Apologjetika Pas dy Vdekjeve të Ravi Zakariasit

0
265

Nga Dr.Douglas Groothuis

Profesor i Filozofisë, Seminari i Denverit

Unë jam një filozof i krishterë, i cili e ka mbrojtur botëkuptimin e krishterë për gati dyzet e pesë vite.  Unë kam një interes detyrues mbi mirëqenien e kolegëve të mi apologjetë dhe shërbesave të tyre. Unë drejtoj një Degë Masteri në apologjetikë dhe etikë që ka trajnuar shumë filozofë dhe apologjetë të rinj në tridhjetë vitet e fundit. Kur apologjetët dhe apologjetika e krishterë lulëzojnë, unë gëzohem. Unë kam parë studentët e mi të marrin doktoratura, të sigurojnë pozicione akademike dhe shërbese, të bëhen kolegët e mi dhe të botojnë artikuj dhe libra. Unë kënaqem me arritjet e tyre, dhe me arritjet e më të moshuarve dhe bashkëmoshatarëve të mi. Unë lutem rregullisht për apologjetët, të mirënjohur apo e kundërta (Efesianëve 6:19). Kur apologjetët dështojnë, qoftë përmes argumenteve, qoftë përmes mënyrës së gabuar të jetesës, unë vajtoj. Por dështimi moral është më i vështirë për t’u pranuar dhe më dëmtues. Rënia e turpshme e Ravit ngre shumë pyetje, të cilave nuk mund t’u përgjigjem këtu. Unë i adresohem asaj që njoh më mirë: apologjetikës.

Dy Vdekjet e Ravi Zakariasit

Ravi Zakariasi dhe unë nuk jemi takuar as nuk kemi komunikuar ndonjëherë. Unë e kisha vlerësuar atë si apologjetin-ungjilltarin tonë të shquar shëtitës. Të tjerë, të tillë si akademikët e afirmuar, mund të shkonin më thellë nga ana intelektuale, por Ravi paraqiti argumente të qëndrueshme në mënyrë tërheqëse nëpër të gjithë botën për dekada me rradhë. Ai vazhdimisht botoi libra të besueshëm dhe ndërtoi organizatën më të madhe apologjetike në botë, në të cilën u punësuan njëqind apologjetë nëpër të gjithë botën.

Më pas Ravi u diagnostikua me kancer agresiv dhe vdiq menjëherë më pas në Maj 2020. Miliona vetë vajtuan, por falenderuan Perëndinë për jetën e tij dhe për shërbesën që do të vazhdonte të jetonte.  Megjithëse akuza për sjellje të papërshtatshme seksuale (dhe fryrje të kredencialeve të tij akademike) ishin ngritur edhe më parë, menjëherë pas vdekjes së tij u bënë akuza të tjera për abuzim seksual. Të gjitha ato dolën të vërteta dhe Ravi vdiq përsëri. Ky nuk është vendi i duhur për të kataloguar shtrirjen dhe neverinë e mëkateve të tij. Të gjitha ato mund t’i gjeni në internet, në raportin zyrtar të lëshuar nga “RZIM”. Mjafton të themi që Ravi ishte fajtor që përdori pozicionin e tij për të manipuluar dhe abuzuar dhjetra, në mos qindra, gra përgjatë shumë viteve, duke lënë pas vetes një  fashë të gjatë zemërthyerjesh dhe tradhëtie, edhe para se të prezantohej e gjitha në publikun e gjerë. Dhe ai përdori fondet e shërbesës për të paguar për kënaqësitë e tij. Kështu pra, pas vdekjes së njeriut, erdhi vdekja e reputacionit të tij. Edhe “New York Times” e shpalli publikisht që ta shihnin të gjithë. Por çfarë mund të themi për shërbesën e tij dhe për apologjetikën pas dy vdekjeve të Ravi Zakariasit, për atë burrin plot mend, të suksesshëm, të sjellshëm dhe inteligjent të cilin ne menduam se ishte një apologjet i jashtëzakonshëm?

 

Apologjetika pas Ravi Zakarias

Unë nuk do të spekulloj për fatin e Shërbesës Ndërkombëtare të Ravi Zakarias (RZIM), e cila, pavarësisht idealeve më të larta dhe keqardhjes më të thellë, mund të përballet me detyrën e pamundur të ruajtjes së një shërbese dikur të lulëzuar, e cila ishte shumë e lidhur me një njeri që tashmë ka pësuar një vdekje të dyfishtë. Disa nga shtëpitë botuese të librave të Ravit i kanë tërhequr librat e tij nga shtypshkronja. Autori Li Strobell do ta heqë intervistën e tij me Ravin përfshirë në librin e vet “Çështja e Besimit”. Videot e Ravit, regjistrimet audio dhe shkrimet e tjera do të hiqen nga platformat zyrtare. Jeta e tij dikur sekrete jetoi pas tij dhe kërcënon të minojë gjithçka që ai përfaqësonte. Nëse një njeri kaq i zoti në apologjetikë del të jetë kaq i keq moralisht, ç’e mirë i ka ngelur apologjetikës?

