Cili është ngushëllimi më i madh nën qiell? – Nga Tomas À Kempis

0
81

Nga Tomas À Kempis[1]

O Zot, cili është besimi që mund të kem në këtë jetë, ose cili është ngushëllimi im më i madh midis gjërave nën qiell? A nuk je ti, Zoti dhe Perëndia im, mëshira e të cilit nuk ka kufij? Kur kanë qenë gjërat mirë për mua pa Ty dhe kur nuk kanë qenë gjërat mirë për mua kur Ti ke qenë i pranishëm? Unë do preferoja më mirë të isha i varfër me Ty, sesa i pasur pa Ty. Më mirë të isha një shtegëtar me Ty në këtë botë, sesa pa Ty të isha në parajsë. Atje ku Ti je, është Parajsa dhe atje ku ti nuk je është edhe vdekja edhe ferri. Ti je për mua gjithçka që dëshiroj dhe prandaj unë duhet të të thërras Ty dhe të të lutem me gjithë zemër. Përveç Teje unë nuk kam asnjë tek i cili të besoj dhe i cili të më ndihmojë në rast nevojë, sepse Ti je shpresa ime, Ti je ngushëllimi im, dhe Ti je gjithashtu ndihmësi im më besnik në çdo nevojë.

Njeriu kërkon atë që është e vetja, por Ti kërkon shpëtimin tim, përfitimin tim dhe bën që çdo gjë të bashkëveprojë për mirë për mua. Nëse dërgon tundime dhe kundërshtime, e bën për të mirën time, sepse Ti i sprovon të zgjedhurit e Tu në njëmijë mënyra të ndryshme. Dhe gjatë këtyre sprovave Ti lëvdohesh dhe lartësohesh njëlloj sikundër edhe kur i mbush ata me ngushëllimin qiellor. Në Ty pra, o Zot, e vendos besimin tim dhe në Ty duroj mes sprovash, sepse pa Ty unë gjej vetëm paqëndrueshmëri dhe marrëzi. Unë e shoh qartë që një tufë me miq të kësaj bote nuk më sjellin asnjë të mirë, që ndihmësit e fortë nuk më sjellin asnjë dobi, as këshilltarët e mençur nuk mund të më japin asnjë këshillë të vlefshme, as mësuesit më të përgatitur nuk mund të më japin ngushëllim, as pasuritë nuk mund të më shpëtojnë në rast nevoje, as ndonjë vend sekret nuk mund të më mbrojë, nëse Ti o Zot nuk më ndihmon, mbështet, ngushëllon, këshillon, udhëzon dhe mbron.

Çdo gjë që duket e vendosur në këtë botë për të na dhënë ngushëllim nuk ka asnjë vlerë nëse Ti nuk je aty. Asnjë nga këto gjëra nuk mund t’i sjellë njeriut lumturinë e vërtetë, sepse Ti o Zot je fundi i të gjitha gjërave të mira. Ti je madhështia e jetës, urtësia e thellë e gjithçkaje që është në qiell dhe mbi tokë, dhe kështu të besuarit në Ty mbi çdo gjë tjetër është ngushëllimi më i madh për të gjithë shërbëtorët e Tu. Tek Ti, pra, Ati i mëshirës i ngre sytë e mi, vetëm tek Ti o Zot, Perëndia im, e vendos besimin tim. Shpirti im të bekoftë dhe të shenjtëroftë Ty me bekimet e tua qiellore, që të jetë vendi yt i banimit dhe froni i lavdisë Tënde të përjetshme, në mënyrë që të mos gjendet te unë, në asnjë moment ndonjë gjë që mund të ofendojë syrin e Tënd madhështor. Më shiko, o Zot, sipas madhështisë së mirësisë tënde dhe mëshirave të tua të pafundme, dhe me hir dëgjoje lutjen time, lutjen e shërbëtorit Tënd më të përulur, të dëbuar dhe të internuar në vendin e hijes së vdekjes. Më mbro dhe më ruaj në mes të rreziqeve të panumërta të kësaj jete të korruptueshme dhe më drejto përmes hirit Tënd në rrugët e paqes për në vendin e dlirësisë së përjetshme që kurrë nuk shteron.

Burimi: William G. Placher, Callings: Twenty Centuries of Christian Wisdom On Vocation (Grand Rapids, Mich.: W.B. Eerdmans Pub. Co., 2005), 196-201.

Përktheu per Unë Besoj: Ana Llakaj.

[1] Tomas A Kempis (rreth 1380-1471), i cili jetoi në Gjermani dhe Hollandë, u arsimua në një nga shkollat e “Vëllezër të Jetës së Përbashkët”. Ai u ndikua në formimin e tij nga Devotio Moderna ose “Devotshmëria e Re” me theksin në devotshmërinë e thjeshtë dhe mosbesimin ndaj teologjisë komplekse. Tomas konsiderohet si autor i veprës “Imitimi i Krishtit”, një nga tekstet më të admiruara shpirtërore të krishtera. (Ky shkrim ështe një fragment nga libri i tij).