Cilat ishin ngjarjet kyçe në jetën e Jezus Krishtit?

0
139

Nga Dr.Craig Blomberg

Ngjarjet ose temat kyçe në jetën e Jezus Krishtit e që kanë sasinë më të madhe të provave historike në favor të tyre janë: përputhja e shërbesës së Tij me atë të Gjon Pagëzorit, përzgjedhja e dymbëdhjetë dishepujve të Tij, shoqërimi i Tij me të varfrit e të përbuzurit e kësaj bote, konfliktet e Tij me autoritetet fetare në lidhje me interpretimin e Ligjit (sidomos Ligjet e Sabatit), mrekullitë e shërimit dhe dëbimi i demonëve, pranimi nga ana e Tij e pohimit të Pjetrit se Ai ishte Mesia, hyrja e Tij në Jerusalem në atë që sot njihet si e Diela e Palmave, pastrimi i tempullit, Darka e Tij e Fundit me dishepujt për Pashkë, gjyqi i Tij para gjykatës së lartë hebreje, shfaqja e Tij para Ponc Pilatit dhe kryqëzimi, si dhe zbulimi i varrit bosh nga gratë ndjekëse të Tij.

Edhe sikur asnjë tjetër prej gjërave që mendohet të ketë thënë a bërë Jezusi të mos besohej si e vërtetë, këto dymbëdhjetë fakte themelore mjaftojnë për të vërtetuar natyrën e Tij mesianike. Ato tregojnë edhe se Ai ishte më shumë se thjesht një çlirues tokësor. Ai pretendonte se fliste e vepronte në emër të Perëndisë në mënyra që i bënë priftërinjtë dhe mësuesit hebrenj më me ndikim të kohës të bindeshin se Ai e kishte kaluar cakun. Ai kishte pretenduar në mënyrë të papërshtatshme për Veten gjëra që asnjë njeri nuk kishte të drejtë të pretendonte, gjëra që i takonin vetëm Perëndisë. Ai ose ishte Perëndi, ose kishte blasfemuar. Ndjekësit e Tij ishin të bindur për hyjninë e Tij, ndërsa kundërshtarët e Tij ishin të bindur se Ai kishte blasfemuar. Prandaj, e dënuan me ekzekutim si kriminel e si dikush i ndëshkuar nga Vetë Perëndia.

 

Përktheu: Brunilda Rustani