Cili është vizioni biblik për seksin?

0
55

 

Nga Dr. Glynn Harrison

Më pëlqen kjo pyetje, sepse të krishterët, si gjithë të tjerët, e kanë pasur tradicionalisht të vështirë të flasin për seksin. Kjo jo vetëm se është diçka private, por edhe sepse kemi ndjenja turpi ndaj tij. Ne nuk do të donim që njerëzit të dinin çfarë kemi në zemër. Zakonisht flasim për seksin nga pikëpamja negative, jo për vizionin biblik për seksin, por për atë kundër tij, etj. Kemi prirjen ta përdorim ungjillin për t’u treguar njerëzve çfarë kundërshtojmë në këtë fushë, jo çfarë mbështesim. Si të krishterë, ne përballemi me sfidën e madhe të internetit dhe revolucionit seksual, ndaj duhet të gjejmë mënyrën për të treguar një histori të mirë për seksin dhe të rimëkëmbim vizionin e vërtetë biblik për të.

Pra, cili është vizioni biblik për seksin? Seksi është dhuratë nga Perëndia, pjesë e të qenët të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij. Trupat tanë janë seksualë, sepse jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Vetë Perëndisë. Kjo do të thotë se seksi është dhurata e Perëndisë për ne, që ta duam njëri-tjetrin ashtu siç na do Ai. Kështu, sa herë e duam njëri-tjetrin, sa herë përjetojmë përmallim dhe përvuajtje seksuale për njëri-tjetrin, për t’u bashkuar me një person tjetër, ne po shprehim diçka në lidhje me Vetë shëmbëlltyrën e Perëndisë. Po tregojmë një histori për Vetë Zotin dhe dashurinë e Tij.

Kjo ndahet në tri pjesë. Së pari, çfarë dimë për Perëndinë? Ne dimë se Ai na do me pasion. Ai është i dashuruar. Në zemrën e Tij, Ai është i dashuruar. Ai është sakrifikues. Ai na vjen nga pas dhe na ndjek ashtu si një i dashur ndjek gruan që dashuron. Bibla e përshkruan në mënyra të ndryshme dashurinë e Perëndisë: si arusha për të voglin e saj, si ati për të birin, si gruaja që humbi monedhën e që dëshiron ta gjejë. Por figura më e zakonshme dhe më e përdorur për dashurinë e Perëndisë në Bibël është ajo e dhëndrit ose bashkëshortit. Në shumë pjesë të Dhjatës së Vjetër, si te Osea, Ezekieli apo Isaia, Perëndia portretizohet si një bashkëshort për popullin e tij, të cilin Ai e do.Sa herë ndiejmë këtë përvuajtje për njëri-tjetrin, ne ndiejmë shëmbëlltyrën e Zotit në ne, të qenët si ai, dhe duam të dashurojmë dhe t’i jepemi dikujt, ashtu si Ai dëshiron të na jepet ne.

Kjo ishte gjëja e parë e madhe për dashurinë e Perëndisë dhe dashurinë tonë për njëri-tjetrin. Por një aspekt tjetër i dashurisë së Zotit është se ajo është e besës, se është shumë besnike dhe zgjat gjithë jetën; është dashuri e përjetshme. Kjo është edhe arsyeja pse ne e dashurojmë njëri-tjetrin seksualisht vetëm brenda një marrëdhënieje të madhe që e quajmë martesë. Kjo sepse martesa ka të bëjë me dashurinë besnike, me dashurinë e përkushtuar. Në anglisht, si dhe në shqip, shërbesat e kurorëzimit të martesës përdorin fjalë me anë të të cilave i përkushtohemi personit tjetër në të mirë e në të keq, në pasuri e në varfëri, derisa vdekja të na ndajë.

Pra, themi se do të të jem i/e besës, do të të qëndroj besnik/e dhe do të të përkushtohem vetëm ty. Kështu është edhe Perëndia. Ai hyn në besëlidhje me ne. Ai thotë: Unë do të jem Perëndia yt përgjithmonë, sepse dashuria ime e tillë është. Një çift i martuar, apo edhe vetë martesa jonë e mundshme, tregon historinë e dashurisë së Zotit. Ai nuk do ta përdorte një grua vetëm për një natë, ndaj as ne nuk e bëjmë. Për këtë është vizioni biblik, që të shfaqim dashurinë e Zotit para botës. Edhe diçka të fundit. Thamë që dashuria e Zotit është e pasionuar, ndaj edhe ne jemi të pasionuar. Dashuria e Zotit është besnike, ndaj edhe ne jemi besnikë në martesën dhe seksualitetin tonë. Së treti, dashuria e Zotit është e frytshme. Ajo gjithmonë prodhon më shumë. Ai krijoi botën dhe, në çdo fazë, (bimët, zogjtë, kafshët e njerëzit), krijimi vinte duke u shtuar.

Pastaj krijoi njerëzit dhe u tha: Jini të frytshëm! Jeni krijuar sipas shëmbëlltyrës Sime, ndaj dëshiroj që të krijoni më shumë, të shtohen qeniet njerëzore, më shumë sipas shëmbëlltyrës Sime. Seksualiteti ynë nuk është vetëm i pasionuar dhe besnik, por është trajta e urdhëruar për të është që të jetë i frytshëm. Burri dhe gruaja bëjnë fëmijë së bashku dhe krijojnë një shtëpi plot dashuri e siguri për ta, ashtu si kisha është një vend dashurie dhe sigurie mikpritëse për njerëzit e Perëndisë.

Pra, seksi është shfaqja e plotë e ungjillit. Në kishë ne flasim për dashurinë e Zotit, ndërsa në familje e tregojmë atë dhe e bëjmë të dukshme. Kjo ishte një përmbledhje e shkurtër. E di se tani do të ketë pyetje nga më të ndryshmet e që unë jam përpjekur t’u përgjigjem në hapësira të tjera, por mesazhi i madh është se dashuria e Zotit, vizioni biblik për seksin, na thërret ta duam njëri-tjetrin në të njëjtën mënyrë si Zoti na do ne.

Përktheu për www.unebesoj.org: Brunilda Rustani