A u ringjall Jezusi nga vdekja? Shpjegimi

0
58

 

Pjesa e 2: Shpjegimi

Historia ka regjistruar që Jezusi i Nazaretit vdiq dhe trupi i tij u vendos brenda në varr. Gjithashtu është vërtetuar që pas vdekjes dhe ringjalljes së tij, varri u gjet bosh. Persona dhe grupe të ndryshme panë shfaqjen e Jezusit të gjallë dhe dishepujt e tij në njëfarë mënyre u bindën plotësisht që Jezusi ishte ringjallur nga vdekja. Këto janë faktet historike. Po si i shpjegoni ato? Përgjatë rrjedhës së historisë janë ofruar shpjegime natyraliste për të shpjeguar këto fakte. Le të ekzaminojmë katër më të njohurat.

Së pari: Teoria e konspiracionit.

Sipas këtij botëkuptimi dishepujt e improvizuan ringjalljen e Jezusit. Ata e vodhën trupin e tij nga varri dhe më pas gënjyen duke thënë që e panë atë të ringjallur, duke kryer kështu mashtrimin më të madh të të gjithë kohërave. Megjithatë, kjo teori përballet me kundërshtime të pakapërcyeshme. Është anakronizëm(mosperputhje e datave) i pashpresë. Ky botëkuptim e sheh situatën e dishepujve përmes historisë së të shkuarës së krishtërimit, në vend që ta shohë nga këndvështrimi i hebrenjve të shekullit të parë. Hebrenjtë nuk e njihnin konceptin e Mesias, i cili do të mposhtej dhe ekzekutohej nga armiqtë e Izraelit, aq më tepër të ringjallej nga vdekja. Në mendësinë e judenjve ringjallja nga vdekja ishte një ngjarje e pergjithshme që do të ndodhte vetëm pas fundit të botës dhe nuk kishte asnjë lidhje me Mesian. Teoria e konspiracionit gjithashtu nuk arrin të shpjegojë sinqeritetin e dukshëm të dishepujve. Njerëzit nuk do të vdisnin asnjëherë me vetëdije për diçka, duke e ditur që nuk është e vërtetë. Leximi me mendje të hapur i Dhiatës së Re e bën të qartë që këta njerëz e besonin me gjithë zemër mesazhin që shpallnin dhe ishin të gatshëm të vdisnin për të. Ekzistojnë edhe arsye të tjera përse asnjë studiues në ditët tona nuk e mbështet teorinë e konspiracionit.

Një përpjekje e dytë për të shpjeguar faktet është teoria e vdekjes së rreme. Jezusi nuk vdiq me të vërtetë, ai u përmend brenda në varr dhe në një farë mënyre arriti të dilte prej tij dhe t’ua mbushte mendjen dishepujve të tij që ai ishte ringjallur nga vdekja. Kjo teori gjithashtu përballet me pengesa të pakapërcyeshme.

Së pari, nga ana mjekësore kjo është e pamundur. Ekzekutuesit romakë ishin profesionistë. Ata e dinin mirë çfarë duhet të bënin dhe siguroheshin që viktimat kishin vdekur para se t’i zbrisnin nga kryqi. Për më tepër, Jezusi ishte tortuar kaq per nje kohe te gjate saqe, edhe po ta zbrisnin të gjallë nga kryqi, ai do të kishte vdekur brenda në varrin e vulosur.

Së dyti: kjo teori është krejtësisht e pabesueshme. Pamja e një njeriu me shpirt ndër dhëmbë në nevojë të dëshpëruar për mjekim, i cili përpiqet të dalë nga varri duke u zvarritur, vështirë se do të bindte dishepujt se ai ishte ringjallur plot lavdi nga vdekja. Si rezultat asnjë nga historianët e Dhiatës së Re nuk e mbron këtë teori në ditët e sotme.

Një shpjegim i tretë është teoria e zhvendosjes së trupit. Ndoshta Jozefi nga Arimateja e vendosi trupin e Jezusit në varrin e tij përkohësisht, sepse ishte më e volitshme, por më vonë ai e zhvendosi kufomën në një varrezë të rëndomtë kriminelësh. Në këtë mënyrë, kur dishepujt shkuan për të vizituar varrin e parë dhe e gjetën atë bosh, ata arritën në përfundimin që Jezusi duhet të ishte ringjallur nga vdekja. Kjo teori nuk nuk i shjpegon faktet. Ligjet e judenjve e ndalonin rreptësisht zhvendosjen e një kufome pasi varrosej, përveçse kur duhet të zhvendosej për në varrin e familjes. Për më tepër, varreza e kriminelëve ndodhej shumë afër vendit të ekzekutimit, në mënyrë që varrimet atje të mos ishin problem. Gjithashtu, pasi dishepujt të fillonin të shpallnin ringjalljen e Jezusit, Jozefi do ta kishte korrigjuar gabimin e tyre. Pra edhe një herë, asnjë studiues aktual nuk e mbështet këtë teori.

Së fundmi, teoria e haluçinacioneve. Dishepujt nuk e panë vërtet Jezusin, por imagjinuan sikur ai u shfaq para tyre. Të gjithë ata po shikonin haluçinacione. Edhe kjo teori përballet me probleme të konsiderueshme. Së pari: Jezusi nuk u shfaq vetëm një herë të vetme, por shumë herë; jo vetëm në një vend, por në vende të ndryshme; Jo vetëm një personi, por personave të ndryshëm; Jo vetëm individëve, por edhe grupeve të njerëzve; Dhe jo vetëm besimtarëve, por edhe jobesimtarëve gjithashtu. Në librat e studimit të rasteve në psikologji nuk ka asnjë gjë mbi haluçinacionet që mund të krahasohet me shfaqjet e ringjalljes.

Së dyti: Haluçinacionet do të kishin bërë që dishepujt të besonin se Jezusi ishte transportuar në qiell, dhe jo që ishte ringjallur nga vdekja, në kundërshtim me besimet e tyre si judenj. Për më tepër, në botën e lashtësisë vizionet e të vdekurve nuk ishin në fakt një provë që personi ishte i gjallë, por përkundrazi, ishin provë që personi kishte vdekur dhe kishte kaluar në botën e pasvdekjes.

Së fundi, kjo teori as nuk përpiqet të shpjegojë varrin bosh.

Prandaj, të katërta teoritë e famshme natyraliste nuk arrijnë të shpjegojnë faktet historike. Ku na çon kjo?

Një mundësi tjetër është shpjegimi i dhënë nga dëshmitarët origjinalë okularë, që Perëndia e ringjalli Jezusin nga vdekja. Ndryshe nga gjithë teoritë e tjera, kjo e shpjegon plotësisht gjetjen e varrit bosh, shfaqjet e Jezusit të gjallë dhe gatishmërinë e dishepujve për të vdekur për besimin e tyre. Po a është bindës ky shpjegim? Në fund të fundit për këtë nevojitet një mrekulli, një veprim i mbinatyrshëm i Perëndisë. Mendoni për një moment, nëse është e mundur që Perëndia ekziston, atëhere mrekullitë janë të mundura, dhe ky shpjegim nuk mund të hidhet poshtë. Dhe meqënëse është e mundur që Perëndia të ekzistojë, si e shpjegon ti ringjalljen e Jezusit?

 

Burimi: Reasonablefaith.org

Përktheu: Ana Llakaj