Ç’të mirë ka Krishtërimi?

0
26

A e kanë bërë më të mirë botën jeta dhe mësimet e Jezusit të Nazaretit? Apo është krishterimi “tërësisht i dëmshëm”, “kërcënim për qytetërimin”, “kërcënim për mbijetesën njerëzore” dhe “armiku parësor i progresit në botë”? Çfarë na thonë regjistrat historikë? Bota në të cilën lindi Jezusi i konsideronte gratë si inferiore nga ana sociale dhe intelektuale. Atyre nuk u lejoheshin të njëjtat të drejta, privilegje e liri që gëzonin burrat. Në kulturën hebreje, grave nuk u lejohej të flisnin në publik, sidomos në prani të një burri. Kjo do të thoshte se ajo nuk mund të dëshmonte në gjyqe. Por mënyra se si Jezusi i trajtoi gratë ishte revolucionare. Jo vetëm që iu kundërvë kulturës anti-femër të kohës së Tij, por Ai edhe vendosi një standard të ri mirëdashjeje, dhembshurie dhe respekti. Për pasojë, kisha e hershme i përfshinte gratë, i nderonte ato, mbështeste vejushat dhe u dha grave liri e dinjitet të panjohur më parë në ndonjë kulturë. Në Indi, ku vejushat digjeshin në zjarrin mortor të bashkëshortëve të tyre, të krishterët ishin përgjegjësit kryesorë për ndalimin e kësaj praktike. Në Kinë, vajzat e reja gjymtoheshin qëllimshëm duke lidhur shtrënguar shputat. Sërish, ishte ndikimi i të krishterëve që e shtyu qeverinë kineze ta ndalonte këtë praktikë. “Nuk e teprojmë kur themi se lindja e Jezusit është pika e kthesës në historinë e gruas.”

Në botën antike greke e romake, fëmijët ishin prona. Foshnjat, sidomos vajzat e vogla, shpesh vriteshin menjëherë pas lindjes ose braktiseshin që të vdisnin nga ekspozimi ndaj natyrës. Ajo që ne sot e quajmë abuzim me fëmijët, asokohe quhej normale. Pastaj u shfaq Jezusi, dhe fëmijët u bënë njerëz. Të krishterët kundërshtuan çdo formë abuzimi me fëmijët, shpëtuan fëmijët që ishin braktisur të vdisnin, shpesh duke i birësuar në familjet e tyre. Ata i mësuan botës t’i vlerësonte e të kujdesej për pjesëtarët më të rinj në moshë të shoqërisë.

Të krishterët ishin të parët në histori që luftuan sistematikisht kundër skllavërisë. Në perëndim, skllavëria u bë e paligjshme falë përpjekjeve të të krishterëve si William Wilberforce në Angli dhe abolicionistëve në Amerikë, shumë prej të cilëve ishin shërbestarë të krishterë. Këta ndjekës të Jezusit arsyetonin se, duke qenë të krijuar të gjithë të barabartë në sytë e Perëndisë, askush nuk ka të drejtë të sundojë mbi tjetrin pa pranimin e tij.

Krishterimi është morali pas jo vetëm skllavërisë, por edhe demokracisë. Liritë dhe mundësitë që gëzohen në ShBA dhe demokraci të tjera janë ndërtuar mbi ide të ofruara nga botëkuptimi judeo-i krishterë. Besimi në vullnetin e lirë e kundërshton tiraninë dhe çon në qeveri përfaqësuese. Të kuptuarit se njeriu është mëkatar shënjon nevojën për kontroll dhe ekuilibër dhe tri degë qeverisjeje. Ideja e qeverisjes nga sundimi i ligjit dhe jo nga autoriteti i njeriut rrjedh nga dhjetë urdhërimet.

Të tjera koncepte të krishtera, si dinjiteti i punës, ekzistenca e absolutëve moralë, gjyqet e drejta me dëshmitarë dhe rëndësia e lirisë civile, janë të gjitha thelbësore ndaj formës sonë të qeverisjes dhe shpesh merren për të mirëqena.

