A e mohon Kurani Trinitetin Biblik?

0
551

 

Në polemikat midis Krishtërimit dhe Islamit për sa i përket doktrinës së Trinisë, studiuesit myslimanë u referohen shumë vargjeve nga Kurani për të justifikuar kundërshtimet e tyre. Por a e mohon në mënyrë të qartë Kurani Trininë e Biblës? Në këtë artikull unë kam ndërmend të komentoj disa vargje kyç të Kuranit, duke vendosur fokusin kryesor te Surja numër 5 [1] për shkak të përmbajtjes dhe shpeshtësisë së përdorimit në këtë polemikë. Gjatë analizës, përveç nxjerrjes së kontrastit midis vargjeve të Kuranit me deklaratat biblike, unë gjithashtu do t’u referohem disa burimeve kërkimore që do ta pasurojnë kontekstin e ngjarjeve. 

  • Kurani thotë që të krishterët besojnë në tre Perëndi!

Në Surën numër 5 shkruhet: Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm.[2]

Këtu Muhamedi po kundërshton deklaratat që bëjnë të krishterët duke thënë: Allahu është një nga të tre.” Po kush janë dy të tjerët? Nga një varg tjetër, Kurani mëson se dy të tjerët janë Jezusi dhe Maria, nëna e tij.

“Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, I biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë!..Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” [3]

Pasazhi duket sikur sugjeron që të krishterët e kanë shpikur idenë që Jezusi e karakterizoi veten dhe nënën e Tij si dy perënditë përkrah Allahut. Por në fakt të gjithë të krishterët besnikë i pranojnë deklarata që Kurani vendos në gojën e Jezusit në pjesën e dytë. Bibla, nga fillimi deri në fund zbulon me qartësi që ka vetëm një Perëndi, dhe këtë e gjejmë në Dhjatën e Vjetër ku thuhet: Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Dhe gjithashtu në deklaratën e Dhjatës së Re: Nuk ka Perëndi tjetër, veç një.[4] Ky është një keqkuptim i madh sepse në Bibël, megjithëse Jezusi thotë se në thelb është i njëjtë me Perëndinë Atë, kurrë nuk e shpall veten si një tjetër perëndi.[5] Nga ana tjetër, Maria shfaqet si një personazh biblik, por është e papranueshme ta mendosh atë si të barabartë me Perëndinë dhe plotësisht heretike ta konsiderosh atë si një tjetër perëndi.[6]

Jo vetëm që Bibla nuk flet për tre Perëndi ose ‘një Perëndi (Allahu) dhe dy idhuj’ (që njerëzit i adhuronin si perëndi), por gjithashtu, teologët më të hershëm të Krishtërimit Biblik e kanë shpallur qartë Trininë (duke thënë që të krishterët besojnë në një Perëndi) përmes deklaratave të besimit (kredove) të formuluara më shumë se dy shekuj para lindjes së Muhamedit, gjatë këshillit të Nikeas dhe Kalcedonit.[7] Kështu Kurani, me këto vargje nuk e kundërshton konceptin biblik të Trinisë: “Një Perëndi në tre persona.” por mohon Tri-teizmin (tri perëndi) me të cilën Bibla nuk bie dakord në asnjë lloj mënyre.

  • Kurani thotë që të krishterët besojnë se Perëndia ka një fëmijë (një bir)

Te Surja 4 shkruhet: “Allahu është vetëm një Zot- qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë.”[8] Në një tjetër Surja shkruhet: “Ata thonë: “Allahu ka bërë një fëmijë”. I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Ai! Përkundrazi, Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë dhe Atij i nënshtrohet gjithçka Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.[9] Ideja që Perëndia ka një fëmijë ‘siç pretendojnë të krishterët’, e prezantuar në Kuran, gjithashtu nuk ka asnjë bazë biblike. Kjo teori është po aq fyese për të krishterët sa edhe për myslimanët. Në fakt, në narrativën biblike duket shumë qartë që nuk po flitet për Atin Perëndi (siç deklarohet) që ka një fëmijë me një grua (Marian, nënën e Jezusit), por që Jezusi ka ekzistuar përpara se Ai vetë të vinte në këtë botë si një foshnjë. ‘Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. …. Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne;’[10]. Jezusi në thelb është i barabartë me Perëndinë që nga përjetësia dhe në një pikë të historisë mori formë njerëzore.

