A u ringjall Jezusi prej së vdekurish?

0
55

– Hej shoku!

– Hej, si kalove?

– Çfarë po lexon?

– Biblën.

– Po lexon Biblën?!

– Po.

– Shoku, pse po lexon Biblën. E ke gjë për mësim?

– Jo, thjesht…

– Mirë, pra ti thjesht po… lexon Biblën? Je ulur këtu në kafene, në shekullin e 21të, po përdor teknologji të cilësisë së parë për të lexuar mite të lashta për asnjë arsye?

– Epo…

– Më thuaj, a je gjë si ata super fetarët që besojnë vërtet se Jezusi u ngrit prej së vdekuri?

– Epo, unë e besoj këtë…

– Mos beson edhe te lepuri i Pashkës, Babagjyshi i Vitit të Ri, njëbrirëshit, Këmbëmadhi? Mos të kanë rrëmbyer ndonjëherë jashtëtokësorët? Mos u beson gjë edhe gjithë atyre miteve të lashta në lidhje me zota që vdesin e ringjallen, mite të shpikura nga fise primitive e nomade të epokës së bronzit?

– Jo…

– Mirë, po çfarë ndryshimi ka ndërmjet ringjalljes së Jezusit prej së vdekurish dhe gjithë këtyre përrallave të tjera?

– Ja çfarë ndryshimi ka: besimi im në ringjalljen e Jezusit është i arsyeshëm dhe bazohet në fakte historike.

– Fakte?! Çfarë faktesh?

– Epo, i pari është që Jezusi vdiq me kryqëzim.

– Prit pak, ne as që e dimë a ka ekzistuar vërtet Jezusi. Pse duhet t’u besoj “fakteve” të tua?

– Sepse pesë faktet që do të të jap mbështeten në aq shumë prova historike saqë shumica e akademikëve profesionistë që e kanë studiuar këtë temë i pranojnë si të vërteta këto fakte. Këtu përfshihen edhe akademikë skeptikë ateistë.

– Mirë pra. Jezusi ishte një person që ka ekzistuar vërtet dhe pastaj u vra. E çfarë pastaj?

– Ky është fakti i parë. Fakti i dytë është se dishepujt e Tij ishin të bindur se Ai u ringjall prej së vdekurish dhe se iu shfaq atyre. Fakti i tretë është se Pali, armik i betuar i të krishterëve të hershëm, papritur u bë vetë i krishterë. Fakti i katërt, vëllai skeptik i Jezusit, Jakobi, edhe ai u bë i krishterë. Dhe fakti i pestë, varri ku u vendos trupi i Jezusit ishte bosh.

– Dhe këto na qenkan fakte historike të mirëvendosura?

– Po, por nuk mund ta lëmë me kaq. Këto fakte kërkojnë shpjegim, ndryshe na mbetet një boshllëk i madh në historinë njerëzore.

– ja, ta jap unë një shpjegim: ata të gjithë gënjyen. Bëhej fjalë për një konspiracion, hileja më monumentale që është bërë ndonjëherë. Ndjekësit e Tij e vodhën kufomën nga varri e pastaj nisën t’u thoshin të gjithëve se Ai ishte gjallë.

– Kjo është teoria e konspiracionit. Problemi është se ajo nuk shpjegon faktet: si ka mundësi që një grup peshkatarësh frikacakë, të tmerruar për jetën e tyre, mposhtën një grup rojesh romake profesioniste e të mirëarmatosura, rrokullisën tutje një shkëmb dytonësh, vodhën një trup dhe e fshehën prej një qyteti që gëlonte me njerëz që kërkonin ta gjenin? Pse duhej ta bënin këtë? Dishepujt nuk kishin absolutisht asgjë për të fituar nga të gënjyerit në lidhje me ringjalljen e Jezusit. Në fakt, ata u përndoqën, dhe ne kemi prova të mira historike se pesë prej tyre u martirizuan për shkak të shpalljes së tyre se Jezusi ishte ngritur prej së vdekurish. Më sa duket, as edhe një prej tyre nuk e tërhoqi kurrë pas këtë shpallje. Njerëzit nuk vdesin me dëshirë për diçka që e dinë se nuk është e vërtetë. Ata ishin atje dhe e dinin a ishte apo jo e vërtetë kjo gjë.

– Në rregull, ja një teori tjetër: dishepujt menduan se e panë Jezusin të gjallë pasi kishte vdekur, por nuk ishte gjë tjetër veçse ëndrra me sy hapur. Ata ishin të stresuar dhe disi me halucinacione.

– Edhe teorisë së halucinacionit i mungon fuqia shpjeguese. Jezusin e panë në të njëjtën kohë 500 dëshmitarë, dhe dishepujt e prekën. Psikologët kanë vërtetuar se halucinacionet nuk veprojnë në atë mënyrë. Kjo teori nuk shpjegon as varrin bosh.

– Mirë, dëgjo, ndoshta ka ndonjë shpjegim tjetër, por thelbi i çështjes është se të vdekurit nuk ringjallen. Ringjallja prej së vdekurish do të ishte një ngjarje e mbinatyrshme, një mrekulli, dhe shkenca e ka vërtetuar se mrekullitë nuk ndodhin.

– Vërtet? Kur e vërtetoi shkenca këtë?

– Nuk e di, por e kam dëgjuar diku.

– Shkenca nuk i ka vërtetuar si të pamundura mrekullitë. Në fakt, kjo do të ishte e pamundur.

– Pse?

– Shkenca merret ekskluzivisht me fenomene natyrore, lëndën fizike dhe procese materiale, apo jo?

– Ëë, po?

– Por mrekullia, nga vetë përkufizimi i saj, nuk është fenomen natyror, por diçka e mbinatyrshme.

– Edhe?

– Edhe një ngjarje e mbinatyrshme do të shtrihej përtej kufijve të shkencës. Kështu, është logjikisht e pamundur që shkenca të flakë tej hipoteza që shtrihen përtej kufijve të saj.

– Pse s’i kam dëgjuar kurrë më parë këto gjëra?

– Nuk e di, ndoshta ngaqë është e frikshme?

– E frikshme?

– Po! Për sa kohë që ringjallja e Jezusit prej së vdekurish mbetet veçse përrallë, si Babagjyshi i Vitit të Ri dhe njëbrirëshit, nuk përbën kërcënim për botën time të vogël. Por, nëse është fakt, nëse ai vërtet u ngrit prej së vdekurish, kjo është diçka e stërmadhe dhe ndryshon gjithë lojën! Ndaj është kaq e vështirë ta mendosh në mënyrë objektive.

– Ua!

– Po.

– Ëhë, një “ua” e madhe.

Përktheu: Brunilda Rustani
Përdorur me leje nga www.impact360institute.org