Cilat janë provat për Jezusin e ringjallur?

0
163

Nga Dr. Craig Blomberg

Ka shumë pjesë që tregojnë për ringjalljen në ungjij e që i bëjnë ata të besueshëm historikisht. Nëse varri nuk ishte bosh, autoritetet hebreje do të ishin kthyer te Jozefi nga Arimatea, anëtari i Sinedrit i cili kishte ofruar për varrosjen e Jezusit një mauzole të papërdorur, një varr në pronësi të tij e i gdhendur si zgavër në një shkëmb. Ai do të duhej t’u tregonte varrin autoriteteve e ata do të kishin gjetur kufomën e Jezusit. Po ta kishin vjedhur dishepujt trupin, që ishte edhe shpjegimi më i hershëm i historive të ringjalljes dhënë prej atyre që nuk besonin në to, atëherë dhjetë prej njëmbëdhjetë apostujve të mbetur (pas vetëvrasjes së Judës) vdiqën brenda çdo gjase si martirë pas shërbesash të gjata e të mundimshme duke shpallur lajmin e mirë të Jezusit nëpër perandorinë romake, duke e ditur se gjithçka ishte mashtrim. Vërtet shumë njerëz në historinë botërore janë martirizuar për çështje fetare në të cilat besonin, por nuk ka asnjë histori paralele me martirizim njerëzish në këtë shkallë teksa e dinin që po jetonin një gënjeshtër.

Pastaj është edhe fakti se që të katër ungjijtë i vendosin gratë si dëshmitaret dhe vërtetueset e para të varrit bosh, pavarësisht se ndryshimet e konsiderueshme mes tyre në çfarë regjistrojnë për ringjalljen sugjerojnë se ata nuk po bazoheshin të gjithë te një burim i vetëm i përbashkët. Por, dëshmia e grave, me vetëm pak përjashtime, nuk merrej parasysh në gjykatat e shekullit të parë, që do të thotë se, nëse historia nuk ishte e vërtetë, kjo shpikje do të konsiderohej si një lloj i çuditshëm trillimi nga njerëzit e botës së Jezusit. Për më tepër, në më pak se një brez, ndjekësit e Jezusit, përfshirë ata me prejardhje hebreje, nisën të mblidheshin në adhurim të Tij të dielave, në vend që t’i bindeshin njërit prej urdhërimeve hebreje më të shenjta: e shtuna, Sabati ose dita e shtatë e javës ishte dita e tyre e shenjtë e pushimit nga puna e zakonshme. Diçka që ndodhi vërtet në histori, jo thjesht në vizione a halucinacione, diçka që mund të datonte në mëngjesin e një të diele e që ishte parë si më e rëndësishme edhe se vetë Dhjetë Urdhërimet, diçka e tillë duhej të kishte ndodhur që të shkaktohej një ndryshim i kësisoj.

Këtu mund të shtojmë edhe faktin se hebrenjtë kishin vendosur tashmë se kryqëzimi me varje në copa druri ishte aq i ngjashëm në dukje me vdekjen me varje në degë peme, sa fjalët e Ligjit të Përtërirë 21:23 zbatoheshin edhe për viktimat e kryqëzimit: edhe ata ishin të mallkuar nga Perëndia. Ky vëzhgim duhej të kishte fshirë tërësisht çdo shpresë që kishin ndjekësit e Tij se Jezusi ishte Mesia, por në fakt nuk ndodhi kështu. E vetmja gjë e mjaftueshme për të tejkaluar këtë pengesë duket një ringjallje në jetë njerëzore të re e të vërtetë. Më pas, apostulli Pal shpjegoi se Jezusi u mallkua nga Perëndia, jo për mëkate të Vetat, por për mëkatet e gjithë botës (Galatasve 3:13).

Së fundmi, është e rëndësishme të theksojmë se tregimet e ringjalljes nuk janë produkt i disa serive mitesh a legjendash që evoluuan ngadalë. Te 1 Korintasve 15:3-8, Pali vëren se një prej gjërave të para që u mësoi Korintasve herën e parë që shkoi në atë qytet e që ishte me domethënie themelore për lëvizjen e krishterë rishtare ishte tregimi i ringjalljes trupore të Jezusit. Ai thotë edhe se po përcillte atë që edhe ai vetë kishte marrë, dy folje këto që në greqisht e hebraisht i referoheshin transmetimit të saktë të traditës së folur. Në fakt, Pali mund të jetë duke pretenduar se këtë ia kishin mësuar njerëzit të cilëve iu shfaq Jezusi “në fillim”, e që ndanë me të kur ai u bë një ndjekës i Jezusit. Por kjo ndodhi dy a tre vjet pas kryqëzimit të Jezusit, ndaj raportimet ishin tashmë në qarkullim në atë kohë.

Ndonjëherë argumentohet se është a habitshme si nuk ka më shumë dëshmi jo të krishtera për ringjalljen e Jezusit. Por, nëse ndalojmë të mendojmë për një çast, ose nëse lexojmë gjithfarë shkrimesh të krishtera të shekullit të dytë e që kanë mbijetuar nga lëvizja bazë rreth Jezusit, kuptojmë se pothuajse kushdo që besoi se Jezusi vërtet ishte ringjallur prej së vdekurish u bë besimtar i krishterë! Ata që nuk besuan duhet të kenë pasur arsyer e tyre për të mos treguar për gjërat më spektakolare që bëri Jezusi, ndryshe do të përforconin pretendimet e krishtera e do t’i nxirrnin hebrenjtë, grekët dhe romakët mosbesues si të pamendët e vërtetë.

Domethënës është edhe numri i njerëzve të shekullit të njëzetë, veçanërisht nga bota islame, të cilëve Jezusi u është shfaqur e vazhdon t’u shfaqet në ëndrra e vizione, edhe pse nuk kanë asnjë prejardhje të krishterë e pothuajse nuk kishin dëgjuar asnjë mësim të krishterë. Për shumë myslimanë kudo në botë që vijnë tek Krishti, e sidomos për ata në Lindjen e Mesme, kjo duket nxitja fillestare që i shtyn të dëshirojnë të mësojnë shumë më tepër për Jezusin e më pas të besojnë në Të. Nga ana tjetër, nuk ka tregime të shumta të shfaqjes së Muhamedit, Budës, Moisiut, Jozef Smithit apo Lao-tzu-së njerëzve. Në fakt, në traditën kryesore të feve të themeluara nga këta njerëz, nuk ka pasur as ndonjë pretendim që ndonjë prej themeluesve të jenë ringjallur.

Jezusi mbetet unik mes feve të botës si i vetmi që sikur edhe te jetë pretenduar i ringjallur prej së vdekurish në trup e të jetë parë prej ndjekësve të Tij gjatë jetës së tyre tokësore. Tregime ringjalljesh të tjera janë mite të zhvilluara shekuj pas vdekjes së personave të përfshirë në ato histori, ose janë histori perëndish që nuk ishin kurrë qenie njerëzore me biografi të gjurmueshme tokësore e me ndjekës që kaluan vite me ta e duke mësuar prej tyre.

Përktheu: Brunilda Rustani