Në përgjigje të kësaj, le të fillojmë duke marrë në konsideratë tre elementët thelbësorë të retorikës (ose artit të bindjes), sipas Aristotelit: etosi, patosi dhe logosiEtosi ka të bëjë me besueshmërinë e folësit ose shkrimtarit. Ravi kishte, menduam ne, një etos të fortë. Ai ishte i mirëartikuluar, i përulur dhe i paraqitshëm. Ne i besonim atij dhe e vlerësonim si një person të cilin ia vlente ta dëgjoje. Tani ne njohim një anë të errët dhe të ligë të atij njeriu, që nëse do ishte zbuluar gjatë jetës së tij këtu, do ta kishte skualifikuar nga shërbesa dhe shkatërruar etosin e tij. Patosi është aftësia e një folësi apo shkrimtari për të zgjuar ndjenjat e audiencës, për t’i bërë ata të interesohen për temën. Ravi shkëlqente te patosi, duke i ilustruar temat e tij me poezi, prozë dhe histori personale. Megjithatë, ai nuk e manipuloi audiencën e tij dhe dukej se kujdesej për ta. Ai gjithashtu zbatoi forcë racionale (logos) dhe po ashtu edhe patos.

Logosi u adresohet argumenteve racionalë ose logjikës së paraqitur. Metoda bazë e Ravit në apologjetikë ishte e shëndoshë dhe ai nuk e theksonte etosin ose patosin në kurriz të logosit. Metoda apologjetike e Ravit quhet: “Rrjeti 3.4.5.”  Me pak fjalë, ky rrjet e teston një botëkuptim nga ana logjike (A është e qëndrueshme?), nga ana faktike (A është e përshtatshme nga ana empirike?), dhe ekzistencialisht (A është e jetueshme dhe domethënëse për jetën dhe vdekjen?). Kjo pajtohet me metodën apologjetike që përdor unë në apologjetikën e krishterë. Ravi përdori rrjetin 3.4.5 me ndikim të madh dhe global. Por si na ndihmon kjo?

 

Argumentet kanë fuqi racionale ose kanë mungesë të fuqisë racionale, pavarësisht nga patosi etosor i argumentuesit. Ne e testojmë logosin duke theksuar argumentin në formën e premisë-konkluzionit dhe më pas vlerësojmë forcën bindëse të tij. A mbështeten mjaft premisat? A na çojnë premisat në konkluzion përmes një mënyre të vlefshme induktive, deduktive, ose abduktive? Nëse po, është një argument i mirë dhe duhet besuar. Nuk ka rëndësi kush e jep atë argument, edhe sikur ta japë Ravi Zakariasi. Kështu pra, pika e parë është që katastrofa morale e Ravit në vetvete nuk ndikon ndonjë nga argumentet racionalë që jep ai, meqenëse logosi dhe patosi i tij vazhdojnë të jenë të besueshëm. Ata të krishterë që e zbuluan apologjetikën përmes Ravit, dhe unë njoh shumë prej tyre, nuk duhet të pendohen për zbulimin e tyre. Ata që e kanë gjetur Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar përmes përdorimit të apologjetikës së Ravit nga Shpirti i Shenjtë, nuk duhet ta vënë në dyshim konvertimin e tyre në besim ose rëndësinë e apologjetikës. Për më tepër, të gjitha argumentet më të mira të Ravit mund të gjenden në punën e apologjetëve të tjerë, reputacioni i të cilëve nuk është dëmtuar nga mëkati.