Jezusi ishte mësues dhe i udhëzoi ndjekësit e tij që të mësonin të tjerët, ndaj të krishterët zhvilluan shkolla e më pas manastire, duke hedhur kështu themelet e arsimit modern. 106 prej 108 universiteteve të para në ShBA u themeluan nga të krishterët. Ide si shkolla publike të mbështetura nga taksat, kopshtet, ndarja në klasa, shkolla nëntëvjeçare, kolegje dhe universitete moderne, arsim për shurdhët dhe të verbrit, shkrim e lexim për masat dhe arsim universitar që tejkalon klasën, gjininë dhe etninë, të gjitha këto kanë një gjë të përbashkët: të gjitha janë produkte të krishterimit.

Zor se mund të mendohet jeta pa përparimet teknologjike të shkencës moderne. Shkenca siç e njohim sot lindi qindra vjet më parë gjatë një periudhe përparimesh të pashoqe në matematikë, fizikë, astronomi, biologji dhe kimi. Shumica dërrmuese e këtyre shkencëtareve të shkëlqyer, thuajse secili prej tyre, ishin të krishterë. Ata besonin se, meqë ishte krijuar nga një Krijues racional që kishte përdorur rregulla racionale, universi duhej t’ia shpaloste sekretet e veta krijesave racionale që përdornin arsyen dhe vëzhgimin. Për pasojë, këta shkencëtarë të hershëm kërkonin për ligje natyrore, të bindur se ekzistonin, dhe kështu i gjetën.

Shqetësimi i Jezusit për të vuajturit kapërcente çdo rend social të kohës së Tij. Në 252 pas Krishtit, të krishterët në Korint e shpëtuan qytetin prej një murtaje, duke rrezikuar jetën e tyre duke ndihmuar ata që ishin përzënë rrugëve dhe ishin braktisur të vdisnin. Dhembshuria e krishterë për të varfrit dhe të sëmurët çoi në themelimin e institucioneve për lebrosët e më pas manastire kushtuar kujdesit për të sëmurët. Këto ishin fillesat e spitaleve tanë modernë. Të krishterët ishin forca shtytëse pas ngritjes së jetimoreve, kujdesit për të moshuarit, reformës së burgjeve, reformës së punës, Kryqi i Kuq, Ushtria e Shpëtimit dhe YMCA. Të dhënët bujarë ishte një risi unike ndaj krishterimit, gjë që solli lindjen e organizatave të panumërta filantropike bashkëkohore.

Konceptet tona moderne të të drejtave të njeriut dhe barazisë rrjedhin në mënyrë ekskluzive nga ideja biblike që gjendet te Zanafilla, se të gjithë njerëzit janë krijuar në imazhin e Perëndisë. Duke u zgjeruar më tej në këtë shpallje të barazisë njerëzore, apostulli Pal shkroi: “Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezus Krishtin.” (Galatasve 3:28).

Po njollat e errëta në librat e historisë? Kryqëzatat, Inkuizicioni, dhe gjuetia e shtrigave në Salem? Të krishterët e shpallin bindshëm se të gjithë njerëzit kanë të meta. Ndaj nuk është çudi që edhe historia e krishterimit është larg përsosmërisë. Por vini re se ata që i kryen këto vepra, vepruan në kundërshtim të hapur ndaj mësimeve dhe jetës së Jezusit. Ndaj, është e qartë se nuk mund t’i vihet faj Jezusit, por atyre veprimet e të cilëve bien në kundërshti me mësimet dhe mënyrën e Tij të të jetuarit. Shumë prej gjërave të mira në jetën tonë kanë ndodhur për shkak se 2000 vjet më parë Jezusi i Nazaretit i dha botës një drejtim të ri. Regjistrat historikë janë tërësisht të qartë: asnjë ndikim tjetër kulturor, asnjë lëvizje shoqërore, asnjë mësim, filozofi a fe tjetër nuk ka bërë më shumë për promovimin e mirëqenies së më shumë njerëzve se krishterimi.

Përktheu: Brunilda Rustani
Përdorur me leje nga www.impact360institute.org