Absurditeti i Jetës Pa Perëndinë

0
75

Kush jam unë? Përse jam këtu? Ku po shkoj? Në emër të progresit njeriu modern përpiqet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve pa e marrë parasysh Perëndinë, por përgjigjet që i vijnë nuk janë të gëzueshme. Ato janë të errëta dhe të frikshme.

“Ju jeni një nënprodukt aksidental i natyrës. Ekzistenca juaj nuk ka asnjë qëllim, asnjë arsye. Ajo që ju pret është vdekja.”

Njeriu modern mendoi se duke vrarë Perëndinë, do të çlirohej nga çdo gjë që e shtypte dhe e ndrydhte atë, por përkundrazi, zbuloi se duke vrarë Perëndinë, pa dashje kishte vrarë edhe veten e vet. Sepse nëse Perëndia nuk ekziston jeta e njeriut është plotësisht absurde.

Nëse Perëndia nuk ekziston njeriu dhe universi, në mënyrë të pashmangshme, janë të dënuar me vdekje. Ashtu si të gjithë organizmat e tjerë biologjikë njeriu duhet të vdesë.

Jeta e tij është vetëm një shkëndijë e vogël në errësirën e pafund, një shkëndijë që shfaqet, regëtin dhe më pas vdes përgjithmonë.

Shkencëtarët na thonë që universi sa vjen e zgjerohet, dhe ndërsa e bën këtë edhe ftohet gjithnjë e më shumë, derisa të vijë një moment që të mos ketë më fare ngrohje, që të mos ketë më dritë, të mos ketë më jetë.

Kjo nuk është një fantazi e shkencës. Nëse Perëndia nuk ekziston, atëhere ne jemi të dënuar, në mënyrë të pashmangshme, të zhdukemi.

E gjitha kjo na lë të kuptojmë që jeta vetë është absurde. E gjitha kjo nënkupton që jeta që ne jetojmë është plotësisht pa kuptim, pa vlerë apo qëllim. Nëse çdo person individualisht ndalon së ekzistuari pasi vdes, çfarë qëllimi përfundimtar mund t’i caktohet jetës së tij? Jeta e tij mund të jetë relativisht e rëndësishme për një sërë ngjarjesh, por nëse të gjitha këto ngjarje në thelb nuk kanë asnjë kuptim, atëhere cili mund të jetë kuptimi përfundimtar i ndikimit të çdonjërit prej tyre? Pra, njerëzimi nuk mund të ketë më shumë kuptim sesa një tufë me mushkonja, sepse përfundimi i tyre është i njëjtë.

Kjo është ajo që e tmerron njeriun modern, sepse ai përfundon në një hiç dhe në fund të fundit është një hiç. Madje bëhet akoma më e dhimbshme, sepse nëse jeta përfundon me varrin, nuk ka asnjë ndryshim nëse jeton si Jozef Stalini apo si Nënë Tereza. Nëse fati i së ardhmes sate nuk ka asnjë lidhje me sjelljen tënde, atëhere ti mund të jetosh ashtu siç të pëlqen. Vlerat morale janë ose një shprehje e shijeve personale, ose ndryshe një nënprodukt i i evolucionit biologjik dhe i kushteve sociale.

E kush mund ta thotë se vlerat e kujt janë të drejta dhe të kujt janë të gabuara?!

Mendohuni për një moment, çfarë nënkupton kjo?! Kjo nënkupton që do të jetë e pamundur të dënosh luftën, shtypjen, apo lotët si diçka negative, sepse ta duash dikë apo ta vrasësh dikë, do të jetë e barasvlefshme nga ana morale. Parashikimi ynë është ky: është e pamundur të jetosh vazhdimisht dhe i lumtur me një botëkuptim të tillë.

Filozofi ateist Bertrand Rasëll mbështeste teorinë që vlerat morale janë thjesht një shprehje e shijeve personale, e megjithatë Rasëll e pranoi që ai vetë nuk mund të jetonte në atë mënyrë dhe prandaj ai arriti në konkluzionin që botëkuptimi i tij i vetëm ishte… dhe po e citoj: “E pabesueshme! Unë nuk e di cila është zgjidhja! – rrëfen ai.”

Nëse vdekja qëndron krahëhapur në fund të shtegut të jetës, atëhere cili është qëllimi i jetës? A nuk ka vallë asnjë arsye për ekzistencën e jetës? Nëse fati përfundimtar i jetës është një vdekje e ftohtë në kthinat e hapësirës së pafund, atëhere përgjigja është: ‘Po! Nuk ka pikë kuptimi!’.

Ne kemi nevojë të zgjohemi dhe të kuptojmë rëndësinë e alternativave që kemi para nesh. Nëse Perëndia ekziston, atëhere ka shpresë për njeriun, por nëse Ai nuk ekziston, atëhere gjithçka që na mbetet është dëshpërimi.

Filozofi Zhan Pol Sartër, kur u përball me një botëkuptim ateist, kuptoi që jeta është absurde. Në veprën e tij “Pa rrugëdalje!” (No Exit) ai e portretizon jetën e njeriut, në mënyrë tragjike, si ferr. Fjalët mbyllëse të veprës së tij mund të shërbejnë si një ‘mantra’ ateiste.

Epo, le të vazhdojmë më tej!

 

Përktheu: Ana Llakaj