 

Megjithatë ende na ndjek një problem tjetër, që ka lidhje me një pyetje të cilën Ravi merrej shpesh në apologjetikën e tij, dhe është problemi i së keqes. Pse një Zot kaq  i mirë dhe i plotfuqishëm lejon kaq shumë të keqe në botën e tij? Pse e lejoi Zoti suksesin e Ravi Zakariasit si folës dhe shkrimtar, duke patur parasysh historinë e tij të gjatë të abuzimit seksual? Pse Zoti i lejoi kaq shumë prej nesh ta respektonin dhe të ishin mirënjohës për Ravin kur ai nuk e meritonte atë? Apostulli Pal dha një pjesë të përgjigjes dy mijë vite më parë kur tha se ai gëzohej sa herë që predikohej ungjilli, edhe kur predikohej nga ata që kishin motive të këqija (Filipianëve 1:15-18). Kjo sepse ungjilli zotëron një fuqi të brendshme, pavarësisht nga karakteri i atyre që e shpjegojnë ose e vlerësojnë atë (Romakëve 1:16-17). Por, meqenëse Zoti nuk është utilitarist, kjo në asnjë mënyrë nuk justifikon imoralitetin nga ana e të dërguarit.

Të dyja pyetjet qëndrojnë. Duke patur parasysh karakterin dhe fuqinë e Perëndisë, përse Ai nuk e solli Ravin në pendim? Dhe kryesorja, përse e lejoi që ai të mëkatonte kaq keq? Pse e lejoi Zoti Ravin që të sjellë kaq shumë mjerim në jetën e kaq shumë njerëzve, përmes mëkateve të tij sekrete seksuale? Më dhemb zemra ndërsa mendoj për atë që duhet të ndjejnë familja e tij, miqtë, bashkëpunëtorët dhe viktimat e shumta.

Megjithëse çështja apologjetike për krishtërimin është e fortë, dhe më e fortë se çdo botëkuptim tjetër, është joreale të presësh që të vdekshmit e kufizuar dhe të gabueshëm të jenë në gjendje të lexojnë mendjen e Zotit në gjithçka. Misteret qëndrojnë, pavarësisht se nuk na pëlqen. Apostulli Pal ka diçka tjetër për të na thënë:

O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë!

Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!!
   ”Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?,
Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?”.

Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra.

Lavdi atij përjetë! Amen!

ROMAKËVE 11:33-36; Shih gjithashtu LIGJI I PËRTËRIRË 29:29

Ravi Zakariasi është përgjegjës para Perëndisë për jetën e tij. Perëndia është përgjegjës vetëm për veten e vet.  Ne jemi përgjegjës për të jetuar brenda rrethit të asaj që mund të dimë, duke patur parasysh zbulesën e Zotit dhe përdorimin e fuqive që na ka dhënë Ai, për të ditur se çfarë ka rëndësi (Hebrenjve 5:11-14). Sidoqoftë, ne gjithashtu duhet të jemi administratorë të mirë të paditurisë sonë të pashmangshme, dhe një pjesë e kësaj paditurie përfshin rrugët e Perëndisë me Ravi Zakariasin (Predikuesi 5:18-20).

 

Përse bien udhëheqësit?

Ata që kanë sukses të jashtëm në shërbesë, por në të njëjtën kohë një jetë sekrete mëkati, mund të mashtrojnë veten duke menduar që nuk kanë nevojë të pendohen, meqënëse Perëndia po e bekon shërbesën e tyre. Ata mund të ndiejnë fuqinë e Perëndisë ndërsa mësojnë ose predikojnë, dhe të shohin rezultate objektive. Ata mendojnë se Zoti po i shpërfill mëkatet e tyre. Ose, siç ka shkruar Kierkegardi, këta persona në shërbesë mund ta shtyjnë rregullimin e marrëdhënies me Perëndinë, duke i thënë vetes që “do të kenë një përjetësi të tërë për t’u penduar”. Përkundrazi, sot është dita e pendesës dhe e shpëtimit (2 Korintasve 6:2; Hebrenjve 3:7-19). Nesër mund të jetë tepër vonë. Ne nuk kemi asnjë provë që tregon se Ravi u pendua.

Unë nuk do të marr përsipër të kuptoj se çfarë e shtyu Ravin në një mëkat kaq të neveritshëm për një kohë kaq të gjatë. Gjithsesi, unë mendoj që kishte shumë lidhje me dhimbjen. Ravi kishte dhimbje kronike shpine, e cila ishte përkeqësuar mjaft nga udhëtimet e vazhdueshme. (Ai nuk duhet të kishte udhëtuar aq shumë, por unë do të merrem me këtë pjesë gjatë këtij shkrimi.) Dhimbja, qoftë fizike apo emocionale, na ofron një zgjedhje dramatike. Nëse Perëndia nuk e largon dhimbjen, ne mund të zgjedhim të identifikohemi më thellë me vuajtjet e Krishtit dhe të kërkojmë hirin e tij. Ai hir është i mjaftueshëm, dhe Pali, për shkak të vuajtjeve të tij, e dinte mirë (2 Korintasve 12:9). Ose mund të zgjedhim ta lehtësojmë ose ta përmirësojmë dhimbjen përmes kënaqësive mëkatare të mishit. Djalli ka mundësi të shumta për të ofruar, prandaj duhet që t’i rezistojmë gjithmonë atij (1 Pjetrit 5:8). Ravi ndoshta kishte nevojë për terapi fizike për kurrizin e tij, por kjo u kthye në diçka më shumë, në diçka të tmerrshme, siç është zbuluar.