Por përse ka kundërshtime nga Kurani?

Problemi qëndron në kuptimin e fjalës “I lindur”[11]. Në fakt, të krishterët kur dëgjojnë fjalën “lindur” nuk e konsiderojnë atë në kuptimin e një marrëdhënieje fizike midis Zotit dhe një gruaje.[12] “Për më tepër, lindja në Zotin nuk rezulton në një pasardhës krejtësisht të ndryshëm apo në ndonjë mënyrë të pavarur nga Zoti, një qënie e ngjashme me një perëndi apo një perëndi tjetër. ‘Lindja’ apo ‘brezi i përjetshëm’, e shpjeguar nga ana teknike, është një metaforë e përdorur për të shprehur idenë se Fjala, e cila ishte që në përjetësi me Perëndinë, nuk është as krijesë, as ndonjë qenie tjetër më pak hyjnore, por është vetë Perëndia i pakrijuar.”[13] Qëllimi i saktë i përdorimit të termit “lind” është për të bërë të qartë që brezi i gjenealogjisë së Birit erdhi nga lindja, jo nga krijimi[14] dhe gjithashtu për ta bërë të qartë që Biri nuk është një qenie tjetër përveç Zotit, por i së njëjtës përbërje me Perëndinë.

Krishti “biri i Allahut” deklaron Kurani: “Hebrenjtë thonë: “Uzejri është i biri i Allahut”, të krishterët thonë: “Mesihu është i biri i Allahut”. Këto janë fjalët e tyre, nga goja e tyre, i imitojnë fjalët e jobesimtarëve të mëparshëm. I vraftë Allahu! Si po shmangen (nga e vërteta)!”[15] Konteksti që krijojnë pasazhet e Kuranit, tregojnë që Kurani e refuzon frazën ‘bir i Allahut’ sepse interpretohet sikur ka kuptimin që të krishterët besojnë se Krishti është fëmijë i Zotit. E thënë me fjalë të tjera, sikur Zoti ngjizi një fëmijë në një grua.

Cili është konteksti i refuzimit të idesë se Krishti ishte ‘biri i Allahut’?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje ne duhet të mrrim ne konsideratë botën në të cilën u lind dhe u rrit Muhamedi. Në fillim të misionit të tij ai u përball me Kabahun në Mekë (qendra e adhurimit mysliman të ditëve të sotme). Kabahu ishte një panteon i vërtetë i hyjnive të atij vendi —360 në total, pothuajse një për çdo ditë të vitit. Ne dimë emrat e vetëm disave prej këtyre perëndive. Tre prej tyre janë Allati, Al-Uza dhe Manati, të cilat, siç deklarohet nga paganët e Mekës, janë “bijat e Allahut” (53:19–20). Ideja që Zoti i Madhërishëm i Krijimit duhet të jetonte bashkë me të vdekshmit dhe si pasojë të kishte fëmijë, ishte e përçmueshme për Muhamedin.  “Çfarë?! Ti do të kesh djem dhe Allahu do të ketë vajza?” pyeti ai me ironi (53:21). Misioni i Muhamedit ishte të shkatërronte që nga rrënjët një idhujtari të tillë.[16]

 

