A je tolerant?

0
112
Changing the meaning of word. Intolerance into Tolerance.

 

– Në rregull, kam dëgjuar se je i krishterë.

– Po, fjalët janë të vërteta.

– Më bëhet qejfi që ke gjetur diçka që bën për ty.

– Në fakt, çështja nuk është se thjesht “bën për mua”. Krishterimi është i vërtetë. Si përshkruan realitetin.

– Po, është i vërtetë për ty, por jo për këdo. A nuk mendon se të gjithë kanë të drejtë të besojnë çfarë të duan?

– Po, njerëzit duhet ta zgjedhin vetë çfarë të besojnë. Jam pro kësaj. Por kjo nuk do të thotë se besimi i kujtdo është i vërtetë.

– Ua, nuk të duket pak mendjengushtë kjo?

– Epo, e vërteta kështu është: e ngushtë dhe përjashtuese.

– Kështu është për ty.

– Kështu është për të gjithë. 2 + 2 = ?

– 4?

– E drejtë. Ti sapo përjashtove një mori numrash. Kjo nuk do të thotë se ti je mendjengushtë, por se e vërteta është e ngushtë, sepse përjashton të gjitha përgjigjet që nuk janë të vërteta.

– Në rregull, kjo funksionon për matematikën, por jo për besimet personale. Profesori im i filozofisë thotë se ka dy lloje të vërtetash: e vërtetë absolute, si dikur në Epokën e Errët, kur mendohej se e vërteta ishte diçka objektivisht e vërtetë dhe besohej prej të gjithëve, kudo, kurdo. Por ai shton se tani ne jemi të ndriçuar dhe e dimë se nuk ekziston e vërteta absolute.

– A është absolutisht e vërtetë se nuk ekziston e vërteta absolute?

– Absolutisht. Lloji tjetër i të vërtetës është ai në të cilin çdo individ krijon realitetin e vet. Kjo quhet e vërteta relative.

– Kjo e vërtetë relative e jotja gjen zbatim edhe për mua?

– Ë?

– E vërteta relative që ti ke krijuar është e vërtetë për të gjithë apo vetëm për ty?

– E vërteta relative gjen zbatim për këdo, kudo.

– Pra, e vërteta relative është absolutisht e vërtetë?

– Absolutisht!

– Ëhë, po.

– Shiko, me gjithë këto besime që ekzistojnë, nuk mund të dalësh e të pretendosh se besimi yt është i drejtë.

– Pra, besimi yt është se nuk duhet të besosh se besimi yt është i saktë, saktë?

– Po! Nëse ti del e thua se krishterimi është absolutisht i vërtetë, njerëzit që nuk bien dakord me ty do të ndihen keq. Kjo është një lloj shtypjeje, gjuhe urrejtje. Prandaj ka kaq shumë “hapësira të sigurta” nëpër qendra universitare.

– Nuk e di a e kuptova drejt: po thua se, nëse kemi besime të ndryshme, unë po të shtyp ty, se të urrej dhe se nuk je i sigurt me mua?

– Pak a shumë.

– Oh, hë tani!

– Jo, unë thjesht mendoj se njerëzit nuk duhet të shprehin besimet e tyre personale.

– Vërtet?! Ti po shpreh besimin tënd personal se është gabim të shprehim besimin tonë personal.

– Epo, le të mos bëjmë gjykime në vlerat “e drejtë” dhe “e gabuar”.

– Pra, të thuash se një ide është e drejtë apo e gabuar është gabim, saktë?

– Ke të drejtë, gabim është. Ti thuash dikujt se e ka gabim nuk është e drejtë.

– Ah, saktë.

– Kjo është diçka që quhet intolerancë, diçka që shoqëria nuk duhet ta pranojë kurrë.

– Intolerancë?

– Po! Në rregull, për shembull, ju të krishterët thoni gjithmonë se Jezusi është e vetmja udhë! Nuk ka më jotolerant se kaq. Shumë njerëz nuk janë të krishterë. Mendo pak si ndihen ata kur thoni kështu ju.

– Por është fakt se Jezusi shpalli në mënyrë përjashtuese se Ai është e vetmja udhë për te Perëndia.

– Ky është thjesht opinioni yt.

– Jo, vërtet, nuk e kam shpikur unë këtë. Është fakt historik se ai u shpreh kështu. Biografitë më të hershme q nga shekulli i parë kanë dokumentuar se Jezusi tha se Ai është dera për në parajsë. Ai tha edhe “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen te Perëndia përveçse nëpërmjet Meje.”.

– Epo, nëse është shprehur kështu, atëherë Jezusi ka qenë jotolerant.

– Prit pak. Nëse mjekja të thotë se vetëm një ilaç e shëron sëmundjen tënde, a do t’i thoshe se argumenti i saj është mendjengushtë dhe jotolerant?

– Jo.

– Është e njëjta gjë. Jezusi po thotë se Ai është e vetmja gjë që na duhet të gjithëve.

– Pra, ti po thua se unë duhet ta besoj patjetër këtë?

– Jo, ti vendos të besosh çfarë të duash. Është vendimi yt. Por nuk mund të ndryshosh faktin historik se Jezusi bëri një deklaratë të madhe për Veten.

– Pra, kam të drejtë të kem opinionet e mia?

– Po, por nuk ke të drejtë të nxjerrësh fakte më vete. Askush prej nesh nuk e ka këtë të vërtetë. Jezusi e ka bërë këtë deklaratë, e cila është e vërtetë ose e rreme. Se si e vlerëson këtë deklaratë, të takon ty.

– Profesori im i filozofisë nuk ka folur kurrë për këto gjëra.

– Ë, po, e di. Tolerancë nuk do të thotë se duhet të biem dakord të gjithë. Në fakt, nuk ke si toleron personat me të cilët bie dakord, sepse tashmë je dakord me ta. Nuk ka gjë për të toleruar këtu.

– S’e kisha menduar ndonjëherë këtë.

– Tolerancë do të thotë të mos biesh dakord me dikë, e prapë t’i japësh të drejtën të jetë gabim.

– Mirë, kjo është e lezetshme. A ke kohë për kafe? Të shohim a mund ta tolerojmë njëri-tjetrin edhe më shumë.

– Shumë mirë.

Po ti, sa tolerant je? Bëj testin e tolerancës dhe zbuloje.

 

Përktheu: Brunilda Rustani

Përdorur me leje nga www.impact360institute.org