Çfarë rrethanash çuan në kryqëzimin e Jezusit?

0
161

Nga Dr. Craig Blomberg

Që të katër ungjijtë në Dhjatën e Re, bashkë me disa burime të jashtme, bien dakord se Jezusi hynte rregullisht në konflikt me autoritetet e Tij fetare në lidhje me interpretimin e Ligjeve të Moisiut nga Shkrimet hebreje (Dhjata e Vjetër për të krishterët). Mrekullitë e Tij interpretoheshin si përmbushje e profecive të Dhjatës së Vjetër, sidomos atyre nga Isaia 35:5-6, që tregonin ardhjen e epokës mesianike. Por nëse ajo epokë kishte ardhur, duhej të kishte ardhur edhe Mesia. Ky ishte një kërcënim i tërthortë ndaj gjithë udhëheqësve fetare e politikë të Izraelit të asaj kohe, shumë prej të cilëve nuk i përkisnin vijës së përcaktuar nga ligjet e Moisiut për kë duhej të kishte ato pozita. Ata ishin vetëemëruar në to ose ishin caktuar nga Roma.

Në fillim, turma të mëdha njerëzish të zakonshëm që nuk ishin të përfshirë në ndonjë studim të specializuar të Ligjit u dyndën që të shihnin e të dëgjonin Jezusin, të mahnitur nga mrekullitë e Tij e të impresionuar nga mësimet e Tij. Por, me kalimin e kohës, u bë gjithnjë e më e qartë se Ai nuk kishte interes të udhëhiqte një rebelim kundër Romës e të përpiqej të rrëzonte autoritetet politike që kishin pushtuar Izraelin. Kjo ishte shpresa kryesore e shumë njerëzve për Mesian, për pasojë popullariteti i Jezusit u pakësua. Edhe pse ishte paditur nga autoritetet hebreje për akuza të fryra, Ai iu kalua udhëheqësve romakë në Izrael si kërcënim ndaj sundimit perandorak romak (e vetmja lloj “tradhtie” që do t’u interesonte atyre). Pilati nuk qe në gjendje të gjente prova të mjaftueshme për ta dënuar Jezusin, por, duke qenë se i duhej të ruante ekuilibrin e brishtë mes kënaqjes së autoriteteve hebreje që të mos rebeloheshin dhe kënaqjes së perandorit në Romë me anë të ruajtjes së paqes, ai e dorëzoi Jezusin për kryqëzim.

Përktheu: Brunilda Rustani