Arsyeja e keqkuptimit të Trinisë Biblike

  1. Takimi i mundshëm i Muhamedit me të krishterët heretikë.

Duket se burimi i deklaratave kundërshtuese që bën Muhamedi në Kuran nuk vijnë nga besimtarë besnikë të Biblës, por nga diku tjetër. Timothi Xhorxh në librin e tij sugjeron që Muhamedi ka takuar një grup të krishterësh heretikë të cilët jetonin në Arabi gjatë shekullit të shtatë. “Mesa duket Muhamedi ka takuar disa të ashtuquajtur të krishterë të llojit të fundit të cilët mësonin diçka të tillë si: Perëndia Atë pati marrëdhënie seksuale me Virgjëreshën Maria, duke sjellë si rezultat ngjizjen e Jezusit. Po nga erdhi një ide e tillë kaq e çuditshme? Ati i kishës së hershme, Epifanusi (Epiphanius), tregon për një sekt heretik të shekullit të katërt të quajtur Koliridianët. Në këtë sekt të përbërë kryesisht nga femra, ata e konsideronin Virgjëreshëm Maria një perëndeshë dhe i ofronin asaj si sakrificë kekë të vegjël të quajtur koliris (collyris).”[17] Ne nuk kemi asnjë provë që vërteton që Muhamedi është takuar me këtë grup të veçantë, por nuk është e vështirë të shohim se si një përkushtim i ekzagjeruar ndaj Marias, së bashku me portretizimet lindore të ‘The Virgin and Child (E virgjëra dhe fëmija e saj) mund të kenë përforcuar keqperceptimin e myslimanëve ndaj doktrinës së krishterë të Trinisë.[18]

  1. Mungesa e Krishterimit Kalcedonian në Arabi.

Një arsye tjetër për keqkuptimin e doktrines biblike të kundërshtuar në Kuran duket se ka qenë mungesa e krishtërimit Kalcedonian[19] në Arabi para lindjes së Islamit. Kjo e qartëson dominimin e herezive me të cilat u përball Muhamedi, veçanërisht në fillimet e misionit të tij.

  1. Mungesa e Shkrimeve të Krishtera në arabisht.

Nga ana tjetër, arabët e kohës së Muhamedit nuk i kishin lexuar vetë Shkrimet Biblike sepse ato nuk ishin përkthyer në gjuhën arabe. Hadīthi pohon se hebrenjtë dhe të krishterët, të cilëve u referoheshin si Njerëzit e Librit[20] në kohën e Muhamedit, e lexonin Toran në hebraisht dhe ua shpjegonin myslimanëve në arabisht.[21]

Kurani e mohon Trininë duke mohuar natyrën hyjnore të Personave të Trinisë

Nga njëra anë Bibla e mbështet fort faktin që Perëndia është Një, por nga ana tjetër dallimi nga njëri-tjetri i personave të Trinisë (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë) brenda të qenit një, është gjithashtu thelbësor.[22] Duke patur parasysh këtë, siç e pamë edhe më lart, mund të arrijmë në konkluzionin që Kurani nuk e mohon në mënyrë deklarative apo të qartë Trininë e Biblës, në kuptimin e saj të vërtetë. Megjithatë, Kurani e mohon Trininë duke mohuar përbërjen hyjnore të personave të Trinisë veç e veç.

Çfarë thotë Kurani për secilin nga personat e Trinisë?

  • Perëndia Atë – Kurani nuk e mohon hyjninë e personit ‘Atë’, por Perëndia asnjëherë nuk përmendet si Atë, por vetëm si Perëndi, “Allah”.[23]
  • Perëndia Bir: Megjithëse në Kuran Jezusi shihet si më i veçantë sesa profetët e tjerë,[24] hyjnia i Tij mohohet shumë qartë. Sipas Kuranit, Jezusi është vetëm një profet, Lajmëtari i Allahut.[25] Ndërsa Bibla shpall që Jezusi është “Fjala” e cila u bë mish.[26]
  • Perëndia Shpirt i Shenjtë: Kurani nuk e njeh Shpirtin e Shenjtë si personin e tretë të Trinisë, siç tregohet në Bibël. Kurani madje e cilëson atë si engjëllin Gabriel, një lajmëtar i Perëndisë.[27] Bibla deklaron qartësisht që Shpirti i Shenjtë është Perëndi dhe Gabrieli është një engjëll, dy qenie krejtësisht të ndryshme.[28]

Konkluzion

A e mohon pra në fakt Kurani natyrën TRIUNE të Zotit të zbuluar në Bibël?

