besëlidhjes së Re).” In The New Testament and Ethics: a Book-by-Book Survey. Edited by Joel B. Green, 32-40. Grand Rapids: Baker Academic, 2013.

Hays, Richard B. The Moral Vision of the New Testament: Community, Cross, New Creation (Vizioni moral i Besëlidhjes së Re: Komuniteti, kryqi, krijimi i ri). San Francisco: HarperSanFrancisco, 1996.

Kostenberger, Andreas J. Excellence: The Character of God and the Pursuit of Scholarly Virtue (Shkëlqyeshmëri: Karakteri i Perëndisë dhe ndjekja e virtytit të studiuesit). Wheaton, IL: Crossway, 2011.

Wright, Christopher J. H. The Mission of God’s People: A Biblical Theology of the Church’s Mission (Misioni i popullit të Perëndisë: Teologji biblike e misionit të kishës). Biblical Theology for Life. Grand Rapids: Zondervan, 2010.

Wright, N. T. After You Believe: Why Christian Character Matters (Pasi beson: Përse karakteri i krishterë ka rëndësi). New York: HarperOne, 2010.