Biskotat

0
38

Një vajzë po priste avionin në një aeroport të madh. Meqë i duhej të priste gjatë, vendosi që të blinte një libër për të kaluar kohën. Bleu librin dhe një kuti me biskota. U ul në vendin ku rrinë zakonisht personat e rëndësishëm, në mënyrë që askush të mos e pengonte. Pranë saj ishte kutia me biskota dhe një karrige më tej, një person tjetër i cili po lexonte gazetën. Kur ajo filloi të merrte biskota, edhe zotëria nga karrigia tjetër mori një. Ajo u habit pa masë, por nuk tha gjë.

Vetëm vazhdoi të lexonte librin. Me vete po mendonte: “ Ky njeri po më acaron kaq shumë sa, sikur të kisha pak guxim, do t’i jepja një grusht. Sa herë që ajo merrte një biskotë, këtë e bënte edhe zotëria pa u shqetësuar fare. Vazhduan kështu deri sa në kuti mbeti vetëm biskota e fundit dhe vajza mendoi: “Dua të di se çfarë do të bëjë ai tani?!” Zotëria e mori biskotën e fundit dhe e ndau përgjysmë. “Kjo me të vërtetë është e tepërt,”—filloi të mendojë vajza me nervozitet. Mori sendet e veta, librin, çantën dhe u drejtua drejt daljes.

Kur u ndie më mirë, pasi edhe nervozizmi i kaloi disi, u ul në një vend ku nuk kishte njeri, që të qetësohej. E mbylli librin që ta fuste në çantë, por në momentin kur hapi çantën, vuri re një kuti me biskota të pahapur fare. U turpërua sikur të ishte hajdute dhe atëherë e kuptoi se kutia me biskota kishte qenë e zotërisë që kishte qenë ulur në karrigen pranë të sajës, i cili pa asnjë shqetësim, nervozizëm apo brengë, e ndau edhe biskotën e fundit me të, pa iu lënduar, si asaj, ndjenjat dhe krenaria personale .