  • Kurani mohon tri-teizmin në të njëjtën mënyrë të prerë me të cilën Bibla mohon besimin në më shumë se një Perëndi.
  • Kur i referohet me ‘Një në Tre’, nuk po flet për Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë ashtu siç bën Bibla, por sikur të krishterët po deklarojnë adhurimin ndaj Marias dhe Jezusit si dy perëndi përkrah Allahut. Bibla nuk bie dakort me këtë deklaratë. Prandaj, ne mund të themi që ajo që kundërshton Kurani nuk është Trinia e Biblës.
  • Kurani e mohon që Perëndia ka një fëmijë për shkak të keqkuptimit të termave ‘lindur’ dhe ‘Bir’. Por edhe vetë Bibla nuk e pranon një këtë ide. Krishti nuk është fëmija i Perëndisë i lindur prej Tij, por ishte ‘Fjala që u bë mish’.
  • Pra, Kurani kundërshton drejtpërdrejt disa teori heretike të kohës së Muhamedit, por jo Trininë e Biblës e cila besohet nga të krishterët besnikë të Biblës dhe të mbështetet nga Kredot.
  • Megjithatë, ne mund të themi që Kurani e mohon Trininë në mënyrë indirekte duke mohuar natyrën hyjnore të Personave të Trinisë.
  • Pra, Muhamedi nuk e mohoi Trininë sepse e kuptoi domethënien e saj vërtetë siç është në Bibël, por e mohoi atë në mënyrë indirekte duke refuzuar të pranonte thelbin hyjnor të Personave të Trinisë, për shkak të keqinterpretimit të Trinisë dhe keqkuptimit të besimit të krishterë.
  • Ne mund të supozojmë që nëse Muhamedi do të ishte prezantuar me një tablo të qartë dhe të saktë të natyrës Triune të Perëndisë, siç zbulohet në Bibël, edhe sikur të mos kishte qenë në gjendje ta pranonte atë, përsëri nuk do ta kishte kundërshtuar kaq fort. Ne duhet të themi se i gjithë i ashtuquajturi sistem kundërshtues i Kuranit ndaj Trinisë së Biblës nuk është mirëmbështetur sepse ai kundërshton kryesisht deklarata që nuk janë marrë në Bibël.

 

Nga Kaon Serjani

 

BIBLIOGRAFI

  1. Kredoja e Kalcedonias
  2. GeorgeTimothy, Is The Father Of Jesus The God Of Muhammad?(Understanding The Differences Between Christianity And Islam)
  3. Kredoja e Nikeas
  4. Shehadeh , Dr.Imad “Kontrasti midis Monoteizmit Trinitarian dhe Monoteizmit Monadik”. Shënimet e Leksioneve.
  5. Bibla
  6. Hadithi
  7. Kurani
  8. Volf, Miroslav “ Allah: A Christian Response”

[1] Surja El-Maide ( سورة المائدة)

[2]Surja 5:73

[3] Surja 5:116a-117a

[4]1 Korintasve 8:4

[5] Gjoni10:30 :“Unë dhe Ati jemi një.”

[6] Luka 1:48

[7]Këshilli i Parë i Nikeas ishte një këshill i peshkopëve të krishterë mbledhur nga Perandori Romak Konstandini I në vitin 325 MK në Nikea të Bitinisë (Iziku i Turqisë së sotme) {Kredoja e Nikeas : Besoj  në një Perëndi, Atin e Gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit dhe të tokës dhe të gjithë gjërave të dukshme dhe të padukshme…”} dhe Këshilli i Kalcedonit ishte një këshill kishe i mbajtur më 8 Tetor deri më 1 Nëntor 451 MK, në Kalcedon (një qytet i Bitinisë në Azinë e Vogël). {Kredoja e Kalcedonit: Ne, atëhere, duke ndjekur etërit e shenjtë, të gjithë pa përjashtim…”}                                              

[8] Surja 4:171

[9] Surja 2 :116-117

[10] Ungjilli sipas Gjonit 1:1 & 1:14

[11] Kundërshtimi është ky: “Nuk mund të thuhet se Perëndisë që krijoi qiejt dhe tokën me fuqinë e Fjalës, i ka lindur një djalë apo çdo kush tjetër që është krejt si Ai. – “Allahu: Një përgjigje e Krishterë” – Miroslav Volf, Faqe 133.

