A duhet të kenë dyshime të krishterët?

0
35

Bibla është e besueshme, apo jo? Si ia bëni me dyshimin?

– Të krishterët e mirë nuk kanë dyshime.

– Ti nuk je shumë frymor, apo jo?

– Si guxon të vësh në dyshim Perëndinë?

– Sa shumë pyetje që bën ti!

– Me sa duket, nuk je i shpëtuar.

A është gabim të vësh në dyshim Biblën? Epo, çfarë është dyshimi? Dyshimi është mendja juaj që përpiqet të mësojë si të kapet fort pas së vërtetës.

Me kalimin e jetës, disa prej ideve që keni për realitetin pozicionohen në mënyrë më të palëkundshme në mendjen tuaj. Të tjera ide bëhen më pak të sigurta. Këto të fundit duhen shqyrtuar herë pas here. Nëse konfirmohen sërish, ato rivendosen në sistemin tuaj të besimit. Nëse jo, hidhen tutje dhe zëvendësohen me të kuptuar të ri e të përditësuar.

Ky proces i vazhdueshëm vendosjeje dhe shqyrtimi ju mundëson të vijoni të rriteni në të kuptuarit e realitetit. Për këtë, duhet që të bëni pyetje të mira dhe të kërkoni përgjigjet me zell.

Por, a është e pranueshme të vësh në dyshim Biblën? Sipas botëkuptimit të krishterë, Perëndia e ka zbuluar Veten përmes Biblës dhe botës natyrore. Për shkak se Perëndia është mendje racionale, bota natyrore është strukturuar në mënyrë të tillë që të jetë e qasshme për mendjet racionale. Kështu, njerëzit, të krijuar në shëmbëlltyrën e Tij dhe me mendje racionale, mund t’i qasen në mënyrë racionale botës natyrore, duke bërë pyetje të mira e duke kërkuar përgjigje.

Po kështu, edhe Bibla, si shprehje e mendjes së Perëndisë, është strukturuar në mënyrë të tillë që të jetë e qasshme për mendjen tonë. Kështu, njerëzit mund t’i qasen Biblës në mënyrë racionale, duke bërë pyetje të mira e duke kërkuar përgjigje të arsyeshme.

Por, nëse e vëmë në dyshim Biblën, a do t’i qëndrojë ajo dyshimit? Le të marrim një shembull: a e mbështesin Biblën provat arkeologjike? Kjo është pyetje e mirë. Do të ishte shumë problem nëse asnjë prej njerëzve apo vendeve që përmenden në Bibël të mos kishin ekzistuar kurrë. Në fakt, gjatë dyqind viteve të fundit, arkeologët kanë zbuluar prova të shumta që konfirmojnë ekzistencën e njerëzve të përmendur në Bibël. Ata kanë përcaktuar edhe gjithë qytetet më të mëdha biblike dhe njësitë gjeografike të përmendura në Bibël.

“Mund ta themi në mënyrë kategorike se asnjë zbulim arkeologjik nuk ka përbërë ndonjëherë kundërshtim ndaj referencave biblike.”. “Luka është historian i rangut të parë. Jo vetëm janë të besueshme deklaratat e tij faktike… por ky autor duhet radhitur mes historianëve më të mëdhenj.”. “Nuk ka asnjë dyshim se arkeologjia e a konfirmuar vërtetësinë historike substanciale të traditës së Dhjatës së Vjetër.”. Kjo, pra, është përgjigja jonë: provat arkeologjike e mbështesin besueshmërinë historike të Biblës.

Duke bërë pyetje të ndershme e duke kërkuar përgjigje, ne fitojmë besim në Biblën. Nuk është problem të bësh pyetje; problem është të mos bësh pyetje. Kjo sepse, nëse nuk keni pyetje, nuk mund të gjeni përgjigje.

Pra, ngrini dyshime, bëni pyetje të mira, kërkoni përgjigje dhe shtoni kështu të kuptuarit e të besuarit në Fjalën e Perëndisë.

Përktheu: Brunilda Rustani

Përdorur me leje nga www.impact360institute.org