Dhimbja, qoftë fizike apo emocionale, na ofron një zgjedhje dramatike. Nëse Perëndia nuk e largon dhimbjen, ne mund të zgjedhim të identifikohemi më thellë me vuajtjet e Krishtit dhe të kërkojmë hirin e tij.

Vdekja e dytë e Ravit thekson më shumë faktin që ne kemi nevojë për një teologji të vuajtjes dhe dhimbjes, e cila na udhëzon të vajtojmë dhe vuajmë në mënyrën e duhur para Perëndisë dhe të tjerëve. Ne duhet të lutemi sipas psalmeve të vajtimit (22, 39, 88, 90, etj.); ne duhet të zotërojmë thellësinë e vuajtjes sonë; dhe duhet të kërkojmë shërim në vende të perëndishme. Gjithashtu ne duhet të kultivojmë zakonin e shpresës eskatologjike. Në fund, gjithçka do të shkojë mirë për të shpenguarin, ajo që ka për të ardhur, le të vijë, këtu dhe tani (Zbulesa 21-22).

 

Të Jetuarit si i Paqortueshëm dhe Para Perëndisë

Nëse neveritemi nga mëkatet e Ravi Zakariasit, duhet t’i urrejmë mëkatet tona edhe më shumë dhe të kërkojmë të pendohemi për to. Doktrina e vërtetë dhe jetesa e perëndishme janë njëlloj të nevojshme për shërbesë dhe për gjithë jetën. Ashtu siç i shkroi Pali Timoteut: “Doktrina e vërtetë dhe jetesa e perëndishme janë njësoj të nevojshme për shërbesën dhe gjithë jetën…” (1 Timoteut 4:16 ALBB). Pali përcaktoi që një peshkop duket të jetë “i paqortueshëm” (Titi 1:6-7 ALBB). Kjo zbatohet për të gjithë drejtuesit e krishterë.

Ata që kanë thirrje të larta, kanë nevojë për standarde të larta, që të mos shkaktojnë diskretitim të mesazhit dhe i dërguari të humbasë integritetin. Të krishterët vazhdojnë të mëkatojnë, por asnjë i krishterë nuk duhet të kontrollohet nga mëkati (1 Gjonit 1:8-10; 3:6). Udhëheqësit e profilit të lartë, nëse bien, bien shumë fort dhe shpesh tërheqin shumë të tjerë me vete. “Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë.” (1 Korintasve 10:12 ALBB).

Meqenëse të gjithë jemi të cënueshëm nga imoraliteti, duhet t’u vëmë veshin fjalëve të Jezusit: “Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?” (Mateu 7:3, ALBB). Pali i kushtoi shumë vëmendje integritetit të tij. “Madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.” (1 Korintasve 9:27 ALBB). Predikuesit e krishterë duhet të kenë frikë se mos skualifikohen dhe të marrin masa radikale për t’u mbrojtur nga mëkati. Ne e bëjmë këtë duke ruajtur zemrat tona dhe duke krijuar marrëdhënie përgjegjshmërie me miq të  mençur, këshilltarë dhe drejtues (Fjalët e Urta 1:7; 4:23-27; 27:17; Mateu 5:27-32). Ne duhet të jemi vazhdimisht pjesë e bashkësisë, të adhurojmë Perëndinë dhe të marrim pjesë në sakramentet (Hebrenjve 10:25). Nëse agjenda e udhëtimeve të shërbesës e ndalon dikë t’i ndjekë ato, atëhere kjo agjendë duhet ndryshuar.

Ravi Zakariasi dhe emri i tij i mirë kanë vdekur. Kjo vdekje e dyfishtë është tragjike. Ne duhet të vajtojmë dhe të marrim në konsideratë vetë jetët tona para “Auditit të Përjetësisë” (Kierkegard). Por apologjetika vazhdon të jetojë. Ne duket të gëzohemi dhe ta mbajmë dorën në parmendë, zemrat tona të pastra dhe sytë fokusuar në Zotin tonë Jezus.

 

Përktheu: Ana Llakaj