[12] Duke folur për të gjithë traditën e krishterë, Gregori i Nisës (viti 385 ose 386) një nga etërit më të spikatur të kishës së Lindjes, shkroi: “I shenjti nuk është as mashkull as femër (si mund të mendohet një gjë e tillë për Shenjtërinë) Miroslav Volf, Faqe 133.

[13]Miroslav Volf, Faqe 133.

[14] “I lindur, jo i krijuar, i së njëjtës përbërjeje me Atin” siç është shkruar në Kredon e Nikeas.

[15]Surja 9:30

[16] Timëthi Xhorxh “A është Ati i Jezusit Perëndia i Muhamedit? Zondervan / 2002, faqe 58.

[17] Timëthi Xhorxh Faqet 58-59.

[18] Samuel Zuemer, nga ana tjetër, kundërshton duke thënë që Muhamedi kishte mjaft mundësi për të mësuar çfarë mendonin besimtarët ortodoksë për Trininë e megjithatë ai qëllimisht e kundërshtoi idenë e të krishterëve rreth Hyjnisë. Shih Doktrina Myslimane për Zotin nga Zuemer (Boston: American Tract Society, 1905), 80–92.- Timëthi Xhorxh. “A është Ati i Jezusit Perëndia i Muhamedit?

[19] Kjo pohon doktrinën e Trinisë me terma të qarta nga Kredoja e Kalcedonit. Profesori nga Jordani, Dr. Imad Shehadeh, në Shënimet e Leksioneve të tij/faqe 44 për “Kontrasti midis Monoteizmit Trinitarian dhe Monoteizmit Monadik”. Atje përmendej që në ambientet ku jetoi Muhamedi mungonte Krishtërimi Kalcedonian.

[20]Në lidhje me këtë shprehje: “Njerëzit e Librit” kështu u referoheshin hebrenjve dhe të krishterëve, cf.Al-Rāzī,11:194; Al-Sabzawārī, 2:439.

[21]Bukhārī 65(2):11:150

[22]Dr. Imad Shehadeh, Shënimet e Leksioneve për “Kontrasti midis Monoteizmit Trinitarian dhe Monoteizmit Monadik”. Faqe 8.

[23]SURJA 2, VARGU 255-56; SURJA 112:1, SURJA 59, VARGU 22-24; SURJA 17, VARGU 110-111;SURJA AL-A’RAF (7), VARGU 179-181; SURJA 3, VARGU 84; SURJA 1, VARGU 1;SURJA 22, VARGU 47; SURJA 70, VARGU 3-4; SURJA 65, VARGU 12;SURJA 30, VARGU 8-9

[24]Tregohet që ai bëri shumë mrekulli (Surja 5 :110) dhe që Ai ishte i pamëkat (Surja 19:13, 19)

[25] Surja 5:75 , Surja 4:171: “O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu – Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij!” Hadithët gjithashtu thonë që Jezusi ishte një lajmëtar i Allahut, (Sahih Muslim Book 001, Number 0380).

[26] Gjoni 1:1

[27] “Shpirti i Shenjtë” (Rooh al-Qudus) ( I referohet engjëllit Gabriel) [Ne] dhe e mbështetëm atë me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhebrailin a.s.) [al-Baqarah 2:87] i referohet Xhebrailit sipas logjikës të shëndoshë.- Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) [al-Shu’ara’ 26:193] – Ne i dërguam Shpirtin Tonë… [Maryam 19:17].”

[28]2 Korintasve 3:17 “Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.” (Fryma këtu është Shpirti i Shenjtë) Luka 1:26 “…engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë …”

Burimi: UneBesoj.org.