A u ringjall Jezusi nga vdekja? Faktet

0
150

Përse u kryqëzua Jezusi i Nazaretit? Sepse ai bëri deklarata të fuqishme për veten e vet. Ai deklaroi se është Biri i Vetëm i Perëndisë. E përse duhet t’i marrë dikush seriozisht deklaratat e tij? Epo, ka disa arsye. Nëse Jezusi u ringjall me të vërtetë nga vdekja, atëhere deklarata e tij, sipas të cilës ai është Biri i vetëm i Perëndisë, ka një peshë të konsiderueshme. Nga ana tjetër, nëse ringjallja nuk ndodhi asnjëherë me të vërtetë, atëhere Jezusi mund të lihet mënjanë pa frikë, sepse kjo do të nënkuptonte që Ai ishte vetëm një figurë tjetër interesante, por tragjike e historisë. A u ringjall Jezusi nga vdekja?

Pjesa e 1, Faktet

Ndërsa eksplorojmë për të gjetur përgjigjet e kësaj pyetjeje, duhet t’u adresohemi më parë dy pyetjeve të tjera më të thella:

  1. Cilat janë faktet që kanë nevojë për shpjegim?
  2. Dhe cilat janë shpjegimet që i sqarojnë më mirë këto fakte?

Ekzistojnë tre fakte kryesore që kanë nevojë të shpjegohen:

Fakti 1: Zbulimi që varri i Jezusit ishte bosh.

Fakti 2: Shfaqja e Jezusit të Gjallë pas Vdekjes së Tij.

dhe Fakti 3: Besimi i Dishepujve që Jezusi u ringjall nga vdekja.

Le të ekzaminojmë secilën prej tyre.

Fakti 1: Zbulimi që varri i Jezusit ishte bosh

Zbulimi që varri i Jezusit ishte bosh është raportuar nga jo më pak se gjashtë burime të pavaruara nga njëri-tjetri, dhe disa prej tyre janë nga materialet më të hershme që gjejmë në Dhiatën e Re. Kjo është e rëndësishme, sepse kur një ngjarje raportohet nga dy apo më shumë burime që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, siguria e historianëve që kjo ngjarje ka ndodhur me të vërtetë rritet. Dhe, sa më të hershme të jenë këto raportime, aq më shumë rritet edhe siguria e tyre për vërtetësinë e informacionit. Për më tepër, Ungjijtë tregojnë që ishin gratë të parat që zbuluan se trupi i Jezusit mungonte. Kjo nuk ka të ngjarë të jetë e sajuar, sepse në kulturën e judenjve dëshmia e një gruaje konsiderohej plotësisht e pavlerë. Nëse kjo do të ishte një legjendë apo një sajim i mëvonshëm, do të thuhej se ishin burrat ata që e bënë një zbulim të tillë. Siguria jonë që varri ishte bosh rritet kur shohim reagimin e krerëve judenj. Kur dëgjuan që varri ishte gjetur bosh, ata thanë që dishepujt kishin vjedhur trupin e Jezusit, duke pranuar në këtë mënyrë që varri ishte me të vërtetë bosh. Shumica e studiuesve mbahen fort pas besueshmërisë së deklaratave biblike në lidhje me varrin bosh.

Fakti 2: Shfaqja e Jezusit të gjallë, pas vdekjes së tij

Në një nga letrat e hershme të shkruara nga Pali në Dhiatën e Re, ai siguron për ne një listë me dëshmitarë okularë të shfaqjes së Jezusit pas ringjalljes së Tij. “Ai iu shfaq Pjetrit dhe më pas të dymbëdhjetëve. Më vonë Ai u shfaq para më shumë se 500 vëllezërve njëkohësisht. Më pas iu shfaq Jakobit si dhe të gjithë apostujve. Më së fundi ai m’u shfaq edhe mua.”

Më vonë janë konfirmuar një numër i madh shfaqjesh të pavarura nga njëra-tjetra të Jezusit, të konfirmuara në Ungjij. Duke u bazuar te dëshmia e Palit, studiuesit e historisë bien dakort që individë dhe grupe të ndryshme e përjetuan shfaqjen e Jezusit të gjallë pas vdekjes së tij. Mund të pranohet si e sigurt nga ana historike që Pjetri dhe dishepujt patën eksperienca pas vdekjes së Jezusit, gjatë të cilave Jezusi vetë iu shfaq atyre si Krishti i ringjallur.

Fakti 3: Dishepujt besuan te ringjallja

Pas vdekjes së Jezusit dishepujt e tij ndiheshin të shkatërruar, të demoralizuar dhe të trembur për jetët e tyre. Si judenj ata nuk e njihnin konceptin e Mesias që do të kryqëzohej, aq më tepër të rikthehej përsëri në jetë. E vetmja ringjallje te e cila besonin judentë ishte ngjarja universale e ditës së gjykimit pas fundit të botës dhe jo një ngjarje individuale në histori. Për më tepër, sipas ligjit të tyre, kryqëzimi i Jezusit si një kriminel nënkuptonte që ai ishte, në kuptim të drejtpërdrejtë, nën mallkimin e Zotit. E megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre, dishepujt papritur dhe me shumë çiltërsi besuan që Perëndia e ringjalli Jezusin nga të vdekurit. Ata ishin kaq të bindur për këtë, saqë kur u kërcënuan me vdekje, asnjëri prej tyre nuk u tërhoq. Edhe fariseu Pal, i cili i përndoqi fillimisht të krishterët, papritur u bë edhe vetë i krishterë, dhe po ashtu edhe vëllai i vogël dhe dyshues i Jezusit, Jakobi. Nevojitet një lloj përjetimi i fuqishëm transformues, për të gjeneruar një lloj të tillë lëvizjeje, siç ishte krishtërimi i hershëm. Ja përse, si një historian, nuk mund ta shpjegoj ngritjen e krishterimit të hershëm, përveçse nëse Jezusi është ringjallur vërtet nga vdekja, duke lënë pas një varr të boshatisur. Këto tri fakte të palëkundshme bëjnë thirrje për një shpjegim të pershtatshëm. Cili është shpjegimi më i mirë për to?

Përgjatë historisë, shumë shpjegime natyraliste janë ofruar për këto fakte:

Hipoteza e Konspiracionit

Hipoteza e Vdekjes së Rreme

Hipoteza e Haluçinacioneve

Hipoteza e Zhvendosjes së Trupit

…e kështu me rradhë. Të gjitha këto janë refuzuar pothuajse në mënyrë universale nga studiuesit bashkëkohorë. Fakti i thjeshtë është që nuk ka asnjë shpjegim natyrtalist bindës për këto tre fakte. Shpjegimi i dhënë nga dëshmitarët e vërtetë okularë është që Perëndia e ringjalli Jezusin nga vdekja. Nëse është e vërtetë që Perëndia ekziston, atëhere ky shpjegim nuk mund të hidhet poshtë: “Sepse një Perëndi, i cili është në gjendje të krijojë të gjithë universin, do ta kishte aq të lehtë ringjalljen e një personi, sa një lojë fëmijësh.”

Varri Bosh, shfaqja e Jezusit të gjallë pas vdekjes dhe një grup i brengosur ndjekësish të transformuar papritmas nga një besim i ri radikal në Mesian e Ringjallur, këto të gjitha janë fakte të vërteta historike. Si i shpjegoni ju këto? “Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!” Pjetri.

Burimi: Reasonablefaith.org

Përktheu: Ana Llakaj